Hyqmet Zane: Ku t’i kërkoj rrënjët e tua të tradhëtisë?

 

“Kur bariu e lë vathën hapur, ujku dasëm bën” – popullore

Sigal

 

“Aallallah o rrezil e katil allallah!

Shtroni udhët me hithër e shtog turfanda…

Gumëzhit o zinxhir e kamxhik turfanda.

Lehni laro kaba Hosana baraba”!

Kështu do të shkruante Fan S. Noli te “Marshi i Bar,abait” që m’u kujtuan linkthi sapo dëgjova kryeministrin fatkeqësisht të panderuar të vendit tim, që fliste aq tradhëtisht para kryeministrit Micotaqis në Himarë. Janë vargjet më tipike, që tipizojnë një njeri, që meriton vetëm urrejtjen jo thjesht të Nolit, por të shpirtit të një populli që e do lirinë si jeta dhe drejtësinë si Perëndia.

O Zot- thashë me vete, ky është ai kryeministri me emrin po Edi Rama, që disa vjet më parë në një takim në Edinburg të Skocisë i kërkoi reciprocitet kryeministrit të asaj kohe, kur ky i fundit i kërkoi të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Me fjalën “reciprocitet” Edi Rama nënkuptoi të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë që u janë mohuar për 78 vite me rradhë.

Në Himarë Edi Rama kryeministër bashkë me Vangjel Dulen, pikërisht me atë që në parlament i tha prerë se “Çamëria është çështje ndërkombëtare dhe jo Himara” dhe sot me sjelljen e tij dhe me fjalët që tha u bë palë me atë që Himara po konsiderohet si një tokë greke, kur ajo është një tokë shqiptare me emër dhe lashtësi. Me sinqeritet e kam përshëndetur kryeministrin tonë Rama kur në një televizion SKY në Athinë tha e çfarë nuk tha për problemin çam! Kërkoi gjithëçka për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë dhe më pas si me “magji” gjithçka u shua deri në absurdin e mospërmendjes së fjalës “çam dhe Çamëri” në asnjë protokoll zyrtar dhe në asnjë rrethanë.

Çfarë emri duhet t’i ve kësaj? Tradhëti apo pabesi? Ndoshta të dyja. Ndaj dhe dua të shtoj se ku duhet t’i kërkoj rrënjët e kësaj sjellje të një kryeministri shqiptar, që i vjen homologu grek në shtëpi dhe i kërkon që të respektojë të drejtat e minoritetit, t‘u japë atyre pronat, që ata të jenë të gatshëm për të bërë fushatë ortodokësie dhe helinizimi dhe ky i gjatë 2 metra pa pikën e nervit shqiptar t’i bëjë hosanara në një pritje të atillë, që nuk ka pikën e diplomacisë dhe të reciprocitetit.

A ka njohuri ky kryeministër, që fatkeqësisht quhet shqiptar se çfarë historie ka Himara siç e ka thënë më mirë se kushdo shkrimtari himariot Petro Marko? se “Gjaku i himariotëve është shqiptar”? Ku i ke ata këshilltarët e tu pervers, që janë thjesht patronazhistë të së këqijave dhe ti: kryepatronazhisti i madh i paudhësive dhe jo i të vërtetave historike.

Ku shkoi ai fjalimi yt patriotik në mes të Athinës në një televizion publik para disa vjetësh dhe çfarë gjëje të bëri ty të tërhiqeshe në llogoren e shërbimeve më të mira ndaj grekëve që të mos kërkosh të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi. Nëse nuk e di mësoje se që nga 1919-ta kur u vendos padrejtësisht kufiri ndaj fshatrave shqiptarë në identitet, që i mbetën Greqisë dhe fshatrat ku banojnë minoritarë në tokat e bejlerëve të Jugut dhe sot kryeministër pas kryeministri grek apo çdo zyrtar tjetër që vjen në Tiranë kakarisë greqisht me kërkesat e tyre… Dhe t’i o kryeministër pa din, pa fe, pa iman hesht si guak. Ku të ka kapur greku a derëzi ?

Më zhgënjeve para ca vitesh, jo se kisha ndonjë besim tek ti, por mendova se mos një dell shqiptari të kishte mbetur në trupin tënd. Ti takove si kryeministër djalin e një kryeministri grek dhe i lëshove poturret e tua në tokë, ndërsa një kryeministër tjetër si Aleksandër Meksi me dinjitetin e tij dhe formimin ,që kishte ia përplasi në fytyrë të atit Micotaqis, që u tërbua nga krenaria e një kryeministri shqiptar edhe pse ortodoks, por që në deje ka gjak shqiptari. Kurse ti do i ngresh bust atij në mes të Himarës. Ku- kuja. Ndërsa ministrja jote e jashtme para homologut të saj grek bën Hirushen dhe ai akuzon shqiptarët e Çamërisë pa iu dredhur qerpiku se ai e di që ju e bëni mirë punën e renegatit. Ku- kuja.

Nuk do bëje keq që në krah të bustit të Micotaqësit baba, të ngrije dhe bustin e kriminelit Napoleon Zerva si nderim ndaj krimeve të padënuara ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe një ditë grekët të thonë se ne kemi këtu personalitetet tanë. O kryeministër rrenegat, kërkoi homologut tënd grek që ti e fton të vijë përsëri të vizitojë Himarën dhe fshatrat minoritare, që për reciprocitet të bësh një vizitë takimesh në qytetet e fshatrat e Çamërisë ku flitet ende shqip, të takosh e bashkëbisedosh me bashkëkombasit shqiptarë ortodoksë që kanë mbetur si në harresë. Reciprocitetin e ka kërkuar Naltmadhnia e tij Ahmet Zogu, Mbret i Shqiptarëve më 1935 dhe në atë kohë në Çamëri u hapën shkolla dhe u mësua shqip dhe u lejua flamuri shqiptar, kurse ti u mbulove me flamurin e turpit grek në vendin tënd.

O Zot, ndihmoje të mjerin njeri që të heshtë e të mos flasë kur nuk ka gjë për të thënë. Turp dhe krim për atë Zot që një ditë para atij Zoti do të japësh llogari për të këqijat dhe ligësitë, po aq edhe për tradhëtitë që i ke bërë kombit tënd në këta 10 vite qeverisje si ndaj Kosovës në bashkëpunim me Vuçiçin dhe Çamërisë e Shqipërisë për bashkëpunimin me pabesinë greke. Unë djali i një ish të internuarit në kampet e shfarosjes në Mathausen dhe Dakao të kallzuar nga grekët të bëj thirrje të tregosh një herë se je bir shqiptari, që unë biri i një antifashisti si shumë e shumë çamë të tjerë të shohim shtëpitë e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë.