Ish-Këneta, atje ku varfëria është ulur “këmbëkryq”

1059
Sigal

Durrës/Mbi 15 mijë banorë, jetojnë mes papunësisë, skamjes dhe harresës së shtetit

Me një sipërfaqe prej 26 hektarësh,  ajo që ende quhet si ish-Këneta e Durrësit, shtrihet në një pjesë të konsiderueshme në hyrje dhe verilindje të qytetit bregdetar. Ajo gjendet e shtrirë dhe e kufizuar me zonat periferike si: Spitalla, Shkozeti dhe pjesërisht Sukthi.

 PAK HISTORIK

Deri në vitin 1953, ish-Këneta e Durrësit, shërbente si “gjol”, ku durrsakët zinin peshkun e freskët, por edhe mblidhnin kallamin për nevojat e tyre familjare. Këneta ka shërbyer edhe si ura lidhëse mes qytetit bregdetar dhe pjesës tjetër të vendit, pasi deri në momentin kur ajo u kthye në tokë të thatë, (me aksionet vullnetare) u shërbente banorëve edhe për shëtitje me varka në ditë të shënuara festive. Qysh prej vitit 1961, ish- Këneta u kthye në tokë të zakonshme dhe çdo gjë tjetër filloi të ndryshonte, duke planifikuar atje jo banesa kurrsesi, por ngritjen e një infrastrukture të nevojshme për industrinë e lehtë, të cilën Durrësi gjatë 50 viteve të shkuara e kishte me shumicë. Mbi  ish-Kënetën e dikurshme u ngritën, ndërmarrja e Plastikës, NISH-Goma, NB-Sera  dhe linja të tjera prodhimi. Pas viteve ‘90, ish-Këneta u kthye me shpejtësi në një zonë urbane të banuar, ku njerëzit nga të katër anët e vendit vërshuan atje duke ngritur fillimisht barakat dhe më pas godinat e tyre të banimit, pa marrë parasysh rrezikun e një katastrofe dhe ndotjeje ekologjike. Prej 14 vitesh në ish-Kënetë mungon totalisht infrastruktura e nevojshme për jetesë.

ISH -KËNETA SOT

Aktualisht, sot në Kënetë jetojnë afro 45 mijë banorë, bazuar mbi statistikat e marra në zyrën e Gjendjes Civile të Bashkisë Durrës në dhjetorin e vitit 2013. Duke filluar nga viti 1991 e deri në vitin 1996, në  ish-Kënetë u vendosën vetëm me vërtetime informale (pa asnjë dokumentacion legal) nga ish-zyrtarë të pushtetit lokal, mbi 1122 familje, por brenda 8 viteve ky numër u rrit 10 herë. Rritja e numrit të banorëve ka rritur gradualisht edhe problemet sociale, si papunësia, varfëria, mungesa e kujdesit arsimor dhe shëndetësor të cilat kanë ndikuar jo pak në jetën e të ardhurve. Zefi është prej 20 vitesh banor i ish-Kënetës, dhe jeton bashkë me familjen e tij (gruaja dhe 3 fëmijët) në një banesë e ndërtuar me blloqe, të cilës dimër –verë i mungon higjiena dhe çdo kusht tjetër jetësor. “Kam vite këtu kam ardhur nga Puka, fillimisht me qejf por tani e shikoj se jam bërë pishman, jam i papunë, jetojmë unë dhe familja ime me ushqimet e marra me listë tek dyqani i Martinit, një patriotit tim, i cili mban nja 40 shtëpi me bukën e gojës prej vitesh, por gjithsesi edhe ai një ditë do paratë”- thotë ai. Duke treguar për peripecitë e jetës së tij në ish-Kënetë (e cila fillimisht kur erdhi i dukej parajsë) ai shprehet i zhgënjyer edhe nga ndihma e shtetit.  Harresa e qeveritarëve duket tek rrugët e prishura e me baltë, tek mungesa e kanalizimeve dhe përhapja e ujërave të zeza vend e pa vend, tek mungesa e ujit, dritave, punësimit, shkollës dhe një ambulance, e cila do t’i shërbente 45 mijë banorëve të Kënetës për nevojat e tyre. Varfëria në zonën ish-moçalore është ulur “këmbëkryq” dhe i bën sfidë shtetit aktual. Tek ecën rrugëve të lagjes periferike, nuk mund të mos mbash mbi hundë shaminë për të parandaluar sado pak thithjen e “aromave” kundërmuese. Çdo njeri që takon, tek e shikon me sytë e zbehur dhe kurrizin e kërrusur nga skamja dhe mjerimi, të flet për hallet dhe dertet, të cilat prej vitesh nuk i ndahen. Ish-Këneta sot i ngjason  vende-vende lagjeve të dikurshme të Afrikës Jugore, të cilat jo vetëm harrohen por edhe diskriminohen nga shteti. Çdo ministër, kryeministër, deputet zone apo politikan, kur vjen në Durrës, padyshim kalon buzë ish-Kënetës, por asnjërit prej tyre nuk i ka vrarë sytë peizazhi gri i saj, asnjeri prej tyre nuk është ndalur atje qoftë edhe formalisht, të shkelë mbi tokën moçalore, e cila mban jo pak por plot 45 mijë frymë njerëzore, të cilët jetojnë mes dhimbjesh dhe shpresës se, “një ditë do të kujtohen edhe për ne”.

