Keni goditur përherë mbrapa shpine shoku Rama!

435
Sigal

“Rilindja” bashkon votat me të ashtuquajturën opozitë për shkarkimin nga Bordi i Bankës së Prof. Malajt. Reagon Prof. Dr. Arben Malaj: Ky është gjyq politik z. Rama, ju po dëmtoni Bankën e Shqipërisë dhe vetërrezikoheni të mbeteni kryeministri më i dështuar në historinë e shtetit shqiptar. Vendi po qeveriset me mentalitetin “i gjithë pushteti i sovjetëve”, mesazhi për Guvernatorin, deputetët e “Rilindjes” dhe opozitën parlamentare.

Keni goditur përherë mbrapa shpine  shoku Rama, por asnjëherë nuk ke dalë moralisht i fituar

 

 

Prof. Dr. Arben Malaj në seancën plenare të Parlamentit

 

Duke shfrytëzuar gjithçka negative ju arritët Kryetar i PS-së dhe Kryeministër i Shqipërisë, por siç thotë Ezopi “Krushqia me njerëzit e ligj përfundon gjithnjë keq “ siç është duke përfunduar në mënyrë dështuese epoka juaj e drejtimit të Rilindjes dhe Shqipërisë

 

Fillimisht nga zemra duhet t’ju shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit dhe t’ju uroj shërim të shpejtë e të plotë të plagosurve.

Me lejoni t’i uroj shërim  edhe nënës së nderuar te z Rama të cilën e njoh pak, por e respektoj shumë.

I njoh vuajtjet e nënave të fëmijëve politikane. Fati me ndihmoj që e ndjera nëna ime mos ta shikonte gjyqin tuaj politik.

Ky tërmet solli 51 viktima, plagosi qindra të tjerë e la pastrehë mijëra familje. Ai mund të kushtojë disa qindra milion euro.

Ekspertët vlerësojnë se nuk i vrau tërmeti, por cilësia e dobët në kolonat strukturore të ndërtesave.

Edhe dëmtimi i kolonave strukturore të shtetit, nga qeveria e shokëve dhe për shokët, nga korrupsioni epidemik dhe kapja e shtetit, nga vrasja e fjalës së lirë dhe instalimi i frikës, vret me shumë.

Kosto sociale, financiare e politike të keq qeverisjeve ndjehen në jetën e përditshme të shqiptarëve, ndjehen ne rritjen e  paqartësive dhe pasigurisë për të ardhmen dhe në braktisjen e vendit.

Vendi po qeveriset me mentalitetin se “ i gjithë pushteti u takon sovjetëve”, por Rama harron aksiomën politike  se “pushteti absolut – korrupton në mënyrë absolute”. Transparenca është aleati më i madh i demokracisë, ndërsa:

  • liria e mendimit të lirë dhe fjalës së lirë;
  • ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve,
  • mbrojtja e pronës private dhe,
  • pavarësia e gjyqësorit,

janë kolonat strukturore ku duhet të mbështetet mirëqeverisja e vendit.

Asnjë Bankë Qendrore nuk mund ta ndihmojë ekonominë e një vendi nëse ambienti politik është acid,  nëqoftëse  pasiguritë dhe pritshmëritë jo pozitive rriten, nëse konsumi dhe investimi privat ulen dhe qeveria nuk investon  datë më shumë për shkak të borxheve të larta.  Këtë situate krize besimi e ushqejnë krizat politike, grindjet politike, agresiviteti dhe banalizimi i debatit në kuvend e media,  e ushqen mosarritja e konsensusit kombëtare as për sfidat e prioritete  kombëtare siç është dështimi përsëritur për hapjen e negociatave.

Kush po e dëmton realisht BSH-së për të qenë sa më efektive, Ju shoku Rama, apo unë?

Nëse kapitali human dhe social i një vendi varfërohet, nëse institucionet kushtetuese nuk funksionojnë, korrupsioni e kapja e shtetit u rëndon gjithnjë e më tepër taksapaguesve, ne ju vështirësojmë të tashmen dhe i vjedhim të ardhmen popullit tonë.  Prandaj mijëra vite më parë Konfuci theksonte  se: “Në një vend që keq qeveriset pasuria (personale) është ajo për të cilën duhet të turpëroheni”.

