Tetë urdhër arreste për mësuesit, juristin dhe inxhinierin në Elbasan, si falsifikuan votat në zgjedhjet e 25 prillit, dëshmia e tyre: E bëmë gabimisht

115
Sigal

Mbrëmjen e sotme, prokuroria e Elbasanit njoftoi lëshimin e 8 urdhër arresteve për numërues të tre partive kryesore, PS, PD dhe LSI nën akuzën e falsifikimit të votave në KZAZ numër 50.

Kallëzimi penal për numëruesit u bë nga KQZ menjëherë pasi në dy kutitë e votimit u shfaqën probleme me votat. Sipas informacioneve zyrtare, vetëm 6 prej tyre janë arrestuar, konkretisht shtetasit Erald Karriqi, Ylli Kuka, Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku, Olgert Alla. Ndërsa dy të tjerët, Otion Bajrami dhe Eduard Zito janë shpallur në kërkim.

Nga të dhënat e tyre, bie në sy fakti që të gjithë janë mësues, juristë, punonjës socialë dhe inxhinierë të cilët kanë marrë pjesë si numërues gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Të gjithë personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim rrezikojnë të dënohen nga një deri në 5 vite burg për veprën penale të kryer.

Angazhimi i tyre partiak ishte si më poshtë:

Partia Socialiste

Ylli Kuka
Oltion Bajrami
Durim Alla
Algert Alla

Partia Demokratike

Erald Karriqi
Erjon Dashi

Lëvizja Socialiste për Integrim

Eduart Zito
Mili Vasku

Gjatë procesit të këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit rezultoi se anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit numër më të vogël votash një apo më shumë kandidatë të subjekteve zgjedhorë dhe numër më të madh votash për një apo më shumë kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit.

Më tej prokuroria ka vlerësuar se këta persona përbënin rrezikshmëri të lartë, për faktin se edhe pas konstatimit të shkeljeve të bëra, ata e kanë mohuar veprën penale duke deklaruar se mund të kishin gabuar nga lodhja dhe se veprimet e bëra kishin qenë të paqëllimshme dhe pa ndikim në rezultat.