Trajleri përmbyset në mes të autostradës, krijohen radhë të gjata makinash. Policia apel shoferëve

186
Sigal

Një trajler është përmbysur në autostrdaën Kavajë-Durrës, në dalje të Kavajës. Policia njofton se si pasojë e përmbysjes janë shkaktuar dëme të shumta materiale, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Po ashtu raportohet se është bllokuar qarkullimi i mjeteve dhe për pasojë janë krijuar radhë të gjata makinash në këtë aks. Si rezultat policia apelon të gjithë qytetarët që vijnë nga jugu në Tiranë të përdorin rrugën Rrogozhinë –Elbasan-Tiranë ose rrugë dytësore alternative.

“Nisur nga fakti se trajleri është i tonazhit të rëndë dhe për ta lëvizur nga rruga duhet kohë, pasi po shkon në vendngjarje një mjet i tonazhit të rëndë, Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që duan të qarkullojnë në drejtim të Tiranës, të përdorin rrugën Rrogozhinë –Elbasan-Tiranë ose rrugë dytësore alternative”, apelon policia.

Shërbimet e Policisë janë në detyrë dhe po punojnë intensivisht për zhbllokimin e rrugës dhe për të orientuar drejtuesit e automjeteve për të qarkulluar në rrugë alternative dytësore ose në rrugën Rrogozhinë-Elbasan-Tiranë.