Përveç emigracionit të lartë, Shqipëria po kalon një tranzicion të fortë demografik që e ka zanafillën te masa e madhe e të moshuarve, që po krijohet nga bumi i lindjeve në vitet 1990. Në 6-mujorin e parë të vitit 2021 në Shqipëri numërohen 673 mijë pensionistë, shifër kjo 25% më e lartë se në vitin 2012. Në vitin 2021 kishte 1.1 kontribues për një përfitues, raporti është shumë i ulët për qëndrueshmërinë e skemës në afat të gjatë. Njësia e Kombeve të Bashkuara, për çështjet e punësimit (ILO) në një studim të posaçëm njoftoi se, popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe aktualisht rreth 91 mijë persona mbi 65 vjeç kanë nevojë për kujdes social afatgjatë. Në të ardhmen, popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart do të rritet në 623 mijë persona dhe pjesa e saj në totalin e popullsisë do të rritet në 26.4% deri në vitin 2050. Kombet e Bashkuara thonë se së paku 90.9 mijë persona të moshës 65 vjeç e lart vlerësohet se kishin nevojë për kujdes afatgjatë që në vitin 2020. Numri i të moshuarve që kanë nevojë për kujdes afatgjatë do të rritet me shpejtësi në mbi 161 mijë deri në vitin 2050. Aktualisht, vetëm 1.6% e të moshuarve në nevojë për kujdes përfitojnë nga shërbimet e kujdesit social.