Turpi në Shëndetësi, zonat kufitare i bëjnë injeksionet në Maqedoni

Plot 40 Qendra Shëndetësore në rrethin e Librazhdit prej muajit janar 2015 janë pothuajse të mbyllura, për shkak të mungesës së higjenës, ujit, energjisë eklektrike, dhe kushteve të tjera minimale për vizitat e banorëve. Këtë fakt tronditës e pohon edhe drejtori Shëndetit Publik të Librazhdit Bashkim Vasku i cili ka deklaruar se ”kemi 40 Qendra Shëndetsore pothuajse të mbyllura, pasi prej janarit 2015 janë pa energji elektrike dhe ujë, kjo pasi nuk janë paguar detyrimet ndaj OSHEE, problem që ja kemi bërë me dije edhe Ministrisë së Shëndetsisë, dhe kemi marrë përgjigje se do të kemi zgjidhje në muajt në vijim”. Por mungesën e funksionimit të Qendrave Shëndetsore duket se më tepër po e vuajnë 40 mijë banorët e këtij rrethi, pasi ata prej janarit deri sot, nuk kanë një mjek për t’u vizituar, nuk kanë një infermiere për të bërë injeksionet dhe për tu mjekuar. Banorët e fshatrave kufitare thanë se “shpesh ne kemi vajtur në Maqedoni për një vizitë, për një injeksion, pasi na bie më afër rruga andej, sepse Qendra Shëndetsore ka afro 1 vit që nuk hapet, por edhe sikur të hapet ajo është kthyer në banjë publike”. Mungesa e shërbimeve shëndetsore për fshatrat dhe një pjesë e banorëve të qytetit të Librazhdit, është mbajtur deri sot si një e fshehtë e cila nuk duhej të bëhej publike. Por ardhja e shpeshtë e banorëve në Elbasan për një vizitë, apo edhe vajtja e banorëve të fshatrave kufitare në ambulancat dhe spitalet e Maqedonisë, mbetet një turp i madh. Mbetet një turp për Ministrinë e Shëndetësisë e cila duhej të kishte paguar detyrimet ndaj OSHEE dhe Ujësjellësit të Librazhdit dhe duhej të mos lejojnte mbylljen dhe kthimin në banjo publike të 40 Qendrave Shëndetësore. Mbetet një turp i madh i Ministrisë Shëndetësisë fakti që qindra banorë të fshatrave kufitare me Maqedoninë në rrethin e Librazhdit, të shkojnë atje për një vizitë apo injeksion, kur Qendrat Shëndetsore i kanë në qendër të fshatit. Dikush duhet ta mbajë përgjegjësinë e mbylljes së 40 Qendrave Shëndetsore në Librazhd, pasi banorët nuk mund të pranojnë mungesën e shërbimeve mjekësore, ata nuk mund të shpenzojnë para për të vajtur qoftë në Elbasan apo Maqedoni, kur shteti ka shpenzuar miliona për ndërtimin e tyre. Por duket se nuk ka gjasa që të paktën deri nga dhjetori 2015 ky problem të marrë rrugën e zgjidhjes, dhe deri atëhere 40 mijë banorët e rrethit të Librazhdit, për mungesën e Qendrave Shëndetsore, do t’u duhet të marrin shërbimet mjeksore ose në Elbasan ose në Spitalet dhe Ambulancat e Maqedonisë. 
Sigal