Tiranë, sherr e dhunë mes kunatave, Gjykata i urdhëron: Mos i flisni njëra-tjetrës

428
Gjykata e Tiranës ka lëshuar një urdhër mbrojtjeje ndaj një 52- vjeçareje, e cila ndihej e kërcënuar dhe e rrezikuar nga dhuna fizike e psikologjike e kunatës së saj 46­-vjeçare, me të cilën ndante të njëjtën banesë.
Sigal

Në urdhrin e mbrojtjes, të miratuar disa ditë më parë, gjykata e detyron të paditurën N. M., bashkëshorte e vëllait të 52-­vjeçares, të mos kryejë asnjë veprim dhune ndaj saj. Po ashtu ajo duhet të mos e kërcënojë, të mos komunikojë, të mos i afrohet pjesës së banesës ku banon paditësja dhe të mos i afrohet asaj në distancë më të afërt se 50 metra, shkruan Panorama.

Sipas gjykatës, “molla e sherrit” mes dy kunatave ishte qëndrimi i tyre në një shtëpi të përbashkët. Për shkak të pamundësisë së palëve për të blerë një shtëpi tjetër ku të jetonte paditësja, gjykata e vlerësonte si të domosdoshëm urdhrin e mbrojtjes.

Sipas 52-­vjeçares S. M., konflikti i vazhdueshëm mes të dyjave kishte kulmuar në dhjetor të vitit të kaluar. “Unë po rregulloja shtëpinë dhe hodha sheqer në dhomë, se ashtu e kam zakon. Vjen e paditura, që është kunata ime, dhe më thotë me ironi se do të ëmbëltohemi. Unë i thashë se ‘unë me ty nuk ëmbëltohem kurrë’. E paditura filloi të fshijë sheqerin, duke më sharë dhe ofenduar”, ka pohuar S. M. para gjykatës.

Më tej ajo ka shpjeguar se pjesë e dhunës ndaj saj janë edhe mbesa dhe nipi, të cilët e fyejnë. “Në këto kushte, kur e paditura më dhunon, ndihem e rrezikuar, pasi kam dhe shenja në trup, të cilat i kam filmuar dhe me celular”, ka pretenduar S. M. 

Dhunë e ndërsjelltë
Gjatës seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë gjykata ka pyetur paditësen se përse nuk ka denoncuar dhe shkuar te mjeku ligjor për të dokumentuar dhunën. Në këtë moment e paditura është shprehur se pas ngjarjes janë ekzaminuar te mjeku, por, sipas saj, ai e kishte parë të arsyeshme të mos lëshonte akt­-ekspertim mjekoligjor, pasi nga të dyja palët kishte dhunë të ndërsjellë. Sipas vendimit, gjatë gjykimit të dyja kunatat kanë sjellë prova kundër njëra­tjetrës, duke e akuzuar njëra-­tjetrën për dhunë psikologjike dhe fizike.