PROJEKTET

Për ish-Kënetën qysh prej vitit 1996 (por edhe deri sot) ka pasur dhe ka shumë projekte, por asnjë prej tyre nuk u konkretizua ndonjëherë. Kështu duke toleruar ardhjen e pakontrolluar të mijëra banorëve nga krahina të ndryshme të vendit, në shtatorin e vitit 1996, u anulua pa asnjë shkak projekti i një kompanie prestigjioze suedeze, e cila kishte menduar të ndërtonte atje një zonë industriale dhe deri në vitin 2000 të punësonte mbi 5 mijë banorë të asaj zone. Por kur çdo gjë ishte gati dhe bisedimet mes përfaqësuesve të kompanisë së huaj dhe ish-kreut të këshillit të rrethit Vasillaq Papaj, një urdhër i ardhur nga “lart” prishi gjithçka. Dhe vetëm pak muaj më pas ndodhi edhe katrahura e vitit të zi të 1997. Prej atij momenti suedezët u larguan  duke marrë me vete projektin dhe 160 milion dollarët, e duke e lënë ish-Kënetën si të tillë, pa infrastrukturë, dhe pa të ardhme urbane. Qysh nga viti 1992 deri sot në zonën (ish-moçalore) janë ndërtuar një shkollë 9 vjeçare, si dhe një qendër me dy ndihmës-mjekë dhe rrallë ndonjë mjek, duke e konsideruar atë si vend të thyer malor ku jeton çdo gjallesë veç njeriut. Në muajin shkurt të vitit 2005 Ministria e Pushtetit Vendor, ish-Kënetën e shpalli “zonë-pilot”, ku legalizimet fillimisht do të bëheshin në 1400 banesat e para duke parë rezultatet. Procesi i Legalizimit  edhe në ish- Kënetë po kontestohet nga banorët e saj. Nga njëra anë ish-pronarët, nga ana tjetër banorët e rinj, kanë krijuar trysni të dyzuar mbi pushtetin vendor dhe qendror. Shumë nga ish-pronarët, të cilëve “të fortët” u kanë pushtuar madje me tapi legale pronën e ligjshme, kanë kërkuar kompensim madje edhe në ish-Kënetë, duke mos i bërë shumë “naze” tokës së kripur moçalore. Përmbysja e projekteve dhe e ndalimi i vërshimit të miliona dollarëve nga donatorët e huaj për zonën e ish-Kënetës, i ka hapur rrugën një zone të populluar, e cila aktualisht ndodhet në udhëkryq e kaos…

BANORËT

Banorët presin prej vitesh një rrugë, një trotuar, një tubacion për ujërat e zeza, një rrjet për ujin e pijshëm. Vetëm rrjeti elektrik, i cili mendohet të nisë nga e para (pasi është krejtësisht kaotik me mijëra lidhje e tela mbi çati) llogaritet të kushtojë rreth 700 mijë euro, pa përmendur rrjetin e ujit dhe kanalizimeve, rrugëve, tregun etj.  Aktualisht për ish-Kënetën ka një projekt dhe një premtim elektoral, i cili duket se ka nisur të marrë udhën e vet prej disa ditësh.  Atje shumë shpejt do të nisë zbatimi i një projekti, i cili do të shtrihet në infrastrukturën rrugore, kanalizime dhe ndërtimin e dy shkollave dhe kopshteve për fëmijë, duke rritur shkallën e integrimit dhe nivelit qytetar edhe në periferinë e harruar të qytetit bregdetar, por gjithmonë duke rritur investimet nga shteti dhe donatorët e huaj.