Fullani në KLSH, por shmang deklaratat

620
Sigal

TIRANE –  Në një takim jashtë vëmendjes së medias me kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, por të zbuluar rastësisht nga gazetarët, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i është larguar me shpejtësi interesit të tyre për të marrë përgjigje mbi skandalin e vjedhjes së thesarit të shtetit. Madje për të shmangur cdo kontakt me gazetarët, ka “përdorur” truprojën e tij, i cili në pamjet e fokusuara nga kamerat, duket teksa pengon gazetarët t’i drejtojnë mikrofonin guvernatorit Fullani. Është pikërisht ky moment siç duket në foto, kur shoqëruesi i Fullanit pengon median të bëjë detyrën e saj në të drejtën e informimit të publikut dhe transparencës për çka ndodh me skandalin e vjedhjes së thesarit. Sërish pas insistimit të medias të ndodhur pranë KLSH-së Fullani shoqërohet trup më trup nga truproja dhe duke marrë automjetin e tij zyrtar BMW me targa AA 0270 Z zgjedh të heshtë. Ka qenë pikërisht automjeti zyrtar i Guveratorit i parkuar para ambjenteve të KLSH-së që ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve. Në përfundim të takimit të zhvilluar përreth 15 minuta, guvernatori i Bankës së Shqiëprisë, ashtu si dhe Leskaj nuk i janë përgjigjur interesit të medias në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit. Burime të rezervuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit thanë se në qendër të takimit ka qenë pikërisht rezultati i auditit të përfunduar në Bankën e Shqipërisë, audit i cili përfshin disa vite si dhe periudhën e vjedhjes së Bankës nga Ardian Bitraj. Ky raport pritet të bëhet publik në mes të shtatorit nga KLSH, teksa i njëjti burim për A1report tha se shkeljet e konstatuara janë në kufijtë e skandaleve, pasi jo vetëm janë të shumta. por kanë shkaktuar për buxehtin e shtetit miliona dollarë dëm ekonomik.