Kjo është hera e tretë që në këtë parlament kërkohet heqje e mandateve.

Kërkesa e parë ishte e PD-së në 1992 për heqje imunitetit të Genc Rulit dhe Rexhep Ukës. Ajo dështoi sepse në PD-së kishte deputetë me integritet.

Kërkesa e dytë ishte ne 2004 për t’i hequr mandatin Nikoll Lesit, gazeta e të cilit “Koha Jonë”  përshpejtoi fundin politik të PD-së  në 1997.  PS shpëtoi nga njolla e zezë e heqjes së imunitetit të një gazetari që mbeti përherë  simbol i lirisë së fjalës.

Sot  Rilindja, po bën një gjyq politik.

Në 1992  Gramoz Ruçi mbronte Rulin dhe Ukën,  ndërsa në 2019, në hapat e fundit të karrierës së tij politike, rrezikon që Kuvendi që ai drejton të marrë me vete turpin politik në historinë e parlamentarizmit shqiptar,  ku dënohen anëtarë të institucioneve kushtetuese vetëm se kanë guxuar të kritikojnë paaftësinë, arrogancën dhe babëzinë sa herë ajo shfaqet.

 

Nuk është hera e parë që kërkojnë të më shkarkojnë.

Në 1992 isha drejtor i BKT-së Vlorë, PD-ja sapo erdhi në pushtet kërkoi me ngul shkarkimin tim. Ruli, Ministri i Financave dhe i ndjeri Hoti, Guvernatori i Bankës nuk e firmosën shkarkimin tim as kur në Korrik 1992 në atë situatë terrori politik ish kandidat i  PS për Kryetar i Bashkisë Vlorë.  Arsyeja e vetme sepse isha diplomuar si student i shkëlqyer. E trishtueshme, në 1992 deputetët PD-se mbrojtjen kolegët e tyre, sot në 2019 deputetët socialist ndjehen të frikur. A janë këto simptoma të neo-diktaturave?! Studiuesit paralajmërojnë për riskun në rritje të neo-diktaturave.

Në 1997 Berisha i propozoi Finos shkarkimin tim, të cilin ai e injoroi.  FMN dhe BB më dhanë mbështetje maksimale. Propozimi i Berishës ra.

Ideimi dhe implementimi i Reformave strukturore, marrëveshja postkonfliktuale, suksesi në konferencën e donatorëve, janë vlerësuar maksimalisht nga Camdessus, ish shefi i FMN duke theksuar se “ Ne besojmë se ju i keni bërë një shërbim të madh Shqipërisë”. Ky shërbim dhe ky vlerësim është pasuri që unë i lë familjes dhe vendit tim.

 

Kjo është hera e tretë, që më kërkojnë të më shkarkojnë

Argumentet e plota profesionale i dhashë në Komision të Ekonomisë, por e përsëris me zë të lartë për të gjithë shqiptarët:

Kam kryer më së miri detyrën si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,  pa cenuar  në asnjë rast sadopak asnjë detyrim etik e ligjore.

Kam mbështetur politikat monetare që lehtësonin rritjen ekonomike,

Kam kërkuar disa here draftin e ligjit të BSH për të forcuar kolonat e saj strukturore. BE  në raportin e saj 2019 e vlerësoj këtë detyrë të pa plotësuar.

Kam kërkuar të mos vonohet ligji për ligjet e mbrojtjes se konsumatorëve të shërbimeve financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse kredibel mund t’i reduktojnë këto humbje, sepse edhe gjatë krizave të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër.

Këtë ka parasysh ish sekretari thesarit amerikan Summers paralajmëron se kur bizneset bëhen të pasura, imponojnë politika publike që i bëjnë ata akoma më të pasur.

 

Kam kërkuar në Bord  që :

Të demokratizohet qeverisja e BSH-së, ajo është një ent publik, paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe duhet të zbatoj parimet më të mira të mirëqeverisjes.

