Tërmeti i fuqishëm në Turqi, sizmologu qetëson shqiptarët: S’ka lidhje me Adriatikun

290
Sigal

Sizmologu Llambro Duni, komentoi situatën që po kalojnë Greqia dhe Turqia, të cilat u tronditën mesditën e sotme nga lëkundjet e forta të një tërmeti me magnitudë mes 6.6 dhe 7 të shkallës Richter.

“Tërmeti ka rënë në zonën e Egjeut, që njihet si strukturë tektonike, e cila është e rrethuar nga epiqendra tërmetesh të forta. Edhe Instituti ynë e ka regjistruar dhe ka bërë vlerësimet e veta. Ishte tërmet shumë i fortë dhe për shkak të thellësisë relativisht të vogël [të epiqendrës] efekti në sipërfaqe i kësaj ngjarjeje është shumë i madh dhe raportimet e para flasin për diçka të tillë për energji shumë të madhe të çliruar”,-tha Duni.

Sizmologu shqiptar, nënvizoi se do të ketë pasgoditje më të vogla krahasuar me lëkundjen më të madhe të fiksuar në magnitudën 7. I pyetur nëse lëkundjet në Egje mund të nxisin lëkundje edhe në zona të tjera, si për shembull në Shqipëri, Duni tha se zona në fjalë është e veçuar nga njësia sizmike e Adriatikut ku është pozicionuar vendi ynë.

“Jo! Kjo është një njësi tektonike e veçuar, pllaka e Egjeut vepron më vete dhe nuk ka lidhje me pjesën tjetër të Adriatikut ku është pozicionuar dhe vendi ynë, dhe padyshim nuk ka të bëjë me të”,-tha Duni. Autoritetet turke e raportuan tërmetin në magnitudë 6.6 me vendndodhje zonën e detit Aegan me thellësi 16.5 kilometra.