Tërhoqën zvarrë turistin e huaj në gjendje të dehur, pezullohen efektivët e Sarandës! Zbardhet urdhri i kryepolicit Tonin Vocaj

113
Sigal

Dy efektivë policie të Sarandës janë pezulluar nga detyra pasi gjatë një kontrolli në Ksamil janë filmuar duke tërhequr zvarrë një turist të huaj i cili ishte në gjendje të dehur.

Sipas policisë bëhet fjalë për inspektor E. M. dhe inspektor D. B., me detyrë punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Sarandë.

Ndërkohë kryepolici i komanduar përkohësisht në detyrë Tonin Vocaj ka kërkuar hetim disiplinor ndaj tyre për shkelje të rëndë.

“Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë”, njofton policia

Njoftimi i plotë

Pas publikimit në rrjete sociale, të një videoje në të cilën shfaqen 2 punonjës policie, të cilët gjatë kohës që komunikonin me një turist të huaj (në gjendje të dehur), në Ksamil, kanë shkelur Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, janë marrë menjëherë masat përkatëse.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë ka pezulluar nga detyra inspektor E. M. dhe inspektor D. B., me detyrë punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Sarandë

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë dhe i inkurajon që të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuziv që mund të kryejnë punonjësit e Policisë.