Themie Thomai: E kisha menduar, që kur të largohesha nga ajo karrige

1076
Bashkim Koçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Në shumicën e rasteve të qenit “shef” i mirë do të thotë të angazhuarit e njerëzve të talentuar në një fushë të caktuar. Mund të na sillni “të talentuarit”, specialistë, kuadro drejtuese, njerëz me përvojë të çmuar në bujqësi me të cilët punoi Themie Thomai?

Nuk e kam menduar as edhe një herë që unë në karriken e Ministrit të detyroja vartësit të vepronin sipas mentalitetit “të bëhet ashtu si them unë”. Shembulli, kam dëgjuar të thuhet nga një i mençëm, nuk është gjëja kryesore për të influencuar tek të tjerët. Është e vetmja gjë. Në këtë kuptim më është dashur të jem vetë në krye të të gjitha punëve që kërkonin edhe autoritetin e ministres. Kur je në pozicione të larta drejtuese ndeshesh me një rrezik të madh, atë që të vijnë rrotull servilët, njerëzit pa moral, ata që janë të vështirë për t’i larguar. Në këtë çka po them kam qenë shumë e vëmëndëshme, nëmos e papërfillëshme, duke i injoruar si karaktere të pështirë. Në metodën e punës sime kam patur lidhje të vazhdueshme me bazën, më njerëzit që drejtonon e prodhonin produkte bujqësore. Kudo ku ishin, në Ndërmarrje Bujqësore apo kooperativë, në zona fushore apo në ato malore. Kjo më jepte mundësinë që të kontaktoja me kuadro e specialist të zotë, me njerëz që të frymëzonin për kapërcimin e vështirësive që na dilnin në çdo hap. Këta burra e gra të mrekullueshëm i kam takuar në NB e Krujës, në “17 Nëntori” të Tiranës, “29 Nëntori” në Lushnjë, NB “Çlirimi” në Fier, NB Vrina në Sarandë, NB Maliq të Korçës, NB Lezhë, në të gjithë vendin, pa përjashtuar asnjë. Po kështu edhe kuadrot e specialistët e koperativave bujqësore si ajo Dajçit në Shkodër, e Divjakës dhe Krutjes në Lushnje, Cakranit dhe Semanit në Fier, Lapardha, e Poshnjë në Berat etj. E kam shkelur vendin nga veriu në jug, cep më cep. Për këtë ndjehem mirë sepse më lumturon jo vetëm puna dhe rezultatet që u arritën, por më shtuan pa masë, jashtëzakonisht shumë numrin e miqve e të shokëve. Ata më bënin me plot besim, më shtonin optimizmin për të kapërcyer pengesat që i dilnin bujqësisë përpara. Të mos harrojmë që bujqësia, ashtu si të gjitha degët e tjera të ekonomisë ishte e centralizuar. Punëve të mëdha u bëhet ballë me oganizim dhe duke aplikuar mendimin shkencor. Bujqësia është shkencë, është art ndaj kërkon të ndërthuren të gjithë faktorët, qofshin ata njerëzorë, qofshin ata që kanë të bëjnë më rolin drejtues të kuadrove dhe mendimit progresiv të specialistit. Unë kam luftuar gjatë gjithë kohës për të qënë sa më objektive, sa më realiste dhe e natyrshme në raportet që krijoheshin midis pozicionit më të lartë, siç ishte ai i ministrit dhe bazës, kuadrove dhe specialistëve në NB e kooperativa bujqësore. Kurrë nuk e vuri Themie Thomai karrigen ministrore për përfitime personale, për karrierë a kudi çfarë. Atë vend, atë pozicion të lartë e kam përdorur për të qenë një bashkëpunëtore dhe dëgjuese shumë e mirë e mendimeve të ndryshme, në takime direkt ose indirekt me njerëzit e thjeshtë. Mendoj se për mua ka qenë një privilegj, nëmos fat që të punoja e të bashkëpunoja me këta njerëz të ditur e të përkushtuar. Të gjithë së bashku bëmë aq sa dinim dhe aq sa mundëm.

Të qënit në pozicionin e lartë të Ministres së Bujqësisë Ju arritët të bënit atë që duhet, pavarësisht nga rrjedhojat personale, pavarësisht nga pengesat, rreziqet dhe presionet që kini patur. Mund të na sillni diçka, ngjarje apo kujtime tuajat, nga vitet që punuat si ministre?

