Trupi i minorenes së mbytur në lumin Buna ende i pagjetur/ Flet i ati: S’dinte not, e mori rrjedha e lumit

220
Sigal

Një ngjarje e rëndë ajo që ndodhi sot në lumin Buna, ku një vajzë 13-vjeçare u mbyt.

E mitura kishte shkuar bashkë me familjen për t’u larë. Por ajo çka është më e rëndë është fakti që trupi i vajzës nuk është gjetur akoma.

Ndërkohë policia dhe polumbarët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të pajetë, por deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka folur edhe babai i vajzës. Ai tha se tre fëmijët e tij kanë shkuar të lahen në lumë bashkë me një tjetër person, por nuk e di saktësisht se si është mbytur e bija, duke u shprehur se ajo nuk ka ditur mirë not.

“Erdhën për t’u larë. Nuk ka ditur notin, tamam saktësisht nuk di të them. E ka marrë rrjedha e lumit. Jam pa fjalë. Ishin tre fëmijet, dy vajzat dhe djali. Nuk kam çfarë të them. Nuk kanë ardhur shpesh për t’u larë në këtë zonë. Kanë qenë të tre dhe një person tjetër, por saktësisht nuk mund ta them,” tha i ati.