Tetori, stina e protestave dhe rezistencave qytetare në sheshe

122

1- Ultimatumi i pedagogëve: Bojkotojmë auditoret nëse nuk rriten pagat

Sigal

Pedagogët i kanë qëndruar vendimit të tyre për të bojkotuar mësimin të hënën në shenjë revolte për mosplotësimin e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë si dhe paralajmëruan se nga e hëna do të ketë çdo ditë protesta në oborret e univeriteteve. Para universitetit të Arteve u protestua nga pedagogët, të cilët kërkojnë rritje të pagave.

Pedagogu Lush Susaj, për mediat tha se qeveria është treguar arrogante.“Duke parë nivelin e arrogancës dhe moskokëçarjes nuk besoj se kjo do të jetë protesta e fundit. Ne po luftojmë t’i kthejmë studentët në universitete dhe të mos na ikin me gomone. Po bëjmë gjithçka për shkollën dhe studentët. Po luftojmë për korrupsioni dhe nepotizmin kriminal që ka pushtuar universitetet”-, tha ai.

Në protestat e zhvilluara më herët, pedagogët kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, do të bojkotojnë mësimin më datë 17.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi, u shpreh se ata i kanë lënë dhe tre ditë kohë qeverisë që të plotësojë kërkesat e tyre duke njoftuar se do i qëndrojnë bojkotit të vitit akademik siç kishin paralajmëruar më parë.Kreu i Sindikatës së Pedagogëve e konsideron lëmoshë rritjen prej 7% të pagave të tyre, propozim i bërë nga qeveria. Kovaçi kërkoi solidarizimin e të gjithë stafit akademik, për të cilët tha se pavarësisht presioneve, ka mënyra të ndryshme për t’ju bashkuar protestave. Gjithashtu ai shtoi se nisja e vitit akademik do të bëhet në datën 17, sipas tij, në orën 08-10 do të bëhet prezantimi i studentëve të rinj dhe më pas pedagogët do të dalin për të protestuar në oborret e fakulteteve. “Ka pasur keqkuptime për atë që synojmë ne me peticionet dhe protestat tona. Protesta jonë ka nisur për kritere ekonomike dhe kemi kërkuar një rritje 30% sivjet dhe 20% vitin e ardhshëm, duke u nisur nga kushtet aktuale në vendin tonë. Nuk do të ishim sot në protestë, nëse do të na rritej paga në mënyrë konstante, vit pas viti. Një asistent pedagog paguhet 59 500 lekë. Si mund t’i kërkosh informaticienit apo arkitektit që ka dalë me dhjeta, të vijë të punojë me këtë pagë? Shifra maksimale e profesorit është 96 000 lekë të vjetra, me 40 vite punë. Po ta krahasojmë me Kosovën, profesori merr 1450 euro. Këto janë fakte. Ka ardhur koha që mos të themi “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, por të themi “Ta bëjmë Shqipërinë si Kosova”,- tha Kovaçi. Më tej, ai shtoi se vjetërsia paguhet vetëm deri në 15 vite punë. “Ne e kemi 0,5% për 15 vjet, ne kemi kërkuar 1% deri në 25 vjet. Kërkesat tona janë minimaliste, pasi e krahasojmë edhe me realitetin”. Gjithashtu për këtë protestë ka reaguar edhe Sali Berisha, i cili ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen para Universitetit të Arteve për të mbështetur studentë e pedagogë.

9 kërkesat

-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës (nuk është plotësuar)
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor (nuk është plotësuar)
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ (nuk është plotësuar)
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë (nuk është plotësuar)
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit. (do shqyrtohet)
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare (do shqyrtohet)
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.

-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat në universitetet publike.

2- Invalidët në protestë:  S’duam lëmoshë, por rimbursimin e premtuar nga qeveria

Shoqata e Invalidëve ka nisur protestën para Ministrisë së Financave, ashtu siç kishin lajmëruar më herët. Protestuesit shprehen se janë kategoria më e diskriminuar ndërsa kanë kërkuar që të plotësohen kërkesat e tyre, mes tyre ajo e indeksimit të pensioneve.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri, qeveria nuk i ka dëgjuar kurrë kërkesat e tyre. Omuri tha se do të presin deri më datë 20 nëntor dhe nëse kërkesat e tyre nuk plortësohen ata do të përshkallëzojnë protestën dhe do kërkojnë dorëheqjen e dy ministrave kopetentë për çështjen e tyre.

Omuri: Ministria e Financave nuk i ka dëgjuar kurrë sugjerimet tona. Nuk kanë marrë mundimin, kemi dërguar 12 shkresa e fundit me datë 12 shtator. Nuk dinë të shkruajnë? Jo, shkruajnë bukur se Facebookun e përdorin. Kemi kërkuar që ndihma e paaftësisë të kalojë tek Sigurimet Shëndetësore. Kur ne kemi kontribuar kaq vite a e dini ju se dikush që mbush moshën për pension pleqërie llogaritet me 70%. Pse të pleqërisë janë më të larta se të invalidetit?

Rimbursojnë firmat e ndërtimit, po ne që punonim në miniera, ne duam të drejtat tona. Duan të punësojnë në administratë nepotizmin politik e familjar dhe nuk respektojnë ligjin për punësimin e invalidëve’.

Një invalide nga Korça duke folur para ministrisë parashtroi disa prej pikave që kërkojnë që të plotësohen.“Kam ardhur nga Korça, jemi invalidë dhe duam të drejtat tona. Indeksimi i pensioneve të invalidëve të punës në përputhje me të ardhura dhe rritjen e çmimeve. Duam rimbursim të energjisë elektrike dhe lëndës djegëse. Dhënie e 500 lekëshit, e premtuar nga buxheti. Nuk jemi për lëmoshë, por kërkojmë të drejtat tona.”, tha ajo.

Zjarrfikësit, policët e burgjeve, të përndjekurit dhe pensionistët përshkallëzojnë protestat

Varfëria mesa duket i ka sjellë lakun në fyt të gjithë shtresave sociale, duke i detyruar të kërkojnë të drejtat e tyre me anë të protestave nëse nuk merren masa nga qeveria. Shqetësimi i përbashkët është rritja e pagave, sidomos në një kohë ku çmimet janë tejet rritur.

Studentët: Kriminale që pagat të rriten në kurrizin tonë

Qytetarët paguajnë me taksat e tyre rrogat e administratës së universiteteve, dritat, ujin, mirëmbajtjen e godinave, ndërkohë që familjeve të studentëve. Herën e fundit studentët u ngritën në protesë, që qeveria t’i subvencionojë me 100 euro, si Kosova. Një studente tha se është kriminale deklarata e kryeministrit, që rritja e pagave të pedagogëve të bëhet nga të ardhurat dytësore të unversiteteve, pra tarifat.