Ndjehem e privilegjuar që kam qenë Ministre e Buqjësisë 13 vjet. Kjo kohë më ka dhënë mundësinë të bashkëpunoja ngushtë me elitën e specialistëve e bujqësisë dhe punonjësve me përvojë e arritje të shkëlqyera në prodhimin e gjerë. Natyrisht është e kuptueshme që të ndryshojë bujqësia e një vendi nga ekstensive të atë intensive, e vendosur mbi baza shkencore, ka dashur supersakrifica. Në sektorin e bujqësisë u futën njësitë e mekanizuara në zonat fushore. Në sektorin e punimeve u rritën sipërfaqet e mbrojtura me plasmas ose me xham, me dhe pa ngrohje. Në blektori u ndërtuan komplekset blektorale për prodhimin e vezëve dhe të mishit. Në sektorin e frutikulturës u krijuan blloqe frutore me sipërfaqe të mëdha si ishte Lukova në Sarandë, plantacionet me ullinj në Berat, me mollë në Korçë e Peshkopi, plantancionet me vreshta si ato të Shkodrës, Tiranës, Lushnjes e gjetkë. Të gjitha këto dhe masa të tjera të rëndësishme si fuqizimi i gjithë infrastrukturës dhe rritja e mekanizmit nëpërmjet SMT, ndërmarrjeve të bonifikimit, drejtoritë e ujrave, Drejtoritë e Furnizimit Materiale Teknike, dy kombinate të mëdha për prodhimin e plehrave azotike në Fier dhe ai i Superfosfatit në Laç janë investime të mëdha, të jashtëzokonëshme. Natyrisht bujqësia donte edhe më shumë për të shfrytëzuar gjithë potencialet e resurseve natyrorë dhe ato njerëzore.

Bujqësia, siç dihet është sektor mjaft i vështirë. Ka një thënie, e cila ka dalë nga praktika: Nëse doni që diçka të realizohet shkoni vetë, nëse nuk doni, dërgoni të tjerë. Ju si kini vepruar në punën tuaj, u ka rënë rasti që “gomarin e nxjerr i zoti nga balta”?

Në në themel të punës sime ka qenë shembulli personal. Ish bashkëpuntorët e mi e dinin që unë vetë, në çdo rast, qëndroja në krye të aksionit apo të fushatave të cilat ndiqnin njëra tjetrën gjatë gjithë vitit. Ne thoshnim shpesh atëhere, se nga 12 muaj që kishte viti, bujqësia përballonte 13 fushata. Në këtë kuptim drejtuesi në bujqësi rritet, nuk bëhet. Dhe që të rritet i duhet lënë hapsirë për të vepruar, t’i jepen kompetenca që të mund të “trimërohet” për të gjetur çelsin e suksesit. Por, meqë është fjala tek bashkëpunimi, tek mjeshtëria për t’i bërë punët së bashku, më duhet të sjell këtu një thënie nga i madhi Ajshtajn. Shpirtrat e mëdhenj, ka thënë ai, gjithmonë janë kundërshtuar nga mediokrit. Këta të fundit nuk mund ta kuptojnë kur një person nuk i nënshtrohet paragjykimeve të trashëguara dhe përdor me kurajë inteligjencën e tij. Ҫka më duhet të them me këtë. Dikasteri që unë drejtova, të gjitha hallkat nga baza në qendër, nuk la shtigje të depërtonin mediokriteti, madje lamë hapësira për të aplikuar mendimin e përparuar, për të vënë në efiçencë inteligjencën e njerëzve të ditur. Gjithmonë kam qenë e prirur për të kontrolluar një më një detyrat që dilnin nga dikasteri. Pra, për të qënë e sinqertë, i qëndroja shumë fjalës së urtë që ka dalë nga populli: beso e kontrollo. Kjo nuk do të thotë të mos kesh besim tek vartësit. Përkundrazi, është vlerësim, është edhe seriozitet për të mos i lënë punët në mes rrugëve. Që t’i bie shkurt, unë kam punuar shumë si individ, si ministre, por besoj se kam koordiduar punët mirë edhe me vartësit. Mirë apo keq, përgjegjësitë i kemi patuar bashkë. Nisur nga kjo pikëpamje gjithmonë kam menduar që kur të largohesha nga kjo karrige të më mbretej emri Themie, e barabartë midis të barabartëve. Sepse në fund të fundit unë kreva një detyrë që më kishin ngarkuar.

