Testimi i shpejtë për COVID-19: Përgjigjja del në 30 minuta / Epidemiologu tregon detajet

253
Sigal

Dritan Ulqinaku, epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik ka deklaruar se duke nisur nga 7 dhjetori në Tiranë do të nisë aplikimi i testeve të shpejta për identifikimin e personave të infektuar nga COVID-19. Z. Përgjatë një interviste, Ulqinaku tha se për procedurat e ndjekura nuk ndryshon asgjë në krahasim me tamponin, por përgjigja do të merret brenda 30 minutave.

Epidemiologu i ISHP-së shpjegoi se testi i shpejtë është efektiv për pesë ditët e para të prekjes nga coronavirus ndërsa pas këtij afat nuk mund të aplikohet më dhe se në të tilla raste do të përdoret tamponi. Gjithashtu tha se për personat që nuk kanë simptoma testi i shpejtë nuk vlen.

“Nëse në një familje deri dje ishin tre familjarë me shenja të njëjta nuk i kemi ekzaminuar asnjëherë të gjithë pasi nëse dilte njëri pozitiv fillonte mjekimi për të tre. Testimi i shpejtë nis në Tiranë nga kjo e hënë. Do të aplikohet në disa pika të nxehta që ekzistojnë në Tiranë por çdo gjë ndryshon me orë dhe jo ditë. Do të jenë epidemiologët që do të përcaktojnë se ku do të ndërhyhet me teste të shpejta”, u shpreh z. Ulqinaku.

“Përgjigja merret brenda 30 minutave. Është ekskluzivitet i epidemiologëve, ata vendosin kur aplikohet. Nga data 7 dhjetor do të vazhdojë aplikimi në terren në Tiranë, ndërsa më pas do të shtrihet dhe në qytete të tjera”, shtoi mjeku i njohur.

Sipas mjekut është shumë i rëndësishëm fakti që këto teste kanë mbërritur para nisjes së stinës së virozëve të tjera pasi do të ndihmojë në eliminimin e dyshimeve nëse simptomat janë të COVID-19 apo të gripit.

Për situatën virale të COVID-19, z. Ulqinaku tha se masat kanë sjellë një stabilitet në rastet e reja por do të pritet dhe 10 ditë për të parë nëse situata do të ndryshojë duke theksuar se në të kundër mund të këtë masa shtesë.

“Për hir të së vërtetës numri i infektimeve nuk po njeh rritje. Deri para 10 ditësh kishim një trend dukshëm në rritje, sot kemi pak a shumë një stabilitet dhe këto masa kanë nisur të japin rezultat dhe presim që në ditët e ardhshme raste të vijnë duke u ulur. Karantina nuk është e lehtë në shumë pikëpamje. Do të shohim 10 ditët e fundit nëse do të ketë rënie të numrin dhe në të kundërt mund të ketë ndryshim të politikave”, tha z. Ulqinaku.

Epidemiologu nënvizoi se në shkurt bëhet 1 vit nga cikli i virusit dhe COVID-19 nuk ka treguar asnjë dobësim dhe nisur nga kjo “drita në fund të tunelit” mbetet vaksina e cila gjithashtu shoqërohet me disa pikëpyetje.

“Unë si epidemiolog jam gjithmonë dyshues por shifrat e efikasiteti janë shumë premtuese. Besojmë shumë që të do të ketë rezultat por nevojitet kohë për të vaksinuar të gjithë popullatën apo grupet në risk dhe të themi me të vërtetë shpëtuam. Për sa kohë të mbron vaksina kjo është sërish një pikëpyetje por kemi një armë të fortë në dorë. Shpresoj shumë që në shkurt dhe mars të mbërrijë në Shqipëri”, përfundoi z. Ulqinaku.