Transport emigrantësh mes kufirit, tre në pranga mes tyre edhe një vajzë

290
Sigal

Tre persona, mes të cilëve edhe një vajzë nga Cërriku, janë vënë në pranga nga Policia e Korçës, pasi ndihmonin emigrantë të paligjshëm për të kaluar kufirin kundrejt pagesës. Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i tre personave është kryer në flagrancë. Ata janë ndaluar në aksin rrugor Maliq-Lozhan, kur transportonin me dy automjete drejt Tiranës tre shtetas të huaj, kundrejt një pagese prej 150 euro për secilin. Mësohet se emigrantëve u ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Tre personat e arrestuar janë: Xh. Sh., 24 vjeç, banues në Fushë-Milot, K. T., 23 vjeçe, banuese në Cërrik dhe S. M., 39 vjeç, shtetas sirian, me banim të përkohshëm në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.