Nëse njerëzit do të dinin sa shumë duhet të bënin për të arritur suksesin, shumica e tyre nuk do t’i hynin asaj rruge. Ju, zonja Themie, togfjalëshi “sa shumë duhet të bëje për të arritur suksesin” u bëri ndonjëherë pishman përse iu futët asaj rruge?

Bujqësia është një degë sa e rëndësishme, po aq e vështirë për ta drejtuar, për të arritur e të realizuar të mirat e domosdoshme për popullin. Ky sektor nuk varet vetëm nga dija, nga potencialet shkencore e organizative, por edhe nga kushtet atmosferike. Këtë vështirësi unë e dija fare mire, por vendosa të punoj me këmbëngulje, pa u tërhequr. Mu’ desh të thyeja konceptin se kjo detyrë, mund të përballohej vetëm nga një burrë. Të mos them tjetrën që isha vetëm një vajzë 31-vjeçe. Por këto dy “disfavore” nuk mund të më mposhtnin dot, sepse unë vija nga një pozicion po aq i vështirë, nga ai që prej 10 vjetësh kiasha drejtuar kooperativën më të madhe e më të suksesshme në shkallë vendi, siç ishte Krutja. Favori tjetër ishte se unë po shkoja në dikasterin që deri atëherë ishte drejtuar nga një personalitet i madh, siç ishte Piro Dodbiba. Por këto çka thashë nuk vlenin, nuk bënin fajde sepse duheshin rezultate konkrete. A mund të vazhdonte që bujqësia të mbetej në kushte ekstensive, të praktikoheshin metoda të vjetra? Për këtë u bë një plan, u mendua gjatë si të veprohej. Së pari, u morën masa për forcimin e institucioneve të degëve më të rëndësishme. Fjalën e parë duhet ta thoshnin specialistët dhe shkencëtarët tanë të talentuar, të cilët, për të qenë të vërtetë, punonin me një përkushtim të jashtëzakonshm. Ata përbënin armatën e punonjësve të institucioneve shkencorë si Instituti i Kërkimeve të Lushnjës që krijonte dhe adoptonte lloje grurërash me prodhimtari të lartë; Instituti i Veterinarisë dhe i Zooteknisë nga të cilët u arrit të çrrenjosur të gjitha vatrat e sëmundjeve të kafshëve. Ky i fundit punonte vazhdimisht me përmirësimin rracor dhe rajonizimin e blektorisë sipas zonave. Po kështu punuan institutet: i faragjeve, i perimeve dhe i frutikulturës. Duke menduar se pyjet zinin një sipërfaqe të madhe dhe me interesa goxha të të rëndësishme për vendin, përpos drejtorisë së përgjithshme, që funksinonte në M. Bujqësisë, u ngrit dhe Intituti Shkencor për Pyjet. Ky sektor, me një rol të madh në ekosistem, por edhe në zhvillimin e industrisë së drurit, bënte të domosdoshme vëmendjen dhe përkushtimin për ta zhvilluar më tej.

Femrat janë si gjeneralët: atyre nuk u intereson ç’humbje u ka kushtuar një fitore. Ju, sigurisht, kini qënë e suksesshme, por mund të na thoni “humbjet”, ç’sakrifikuat në karierën tuaj?

