“Tender i çmendur” në spitalin psikiatrik

735
Sigal

2 lavatriçe dhe 2 tharëse… 9 milionë lekë!

 Babëzia e njerëzve të veshur me pushtet të çdo niveli, ka arritur “ekstazën” për të vjedhur sa të munden, kur dhe ku të munden. Aq e shfrenuar është ofensiva e drejtorëve për vjedhje nga fondet publike, sa që ashtu si ministrat edhe drejtorët e “vegjël” në rrethe e konsiderojnë dhe e përdorin pushtetin si pronën e tyre private. Dje, në gazetën “Telegraf”, na erdhi një telefonatë nga Spitali Psikiatrik i Vlorës, sipas të cilit njoftoheshim, se “… pasnesër, datë 9 shkurt 2015, ora 10.00 në këtë spital do të zhvillohet një tender që i kalon kufijtë e çmendurisë. Sipas informacionit, drejtoria e këtij spitali ka shpallur tender për blerjen e 2 lavatriçeve dhe 2 tharësve”. Po ku qëndron “çmenduria” e tenderit të shpallur nga Spitali Psikiatrik i Vlorës? Tek vlera e ofruar e tenderit të blerjes. Pasi verifikuam informacionin, na rezultoi kështu: Në Buletinin e datës 2 shkurt 2015 të Agjencisë së Prokurimeve Publike, drejtoria e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë, me adresë në Lagja “10 Korriku”, me numër kontakti: tel/fax: +355(0) 33 205 105, paraqet kërkesën me objekt prokurimi (nëse ka lote, i ndarë sipas loteve), për blerje “Pajisje teknologjike për spitalin e ri psikiatrik Vlorë: lavatriçe – 2 copë (20 kg). Tharrëse – 2 copë, me vlerë 750 mijë lekë të reja, pa TVSH (20%), gjithsej 900 mijë lekë të reja. Pra, 9 milionë lekë të vjetra për të blerë dy lavatriçe me kapacitet larës 20 kilogramë veshje dhe dy tharëse elektrike. Nuk e dimë se në cilin realitet tregu, është mbështetur drejtoria e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, që ka guxuar e ka shpallur këtë blerje “të çmendur” në vlerën 9 milionë lekë të vjetra, për 4 pajisje elektronike nga 2+2, të njëjta, kur në fakt edhe në tregun e “babëzitur” shqiptar, ato kushtojnë sa 32 % e vlerës së çmimit të shpallur nga drejtoria e këtij spitali. Përveç çmimit të “çmendur” të ofertës për blerje, çfarë tjetër nuk shkon logjikisht në këtë tender? Në përcaktimin e pajisjeve që kërkohen të blihen, drejtoria thotë: “Blerje pajisje teknologjike…”. Deri sot, vetëm drejtuesi i Spitalit Psikiatrik të Vlorës, ka zbuluar se lavatriçet e rrobave dhe tharëset e tyre, qenkan pajisje teknologjike, sipas manualeve, këto pajisje klasifikohen në pasjisje elektronike shtëpiake e shërbime identike, ndërsa pajisje teknologjike quhen makinerët, pajisjet dhe linjat që shërbejnë për prodhim, ose shërbime në linja prodhimi. Gjithsesi, le t’i lëmë drejtuesit e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë në “mendjen” e tyre e të kthehemi tek çmimi i ofruar për blerjen e dy lavatriçeve 20 kg dhe të 2 tharësve, për të cilat shteti do të nxjerrë nga xhepi 9 milionë lekë, kur, në fakt, duhet të nxjerrë vetëm 30 % të vlerës së ofertuar nga drejtuesit “mendje ndritur” të këtij spitali, që si aktivitet të vetëm ka trajtimin e “mbledhjen” e mendjes së njerëzve…

  – 9 shkurt 2015, ora 10.00 Spitali Psikiatrik të Vlorës do të zhvillohet tender

– Blerja e 2 lavatriçeve dhe 2 tharësve, objekti i tenderit

– Vlera 750 mijë lekë të reja, pa TVSH (20%), gjithsej 900 mijë lekë të reja

– Vlera e tregut sa 32 % e vlerës së çmimit të shpallur nga spitali

Përparim HALILI