Thellohet shkarja e dherave, ALUIZNI pezullon legalizimet në kodrat e Durrësit

727
Sigal

ALARMI/ Në Porto- Romano një vit më parë u groposen 6 banesa, ndërsa këtë vit janë në rrezik 60 të tjera

Paniku i parë ndër banorë është shfaqur ditët e fundit, ku një pjesë e banesave në kodrat e Porto-Romanos dhe në kodrën perëndimore të qytetit të Durrësit janë vërejtur rrëshqitje të disa banesave. Fenomeni është më se i njohur prej së paku në dy vitet e fundit, por indiferentizmi i treguar nga qeverisja vendore në mbrojtjen e banorëve ka shtuar ndjeshëm dozat e pasigurisë së jetës. Reshjet e shiut në dimrin që po troket vendosën në pikun kritik ekzistencën ose jo të disa objekteve të banimit në këto dy zona. Në kodrat e Porto Romanos, atje ku janë ndërtuar dhjetëra shtëpi banimi për shkak të rrëshqitjeve masive është krijuar një e çarë e madhe, e cila krijon idenë e një humnere. Ajo ka bërë që disa banesa të bëhen të pabanuara pasi u janë dëmtuar themelet dhe kolonat kanë pësuar shtrembërim.

Urbanistika

Specialistë të Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit dhe shtabi emergjencave civile në qark e në prefekturë kanë deklaruar se këto shtëpi banimi janë bërë të papërdorshme dhe se çdo përpjekje për të qëndruar brenda tyre vë në dyshim jetën e banorëve. Gjashtë shtëpi dhe një lokal janë fundosur në masivin e madh të dherave të rrëshqitura nga kodra duke mos lënë më asnjë gjurmë jete. Por fatin e tyre në Porto Romano e kanë edhe së paku 60 shtëpi, të cilat kërcënohen direkt nga rrëshqitjet, pasi erozioni po avancon në mënyrë shumë të shpejtë dhe mjaftë kërcënuese. Specialistët pasi kanë studiuar strukturën e tokës në kodrën e Porto Romanos kanë bërë të ditur se edhe 60 banesa të tjera, kryesisht familjare, ka shumë të mundur të pësojnë të njëjtin fat pasi toka nuk ka më asnjë lloj qëndrueshmërie. Krisjet e kodrës duken qartë në një hapësirë gjeografike prej më shumë se 500 metër linear, ku janë ndërtuar këto banesa. Në dijeni për fatin e këtyre banorëve janë edhe institucionet përgjegjëse, si shtabi i emergjencës, apo prefektuara. Por, për shkak të mungesës së një fondi të posaçëm dhe për pasojë të një zgjidhjeje për raste të tilla, kanë qëndruar larg problemit që rrezikon jetën e dhjetëra banorëve të kësaj zone.

Banorët

Ndonëse banorët kanë përpiluar të gjitha materialet që u nevojiten për të fituar pronësinë e banesave, duke qenë se rreziku është mjaft precipitues, në Agjencinë e Legalizimeve flitet se për  banesat e ndërtuara në kodrën e Porto-Romanos mundësisë së legalizimit të tyre u është vënë kryqi. Tashmë banorëve nuk u ka ngelur gjë tjetër veçse të ngrenë sytë nga qielli dhe t’i lutën zotit që t’i ruajë nga ndonjë fatkeqësi. Banesat në kodrën e Porto-Romanos janë ndërtuar pas viteve ’90-të, nga banorë të ardhur kryesisht nga veriu i Shqipërisë. Më herët e gjithë sipërfaqja, ku ata janë vendosur ka qenë tokë shtetërore e mbjellë me ullinj dhe rrush, të cilët janë prerë vitet e fundit duke favorizuar kështu edhe rrëshqitjen e tokës. Sipas gjeologëve kjo sipërfaqe toke nuk është e favorshme për ndërtim, ndërkohë që të gjitha banesat e ngritura në këtë zonë nuk janë bazuar mbi studimin gjeologjik të tokës. Rrëshqitjet e vazhdueshme kanë detyruar ALUIZNI-n që të mos miratoj legalizimin e asnjë banese, deri në një kohë të papërcaktuar.