Siç kam thenë edhe më lart gjatë periudhës që kam qenë në krye të M. Bujqësisë kam pasur arritje dhe, sigurisht, këto arritje më kanë motivuar për të ngritur bujqësinë në standarte moderne. Por nuk ishte e mundur që të gjitha të shkonin siç e planifikoja, ashtu siç edhe dëshiroja. Më duhet të flas hapur dhe me zemër në dorë. Goditje e madhe, e pariparueshme dhe që e pesuam të gjithë si popull, ka qenë tufëzimi i blektorisë të oborrit kooperativist. Nuk mundëm ta ndalnim dot këtë marrëzi. Unë personalisht nuk kam qenë dakord, por kjo qe po them nuk i vlen kujt. Një drejtues në nivele të larta, siç isha unë, duhet të ketë kurajën të veprojë kundër këshillës së “ekspertëve”. Unë, duke e njohur shumë mirë gjendjen e fshatarësisë nuk kishte arsye që të isha dakort me direktivën e “filozofëve” të PPSH. Tufëzimi solli katastrofën. Populli u kthye nga prodhues në konsumator. Po sjell vetëm një shembull: nga 12, 500 ton qumësht që prodhonte oborri kooperativist, ra në 1500 ton. U bë një hata, apo jo! Përsa i përket karrierës dime nuk kam humbur asgjë, përkundrazi. Të merresh me buqjësinë është sakrificë dhe unë e kam sakrifikuar pjesën më të bukur të jetës time. Ia fala bujqësisë, pasionit për të cilin edhe u përpoqa shumë. Eshtë në nderin tim, të moralit tim që të deklarohem se këtë punë të vështirë e me shumë përgjegjësi ma kanë lehtësuar bashkëpunëtorët, të gjithë specialistët e drejtuesit e Ministrisë, duke mos harruar ata të institucioneve shkencorë dhe të ekonomive bujqësore në mbarë vendin. Kam dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, të dy të mrekullueshëm. Por me mamanë, me nënën e tyre, kanë ndenjur shumë pak. Me fëmijët, me shtëpnë, me të gjitha detyrimet që ka një familje e rregullt është marrë bashkëshorti, i cili është një mjek i talentuar. Ai më ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Në punën time kam pasur mbështetje pa kursim të familjes sime, i jam përjetë mirënjohëse dhe gjej rastin ta falenderoj për këtë mbështetje që më kanë dhënë.

Sipas statistikave zyrtare bujqësia shqiptare ka rënë shumë, ka degraduar. Madje një specialist i mirënjohur ka shkruar një libër të titulluar “Fshatarësi e tradhtuar”. Do të ishte në interes edhe për lexuesin se cili është mendimi i ish-Ministres të suksessshe të Bujqësisë, Themie Thomai?

Tani struktura e bujqësisë ka ndryshuar dhe ka më shumë një zhvillim specifik. Toka që është baza e bujqësisë është keqpërdorur, po trajtohet keq. Ne jemi shtet që kemi pak tokë për frymë. Mirëpo edhe pse kemi këta tregues negativë, sipërfaqja e tokës bujqësore nga viti në vit po zvogëlohet. Kapaciteti i kullimit dhe i ujitjes, duke abandonuar rrjetin e kullimit dhe të ujitjes, ka marrë të tatëpjetën. Mendoj që institucionet shkencore duhen të ngrihen nga ana medodike për të udhëhequr studime e projekte të zbatueshme, duke iu përshtatur ekonomisë së tregut. Buqjësia jonë duhet të shkojë drejt specializimit për të shfrytëzuar më shumë mundësitë që na jep çdo zonë, fusha dhe mali. Pasuritë janë para syve tanë, duhen trajtuar e menaxhuar. Bujqësia kërkon më shumë investime në infrastrukturë, qendra të përpunimit të prodhimit bujqësor e blektoral. Mendoj se edhe levat e ndryshme, siç janë ato financiare, janë të nevojshme. Kam dëgjuar në media që tani po bëhen përpjekje që bujqësisë t’i jepet një fytyrë tjetër, duke shtuar investimet. Ky është një lajm shumë i mirë. Jam e bindur që bujqësia ta shpërblen shpejt një investim të kryer me mençuri.

Dhe një pyetje të fundit. Është një thënie angleze: Çdo njeri duhet të ngrejë zërin aq sa e ka fuqinë. Mendimi juaj, zonja Themie, për indiferentizmin, për heshtjen e specialistëve të bujqësisë, të shkencëtarëve apo edhe të medias rreth asaj që ndodh çdo ditë me bujqësinë, tokën, kullotat, pyjet, blegtorinë, etj?

Mendoj se në sektorin e bujqësisë ka pasur dhe ka specialistë të zotë. Mesa kam konstatuar neglizhenca është e madhe. Sigurisht jo i specialistëve, por i shtetarëve që, mesa duket janë të zhytur në korrupsion. Sipas meje dy janë problemet që kërkojnë ndërhyrje urgjente: toka dhe pyjet. Nuk e kam kuptuar si mund të zihen me troje mijëra ha tokë e nga ana tjetër të priten mijëra ha pyje? Dhe kjo që po them vazhdon me vite e vite, dy dekada e gjysmë dhe askush nuk e ngre zërin, të jap alarmin për këtë dëm që po i bëhet vendit, Shqipërisë. Dëmi është fatal. Këshilla që mund të jap si një person i dashuruar pas bujqësisë është: Mos u nxitoni në marrjen e vendimeve të drejta për tokën dhe pyjet, por edhe mos u vononi në zbatimin e tyre!
Sigal