Të përzgjidhen dhe promovohen sa më mirë stafet dhe drejtuesit e BSH-së;

kërkimi shkencor i BSH-së të fokusohet më mirë në sfidat reale të ekonomisë shqiptare, bazuar ne  modelin e  nobelistëve të ekonomisë në 2019 .

Kam votuar pro apo kundër bazuar vetëm në vetëdijen time thellësisht  profesionale.

Bankat private kanë interesa private, anëtarët e bordit duhet të kenë përgjegjësi të lartë publike.

Në komision ndjeva trishtim për votimin në rresht të deputeteve, i mirëkuptova, sepse ju jeni bërë i frikshëm, jo vetëm për ata dhe familjet e tyre por edhe për popullin shqiptar.

Ndjej trishtim për vendin tim që shkarkimin që nuk e arriti dot PD-ja në 1992 dhe  në 1997, do ta bëjë sot  kryetari  i Rilindjes.  Hakmarrja primitive nuk më  tremb, por më vret në shpirt për trendin jo pozitiv që kanë marrë zhvillimet politike në vendit tonë.

 

Ky ballafaqim publik nuk është për një karrige

Kurrë nuk e kam shitur dinjitetin, integritetin dhe profesionalizmin tim tek askush, përfshi dhe oligarkët që i kanë kthyer në manekinë disa nga ministrat tuaj.

Ndryshe nga ju që për pushtet, kriminalizuat politikën shqiptare dhe i vutë një njollë të zezë socialistëve të thjeshtë e të ndershëm,  kurrë nuk e kam shitur integritetin tim për poste partiake e qeverisëse.

Në vitin 1997 nuk pranova të isha kandidat i PS-së për kryeministër i qeverisë se Pajtimit Kombëtar sepse përplasjet e mia me Berishën do të dëmtonin vendin tim dhe në veçanti qytetin tim që edhe sot lëngon nga plagët e rënda të  krizës të 1997 që shkoi deri në konflikt civil.

Në mars 1997 u angazhova në detyrën më të vështirë, Ministër i Financave të një vendi ku pagat dhe pensionet ndaheshin me makina të blinduara në oborret e komisariateve të policisë.

Më kërkoni modelin e heshtjes se Bodes, por heshtja  dhe mos veprimi ligjore i Bodes  për ndaljen piramidave la pas mijëra viktima e fatkeqësi, që edhe sot  ju rendojnë shumë rëndë shqiptarëve.

E pranova  detyrën e vështirë të Ministrit te Financave vetëm kur në telefon dëgjova zërin e përlotur të nënës së Bashkim Finos. E kisha të pa mundur të mos i jepja fjalën dhe besnikërinë së Bashkimit do t’i qëndroja pranë dhe nuk do ta lija vetëm.

Në vitin 1998 z. Majko më ftoi në qeverinë e tij nuk pranova, por ne jemi përherë  miq të mirë.

Në vitin 2002 Ilir Meta me të cilin konkurrova për postin e kryeministrit me të njëjtën  filozofi si sot, që Shqipëria ka nevojë për institucione të forta jo për individë të fortë, më ftoi në qeveri.

Kam investuar përherë për dijen jo për karriget.  Sot jam krenar që në familjen time të vogël kemi 5 diploma nga 4 universitetet më të mira në botë.

 

Më ka inspiruar përherë kultura hebraike ku prindërit i këshillojnë fëmijët se në jetë mund të marrin çdo gjë, pasurinë, karriget, fitimet, punën por jo dijen.  Dijen nuk ta marrin dot pa të marrë dhe jetën.   Ndoshta kjo ka qenë arsyeja e përhershme sepse diktatorët  përherë i kanë vrarë, i kanë persekutuar dhe denigruar njerëzit e ditur. Është e vërtetuar nga mençuria e popujve se të pa diturit i urrejnë të diturit.

 

 

Vetrrezikoheni të mbeteni kryeministri më i dështuar në historinë e shtetit shqiptar

Sot përballë vendit tim dhe deputetëve jam krenar që periudha e menaxhimit të financave publike 1997-2005, mbetet akoma më e mira.

Ndërsa ju po vet-rrezikoheni të mbeteni kryeministri më i dështuar në historinë e shtetit shqiptar.

