Tre minatorët u asfiksuan nga gazi në Martanesh, procedohet njërin prej tyre, ishte duke salduar

47
Sigal

Një ditë pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme në Minierën e Martaneshit në Bulqizë, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit u asfiksuan tre minatorë, policia ka nisur hetimet për një prej tyre.

Bëhet fjalë për Shyqyri Elezin, 53-vjeçarin i cili ka qenë duke salduar në momentin kur ka ndodhur incidenti.

Sipas policisë ai do të hetohet për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Në vijim të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, ku në një galeri në Batër të zonës Martanesh, mbetën të asfiksuar disa punëtorë, në përfundim të veprimeve të para hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin SH. E., 53 vjeç, banues në Klos, për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Përveç Elezit, ditën e djeshme u asfiksuan edhe dy persona të tjerë të cilët shkuan në ndihmë të tij.

Ata ndodhen në gjendje më të stabilizuar mjekësore, ndërkohë që 53-vjeçari u transportua me helikopter drejt QSUT-së për një ndihmë më të specializuar mjekësore.