Tragjedia në familjen Josifi, në kërkim një pastor

327
Sigal

Hetimet për tragjedinë me dy viktima në Kombinat janë duke u kryer nga Policia Kriminale dhe prokuroria. Kjo e fundit, bazuar në disa të dhëna që janë përfshirë në dosjen e Policisë ka detajuar veprimet proceduriale.

Por, më shumë se provat në vendngjarje pritet të hidhet dritë mbi tragjedinë nga dëshmitarë, që kanë pasur dijeni për çfarë bënin Zhaneta, Anisa dhe Blerta Josifi jo vetëm kur jetonin në Përmet, por edhe më pas në Tiranë.

Sipas grupit hetimor që përbëhet nga një prokuror dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore janë 16 persona si dëshmitarë të kësaj tragjedie, mes të cilëve familjarë të viktimave, pjesëtarë të kishave, dhe pastor.

Gjithashtu, një pastor është shpallur në kërkim. Policia nuk e bën publik emrin e pastorit në kërkim, por shton se bëhet fjalë për pastorin me të cilin Anisa dhe Blerta Josifi janë përfshirë në një konflikt kur frekuentonin rregullisht Kishën Ungjillore në Tiranë.

Edhe pse emrat e dëshmitarëve të tragjedisë nuk bëhen publik, burimet shtojnë se shumë prej tyre janë të afërm të Zhanetës dhe dy motrave Anisës dhe Blertës.

Ndërkohë, burimet bëjnë me dije edhe një tjetër fakt, sipas të cilit pritet të sekuestrohen të gjitha dosjet e anëtarësisë së Kishës Ungjillore dhe Dëshmitarëve të Jehovait. Nga të dhënat zyrtare vetëm në Tiranë Kisha Ungjillore ka 70 kisha, tek të cilat pritet që hetuesit të mbërrijnë me urdhër sekuestro të dokumentacionit.

Ndërkohë, në dosje si rrallë herë është përfshirë edhe një dokument nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky institucion ka reaguar në lidhje me tragjedinë e familjes Josifi në Kombinat që çoi në vetëflijimin e një nëne dhe vajzës së saj, ndërsa vajza tjetër ka qenë për disa orë në rrezik për jetën, por që tashmë e ka kaluar.

Komisioneri në dokument mbështet hetimet e Prokurorisë së Tiranës  dhe apelon institucionet, njerëzit me profil publik por edhe kompanitë mediatike të trajtojnë këto ngjarje me ndjeshmëri të lartë publike e me seriozitet. Ai ka theksuar se duhet të raportohet me standardet e kodit të etikës dhe vetëpërmbajtje në mos diskriminimin e komuniteteve fetare, me etiketime që cënojnë dinjitetin e njeriut dhe besimin fetar.