Kjo të bën xheloz dhe të pa shpirt. Ju kërkova me letër në 23 korrik të më  thërrisnin në mbledhjen e qeverise kur te merrnit vendimin.  Keni goditur përherë mbrapa shpine  shoku Rama, por asnjëherë nuk ke dalë moralisht i fituar.

I kam fituar përherë sfidat me ju. Dështimi juaj vjen nga rruga dhe aleatët që i përzgjodhët vetë,

Ne qe ne fillim përzgjodhëm dy rruge qartësisht te ndryshme.

Ju me aleanca edhe  të pista për karriget, unë në rrugën e vështirë por fisnike të dijes.

Në 2001 kundërshtova kandidaturën tuaj në kryesi të PS-së për Kryetar Bashkie të Tiranës sepse ju nuk keni asnjë qelizë shtet-formuese ne vetëdijen tuaj.

Në 2005  Nano më ftoi të konkurroja për drejtimin e PS-së sepse do të kisha mbështetjen e plotë të tij, nuk e pranova.

Duke shfrytëzuar gjithçka negative ju arritët Kryetar i PS-së dhe Kryeministër i Shqipërisë, por siç thotë Ezopi “Krushqia me njerëzit e ligj përfundon gjithnjë keq “ siç është duke përfunduar në mënyrë dështuese epoka juaj e drejtimit të Rilindjes dhe Shqipërisë. E majta ka shumë personalitete që mund ta qeverisin Shqipërinë shumë herë më mirë se ju, por dehja nga pushtetet abuzive ju mban të lidhur, siç mban droga të droguarit.

 

 

 

Integritetin dhe dinjitetin tim kurrë nuk i kam ofruar për shitje

Të nderuar deputetë,   siç thuhet rrallë e më rrallë  në jetë janë disa gjera që nuk janë për shitje.  Integritetin dhe dinjitetin tim kurrë nuk i kam ofruar për shitje, sepse në rrënjët e integritetit dhe kredibilitetit tim publik gjenden:

Sakrificat e prindërve të mi punëtorë,  që rriten dhe edukuan 9 fëmijë, 6 prej të cilëve me diploma universitare;

Sakrificat e punës time 6 vite në bujqësi dhe rreth 6000 km  rrugë në këmbë vetëm për t’u mirë arsimuar.

Krenaria e mësuesve të mi nga shkolla fillore në Llakatund, shkolla e mesme natën  deri në studimet në Harvard,  që vazhdojnë të më inspirojnë t’i shërbej me dinjitet  Shqipërisë.

Sakrificat e lodhshme të ekipeve të Ministrive dhe Kuvendit pa të cilët suksesi është i pamundur dhe dështimi  është i sigurtë.

Admirimi dhe mbështetja e mijëra socialistëve por edhe ajo e popullit të thjeshtë të vendit tim, admirim dhe respekt që i ndjej çdo ditë dhe kudo.

Shpresat e  qindra studentëve të karrierës akademike 27 vjeçare që më kërkojnë të mbetem  një model inspirues.

 

Lidhur me Bankën e Shqipërisë  shqetësimi juaj nuk është i sinqertë

 

Ju e latë BSH-së rreth 2 muaj e gjysmë pa Këshill Mbikëqyrës, ishin vetëm 3 nga 9-teë. Kjo nuk ndodh as në vendet Afrikane. Keni që në 16 Korrik shkresën  e Kuvendit për të analizuar kërkesën e 28 deputeteve për shkarkimin tim dhe vepruat në errësirë vetëm pas 5 muajve.  Deklaruat publikisht se s’kishit asnjë shqetësim nga qëndrimet e mia publike.

Vepruat në 3 dhjetor vetëm për hakmarrje primitive sepse u mërzit në një debat një ushtari juaj besnik, i cili arriti deri atje sa publikisht kërcënoi një prej personaliteteve të së djathtës  shqiptare z. Oketa,  se ne do t’ju shtypim me këmbë. Kush ne? Ai dhe Ju? Ushtari dhe Gjenerali i tij?

Pezullimi dhe shkarkimi juaj pa bazën e qarte ligjore  është ose hakmarrje primitive ose një shërbim ndaj atyre që unë votoj edhe kundër në Bord.

