Tetë prokurorët e SPAK betohen sot te Presidenti

431
Sigal

Tetë prokurorët e SPAK do të betohen sot te Presidenti. Ceremonia do të zhvillohet në orën 09:30 në Presidencë.

Me këtë veprim presidenti Ilir Meta i hap rrugë krijimit të Prokurorisë së Posaçme të hetimit, duke hedhur kështu poshtë edhe pretendimet e mazhorancës se Ilir Meta do të bllokonte krijimin e SPAK.

Dhe pikërisht në 20 dhjetor Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda do të pushojnë së funksionuari për t’i lënë vendit Prokurorisë dhe Gjykatës Antikorrupsion.

Objekt i punës do të jetë hetimi dhe gjykimi i korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe veprat penale që janë në kuadër të grupit te strukturuar kriminal.

Fillimisht kjo strukturë do të nisë me 8 anëtar, por kreu i SPAK ka të drejtën të kërkojë komandimin e prokurorëve të tjerë të përkohshëm deri në emërimin e prokurorëve të përzgjedhur të cilët duhet ti kalojnë të dyja shkallët e hetimit.

Aktualisht krimet e rënda kanë 400 dosje nga të cilat 130 do të ngelen për tu hetuar nga SPAK, ndërsa pjesa tjetër do të transferohen në prokuroritë e rretheve.

Krahas SPAK do të krijohet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do të jetë në dispozicion të kësaj strukture, e cila do të ketë në perbërje oficerë të policisë gjyqësore të trajnuar jashtë Shqipërisë.

Dje u zhvillua seanca dëgjimore me 3 kandidatët për kreun e SPAK dhe KLP pritet të votojë për kryetarin. Tre kandidatët janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili.

Tetë prokurorët

1-Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë

2-Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

3-Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

4-Edvin Kondilli, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

5-Elida Celami(Kaçkini), prokurore në Prokurorinë e Tiranës

6-Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

7-Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit

8-Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda