E enjtja mortore e sekto-rilindjes.

450
Sigal

Nga Ermir Gjinishi

Shqipëria po rrëshqet në totalitarizëm mafioz. Nga republikë parlamentare jemi kthyer në republikë kryeministrore. Jetojmë në një sistem pluralist por kemi një rend monist. Kemi një parlament monopartiak, pa opozitë, që nuk plotëson as numrat. Qeverisja është mpleksur aq thellë me krimin, saqë është peng i tij. Sovrani nuk ka të drejtë të zgjedhë, por imponohet të aprovojë vetëm ç’ka i serviret nga bota e krimit, si në zgjedhjet e Qershorit 2019. Mediat kërcënohen me gojëkyçje nga një ligj i refuzuar prej BE-së, që dënon me vdekje fjalën e lirë. Sekti i rilindjes e ka kthyer Shqipërinë në vendin më qesharak në botë, pa gjykata. Kemi humbur elementët thelbësorë të një demokracie esenciale.
Parlamenti dhe qeverisja është nën nivelin mesatar kulturor dhe intelektual të shoqërisë sonë. Nëse kërkoni arsyen e numrit të ulët në sondazhet “sa shqiptar e ndjekin çakërdisjen e kryerilindasit të enjteve parlamentare ”, shifrat nuk i kalojnë germat e citimit të Linkolnit “Më mirë të qëndrosh i qetë e ti bësh të tjerët të mendojnë që je budalla, sesa të flasësh e t’ua heqësh të gjitha dyshimet”.
E enjtja parlamentare i ngjan një ceremonie mortore. Ministra manikinë majtas e djathtas të ulur në llozhë me kryegjatoshin në mes, në ritualin e përjavshëm të përhumbjes veleritëse prej broçkullitjeve të ç’fazuara, s’kanë ç’ti thonë popullit që i vodhën edhe lirinë. Matriushkat ministresha, të gatshme t’i vërsulen çdo kritiku me thikë dhe pirun për t’i gëlltitur në vaktet kanibaliste të sekto-rilindasve, jargaviten nga ekstaza e ç’virgjërisë së dinjitetit të humbur. Llaftimet vulgare të kryegjatoshit në parlament, që joshin me qeshje të stampuara fallco vetëm një tufë eunukësh rreth tij, janë arsyeja e depresionit social që po kalojnë shqiptarët.
Jeta nuk vlerësohet nga numri i frymëmarrjeve, por nga momentet që ta vjedhin frymën. Kryegjatoshi sot vendosi që parlamenti, tempulli i demokracisë, përfundimisht të mos jetë vendi ku përfaqësohet sovrani. Me gjithë paralajmërimet e funksionarëve të lartë të BE-së, kokëfortësisht, ai miratoi sekt-kodin e tij për të yshtur sërish krimin qeveritar kundër shqiptarëve, të gdhendur në “trofetë” e dhimbshme të deritanishme, 14 miliard borxhi publik, 400 mijë shqiptarë të dëbuar jashtë, vendi më i varfër i Europës, vendi i parë në Europë dhe e gjashti në botë për prodhimin e kanabisit. Refuzoi Venecian, refuzoi popullin, refuzoi BE-në, dënoi Shqipërinë.
Vërtet mendojnë këta mjeranë se do ta mbysin një popull të tërë me një grusht horrash, oligarkësh e hajdutësh ordinerë? Të enjtet parlamentare për shqiptarët janë vetëm ritet e përjavëshme në tempullin e kryegjatoshit. Gjamistët sekto-rilindas rrethojnë funeralin e tij për ritin e fundit më 25 prill, i cili do t’i marrë me vete.
Sjellja e këtij parlamenti ia kalon Ferrit të Dantes. Frika nga zgjedhjet, i ka shndërruar kthetrat e korrupsionit qeverisës në tentakulat e një grabitqari amfib që shtërngon prehën e tij (shqiptarët) nga makthi i fobisë së ferrit të 25 prillit. Ndaj, dhe fundi i këtij parlamenti sektar do mbahet mend si fosili i një artefakti të shëmtuar në historinë e brishtë të parlamentarizmit tonë. Epitafi i tyre në 25 prill do ia kaloi Ferrit të Dantes. Njerëz pa sy, pa vesh, pa gojë, me duar që zhvasin eshtrat e viktimave të tyre dhe shqyejnë njëri-tjetrin, me mbishkrimin: Ç’farë ju bëri Shqipëria që u sollët kaq keq me të?