Ju mbani pa statusin e qartë kushtetues Guvernatorin aktual të BSH-së sepse i doni të gjithë gjithnjë të dobët.

Unë nuk godas asnjëherë dhe asnjë mbrapa shpine si ju, por kam disa muaj që ju kam njoftuar me shkrim ju dhe Guvernatorin se sapo të krijohet Gjykata Kushtetuese, do t’i bëj një shërbim vendit tim, duke kërkuar të qartësohet a mund të jetë Guvernator një individ, kur nuk është më anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë?

Ju e urreni pavarësinë reale të çdo institucioni kushtetues, shikoni Gjyqësorin, shikoni KLSH-në keni hedhur poshtë 3 kandidatura të Presidentit, drejtuesit e  autoriteteve rregullatorë dhe mbikëqyrëse dhe  drejtorët më të rëndësishëm të administratës publike i ndryshoni disa herë në vit.

Pavarësisht nga pabesia juaj dhe goditjet pas shpine, kam ndjerë përgjegjësi ndaj vendit tim dhe ju kam ardhur sa herë që më keni kërkuar në takim dhe ju kam dërguar memo sa herë më keni kërkuar mendim.

 

Në fund kam një mesazh publik për deputetët

Do ta mbroj deri në fund pavarësinë reale të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve kushtetuese të vendit tim. Ramën dhe qeverinë e tij e kam mundur një herë në Gjykatë Kushtetuese kur i hodhëm poshtë një pjesë të taksave vrastare për biznesin.  Do ta mund prapë deri në Strasburg,  por shpenzimet e gjyqit dhe dëmin moral do ta paguajnë taksapaguesit e varfër shqiptarë.

 

Për opozitën parlamentare

Rama bën çmos t’ju përçmojë publikisht, u godet që të mos rriteni, media pro Ramës herë pas here ju identifikon disa prej jush si blerë prej tij.  Sot të dashur deputetë të opozitës parlamentare keni rastin të provoni të kundërtën. Këshilla ime miqësore është të mos votoni sot as kundër Ramës, as pro meje, por pro taksapaguesve dhe popullit të vendit tuaj, pasi po behën  miliona dollarë penalitete për vendime abuzive të qeverisjes tekanjoze të Ramës. E vetmja mënyrë që mos t’ju bëjnë pis është të mos merrni pjesë në votim.

Hiqni kartat e votimit dhe lejoni që vetëm Rilindja të bëjë gjyqe e vrasje politike.

Për deputetët e PS-së, ku ka shumë kolegë të respektuar mjaftojnë vetëm 10% e deputetëve të saj në këtë sallë që ta shpëtoni PS-në dhe këtë tempull që duhet të ishte garanti i demokracisë dhe fjalës së lirë nga kjo njollë e zezë.

 

Ky është gjyqi ku të ndalohet të mendosh i lirë dhe të flasësh i lirë

Pavarësisht rezultatit të votimit, do të vazhdoj t’i shërbej vendit si qytetar, profesor dhe studiues i politikave publike dhe mirëqeverisjes.

Ky nuk është gjyqi im.

Ky është gjyqi i demokracisë, në të njëjtën ditë kur në këtë sallë vuloset dhunimi i lirisë së shprehjes së mediave.

Ky është gjyqi ku të ndalohet të mendosh i lirë dhe të flasësh i lirë,  për gjithçka që duhet bërë më mirë në vendin tënd.

Ky rast do të mbetet në historinë parlamentarizmit shqiptarë  si një njollë e zezë,  të cilën unë kurrë nuk do dëshiroja të vinte për shkakun tim.

Pavarësisht nga votimi juaj unë do të vazhdoj i inspiruar nga Nënë Tereza kur këshillonte:  Mos bëni gjëra të mëdha, por bëni çdo ditë gjëra të vogla me zemër të madhe”. Lutem me shpirt që e ardhmja e shqiptarëve, e ardhmja e Shqipërisë dhe kombit shqiptarë të mos cenohet  nga neo-diktatura. Nga zemra i uroj çdo shqiptari: Gëzuar festat e fund vitit!.  Qoftë një vit i mbarë për ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë!!