Tërmeti, qytetarët në çadra, miliardat në xhepat e shtetarëve

379
Sigal

 

Qeveria braktis shqiptarët në kulmin e fatkeqësive të tërmetit dhe pandemisë. Edhe pse po mbushet 1 vit nga tërmeti i shtatorit, banorët flenë në çadra, kurse nxënësit nuk kanë shkolla për mësim, por vazhdojnë të mashtrohen me filmat 3D, nën regjinë e ministrit të katastrofave Arben Ahmetaj. KLSH-ja zbulon aferat me banesat e strehimit dhe dështimin e premtimeve të “Rilindjes”

 

9 muaj pas tërmetit banorët ende në rrugë. Qeveria propagandon projekte 3D

9 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, plagët janë ende të hapura për banorët e Thumanës. Nisja nga puna për ndërtimin e infrastrukturës urbane në këtë shesh, ku do të ndërtohen shtëpitë  private, është një lajm i mirë që ka ringjallur shpresën për këtë komunitet. Paraditen e kësaj të diele e vetmja  shenjë se në Thumanë është duke u punuar,  janë një grup punëtorësh të përfshirë në ndërtimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të zeza. Këto punime janë financuar nga Fondi Shqiptar  i Zhvillimit dhe kompania ka një afat 5 mujor për të përmbyllur këtë fazë, e cila do të pasojë me hapjen e themeleve të më shumë se 300 banesave private. Po në atë zonë, ku tërmeti shkatërroi disa pallate, është parashikuar  rindërtimi i tyre që nuk ka nisur ende. Valter Doda e ka kthyer në ritual të përsëritshëm ardhjen në këtë shesh ndërtimi për të parë progresin e punimeve. Ai është njëri prej atyre që do të akomodohet në një shtëpitë e reja. Askush nuk mund t’i japë një përgjigje Valterit dhe të tjerëve, se kur do t’i marrin çelësat e shtëpisë së re. Disa javë më parë tek sa inspektoi punimet e një shkolle,  kryeministri  Rama kërkoi që kompania ndërtuese të punonte me tre turne. Mesazhi ishte i qartë. Të fitohet koha e humbur e bllokimit të punimeve prej Covid-19.  Ishte presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili njoftoi ndërtimin e 500 banesave  individuale në Laç. Qeveria shqiptare, një ditë më parë njoftoi nisjen e punimeve për ndërtimin e këtyre banesave. Realizimi i projektit do të kryhet nga kompania turke e ndërtimit “Allbajrak Inshat”, dega Shqipëri në një hapësirë prej 72.000 metra katrorë. Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë për 360 ditë. Faza e parë parashikon gërmimet  6.5m nën nivelin e rrugës dhe i gjithë konstruksioni banesave do të jetë armaturë beton dhe tullë.  Kryeministri Edi Rama çdo herë prezanton projekte 3D, duke dhënë afate se kur do të fillojnë punimet, kur do të hidhen themelet, por deri më sot, asgjëkundi themelet nuk janë hedhur, ndërkohë që banorët flenë akoma nëpër çadra, ose janë pa strehë. Qeveria shqiptare ka marrë qindra milionë euro ndihmë dhe kredi për të përballuar pasojat nga tërmetet, por deri më sot, ende asnjë shtëpi nuk është ndërtuar. Ndoshta fondet për përballimin e pasojave të tërmetit kanë hyrë në buxhetin e shtetit dhe shkojnë për të paguar faturat e koncesioneve dhe tenderave.