Tiranë / Sekuestrohen 763 celularë të kontrabanduar, arrestohen dy vëllezërit dhe administratorët e dyqaneve

106
Sigal

Katër persona janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë për kontrabandë celularësh.

Mësohet se në pranga janë vënë dy vëllezër, të cilët kontrabandonin celularët si dhe dy administratorë të dyqaneve që shisnin celularët e kontrabanduara. Po ashtu këta dy vëllezër ishin dhe pronarë të pesë dyqaneve, por që i kishin në emrat e familjarëve të tyre për të shmangur detyrimet tatimore.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Avoid”.

Sekuestrohen 763 aparate celulare të kontrabanduara. Vihen në pranga 4 shtetas. -Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që tregtonin aparate celulare të kontrabanduara, në 5 subjekte (dyqane), të cilat i kishin regjistruar në emër të familjarëve të tyre, për të shmangur detyrimet tatimore. -Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë që administronin 2 prej dyqaneve.

Shpallen në kërkim 2 shtetas që administronin 2 dyqane të tjera. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të kontrolleve të dedikuara, në subjekte të ndryshme tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, pas informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, se dy shtetas tregtonin në dyqanet e tyre, aparate celulare të kontrabanduara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Avoid”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: F. K., 38 vjeç dhe E. K., 33 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë, pronarë të 5 dyqaneve për tregtimin e celularëve; D. M., 38 vjeç dhe I. B., 25 vjeçe, administratorë të 2 prej këtyre dyqaneve, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratorët e 2 dyqaneve të tjera, shtetasit F. I., 37 vjeç dhe R. M., 45 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se vëllezërit F. K. dhe E. K., për të shmangur detyrimet tatimore, i kishin regjistruar dyqanet për tregtimin e celularëve, në emër të të afërmve të tyre. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto dyqane, më rrugët “Hoxha Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe në “Rrugën e Durrësit”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 763 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.