Tymi i “Bardhë” i plehrave të importit, paralajmëron tymin e “Zi të vdekjes

539
Nga Prof. Sazan GURI
Një ditë do ndodhte, sikundër një hajduti që i shpëton një detaj, sado i zoti të jetë, dhe marrëzisë së importit, eksportit, tranzitit të plehrave apo mbetjeve plehra, t’i dilte tymi. Varrosja e plehrave në Shqipëri ka qenë dhe mbetet ëndrra e shteteve fqinj, por më shumë e politikave të qeverisjes shqiptare. Ja pse politikanët e sotëm muaj më parë këmbëngulnin të sillnin mbetje të importit. Ja pse politikanët e djeshëm dhe të sotshëm, nuk menduan kurrë të trajtonin mbetjet e vendit. Ja pse këta të sotshmit, ëngjëjt e djeshëm u kthyen në djaj, jo për ti shërbyer vendit, por për të varrosur mbetjet e të tjerëve në vend. Ja pse kanceret e sotshëm janë kthyer si gripe të djeshëm. Ja pse leucemitë ndër të rinjt e sotëm deri në 25 vjeçar janë sikur dje infeksionet në trup. Ja pëse në qytetin tim Berat bashkëpatriotët e mi vdesin nga një sëmundje të pashpjegueshme. Ja pse në Maliq, të gjithë ndahen nga kjo botë, nga një sëmundje që iu vjen peshqesh nga mali, ku janë varrosur mbetje të çuditshme (radioaktive – thonë zërat e liq), por njerëzit nga varfëria e frika s’bëzajnë, se mos iu heqin familjarin e vetëm nga puna. E njëjta situatë me mbetje importi në Drinos të Gjirokastrës, po ashtu edhe në shën Vlash të Durrësit. Dhe të tilla, jo pak, por 35 zona të nxehta të hapërdarë në të gjithë Shqipërinë, ku lekët e qeverisë në vend se të shkojnë te rehabilitimi i tyre apo shkaktarët e sëmundjeve shqiptare shkon gjoja te chek-u e byreku. S’mjaftojnë tonat, gjynah mos qoftë na duhen edhe të botës që qeveritarët tanë nuk përtojnë të gërthasin, se mbetjet e importit karamele e bereqet për qeveritarët e të fortit. Dhe vjen një ditë, kur ti o qeveritar do paguash dëmin komunitar. Jeni tallur, duke na rrokanisur mendjen se shqipëria do pastrohet me ardhjen e mbetjeve nga jashtë. Kini luajtur me nervat e këtij populli që qëllimisht e lini fukara, që kur t’i jepni një kothere t’i duket hosana e baraba. Me kohë e dinim që diçka po ndodh me farën shqiptare. Me kohë e dinim që plehrat dhe mbetjet e huaja hynin serbes dhe varroseshin si hajna për tërë natën deri në mngjes. Na duhesh fakti, që dikur dhe dikush të jap hesapin dhe shpagimin e gjëmës që s’kanë rreshtur pa bërë. Dhe fakti tashmë është brenda. Hyjnë 1400 maune me plehra dhe mungojnë 300 të tilla, baras me 600 ton baras me 1200m3, që për nga dëmi dhe ndikimi në shëndet së bashku me ujrat e shiut është sikur të kemi një mal të tërë që gjeneron çdo ditë e çdo orë e çdo minutë e sekondë një të keqe të madhe për shëndetin e banorëve. Dhe më e keqja është se nuk preket një vendi i caktuar dhe mund të ruheshe, por perceptimi negativ se ku e qysh e si përhapet e keqja e këtij garrumbulli plehrash është të sëmurësh edhe mendërisht një komb të tërë. Gjylja ra, mender m.. i botës u shpërnda?! Po tani si do vejë halli, o ju qyterarë. Ta falim edhe kësaj herë, bjerrë po ta shohësh. Ndaj, ç’presim? Të rrokim njeri tjatrin apo t’i tregojmë qeveritarit, se dje me ushta e ushtar për pushtuesit e huaj, sot me ligje e dijetarë për pushtuesit vendas. Tymi bardhë doli, nëse prisni tymin ezi më sakt vdekjet tuaja, flini ende gjumë, por gjumi është i mirë për fëmijën që rritet, dhe jo për popujt, si ky yni, që sa vjen e venitet.
Sigal