Nga Vepror Hasani
Tregtarët e tregut ambulant të qytetit të Pogradecit nuk po munden t’u mbijetojnë vështirësive ekonomike. Prej gati dy muajve janë të papunë sepse tregu u mbyll, që nga ajo ditë asnjë qindarkë nuk hyn më në familjet e tyre, sigurimi i bukës së përditshme është bërë i vështirë, çdo ditë që kalon, jetesa bëhet e pamundur, ndërsa çelja sërish e tregut nuk dihet kur mund të ndodhë; për të gjitha këto arsye i kërkojnë qeverisë t’u jepet Paga e luftës. Kërkesa iu drejtua kryetarit të Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, i cili u premtoi kthim të shpejtë të përgjigjes. Aktualisht nuk dihet nëse përgjigjja do të jetë pozitive ose jo.
Kemi paguar taksat për 30 vjet
Tregtarët ambulantë të qytetit të Pogradecit ushtrojnë aktivitetin e tyre në një vend të caktuar me lejen e Bashkisë, por me qenë se të ardhurat që siguronin ishin të vogla, nuk u pajisën me NIPT, nuk mundën të paguanin as sigurimet shoqërore dhe as ato shëndetësore, por siç shpjegojnë ata, për 30 vjet me radhë kanë qenë korrekt me pagesën e taksave të Bashkisë, ndaj tani radhën e ka qeveria të paguajë për ta. “Që nga dita që nisëm të qëndrojmë në shtëpi kemi mbetur pa lekë, po marrim borxhe, por nëse do të vijojmë të mbetemi në këto kushte, askush nuk do të na ndihmojë më. Edhe kur punonin te tregu, arrinim të siguronin vetëm jetesën e përditshme, por jo më shumë se kaq, ishte e pamundur të vinim një lek mënjanë për një ditë te keqe, ndaj sot jemi pa asnjë shpresë. Tregu u mbyll që të mos kishte grumbullim të njerëzve dhe shumë mirë u bë, por Bashkia dhe qeveria tashmë duhet të mendojnë edhe për ne, të na japin pagesën e dy muajve sepse, edhe me rregulla më të forta, besojmë që puna do të fillojë në muajt në vijim. Megjithatë falenderojmë kryetarin e Bashkisë i cili na mirëpriti dhe u tregua i vëmendshëm ndaj kërkesave tona. Për prezantimin e hallit të tyre, në takimn me kryetarin mori pjesë një përfaqësi e tregtarëve ambulantë. Tashmë do të jenë në pritje të përgjigjes.
Nëse përgjigjja është negative
“Nëse përgjigjja që do të na japin do të jetë negative, atëherë jeta jonë do të mbetet në udhëkryq, sepse ne nuk jemi zanatçinjë, nuk zotërojmë ndonjë zanat tjetër, e kemi të pamundur të punësohemi gjetkë. Të papunë i kemi dhe anëtarët e tjerë të familjes, ndihmë ekonomike nuk marrim. Tregu ynë nuk ka as kushtet më minimale, çfarë bie jashtë, bie brenda, malli që trëgtojmë është i rrezikuar nga lagështia. Nga paketa e parë nuk përfituam gjë, tashmë shpresat kanë mbetur te paketa e dytë, nuk jemi në dijeni çfarë përmban kjo paketë, po shpresojmë që brenda saj të jemi edhe ne tregtarët ambulantë. Megjithatë ne do të vijojmë ta kërkojmë me këmbëngulje Pagesën e luftës, sepse nuk po kërkojmë asgjë më shumë veçse bukën e luftës, të cilën nuk kemi ku ta sigurojmë”, – pohuan tregtarët. Numri i tregtarëve ambulantë është i madh aq sa kur iu drejtuan Bashkisë për të kërkuar pagën e luftës, u desh ndërhyrja e policisë bashkiake që tregtarët të mos bëheshin të gjithë bashke dhe të ruanin distancën nga njëri-tjetri.
Tregtarët të trembur
Megjithatë tregtarët ambulantë të Pogradecit, sërish janë të trembur pasi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim të saj në shtyp, për të gjithë ata që kërkojnë Pagën e luftës, thuhej: “Është e rëndësishme që kërkesa/ankesa e dërguar nga individët duhet të përmbajë NIPT e subjektit në të cilin është i punësuar dhe ka aplikuar, si dhe NID përkatës të individit, ndërkohë që tatimpaguesi në kërkesën/ankesën e tij duhet të vendosë NIPT-in e subjektit”, por tregtarët ambulantë të pogradecit nuk kanë NIPT, ndaj nuk i dihet si do të zgjidhet halli i tyre.