Të gjithë helikopterët të prishur. Peleshi, 410 mln lekë për muzeun

86

Peleshi gjen kaq shumë para për këto lloj kinkalerish, por kur vjen puna te përmbytjet dhe zjarret, ministri ynë ngre duart lart dhe deklaron se helikopterët janë të prishur, nuk ka mundësi t’i riparojë.

Sigal

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nuk ka asnjë helikopter në gjendje të fluturojë. Por hedh qindra milionë lekë për një ashensor dhe ca stenda muzeu. Tenderi i fundit i tij kap vlerën rreth 410 milionë lekë. Është vërtetë paradoksale, por këto para do të shkojnë për krijimin e një muzeu armësh në fshatin Bërzhitë raporton gijotina. Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-56483-01-20-2023 dhe objekt “Muzealizimi, mobilimi, ndriçimi i objekteve muzeale, vendosja e mjeteve, pajisjeve, si dhe teknikës dhe armatimit në tarracat e jashtme dhe ambientet e brendshme si dhe vendosja e ashensorit në Muzeun e Forcave të Armatosura, Bërzhitë, Tiranë”.

Ky tender është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve në buletinin e datës 30 janar 2023. Pra, 410 milionë lekë do të shkojnë për disa rafte ku do të vendosen armët, disa llamba ndriçuese dhe për një ashensor.

Dhe parashikohet që projekti të përfundojë deri në muajin maj të këtij viti. Kështu, Peleshi ka nënshkruar veprën e tij të radhës. Nuk mjafton muzeu i armëve në Gjirokastër, por u dashka edhe një në Bërzhitë! Pse duhet ky muze? Për të ekspozuar armët ruse dhe kineze, që përdoreshin nga ushtria e Enverit?! Apo për helikopterët e prishur?

Peleshi gjen kaq shumë para për këto lloj kinkalerish, por kur vjen puna te përmbytjet dhe zjarret, ministri ynë ngre duart lart dhe deklaron se helikopterët janë të prishur, nuk ka mundësi t’i riparojë.

Vetëm një javë më parë shumë qytete në vend u zhytën nën ujë nga reshjet e shumta të shiut. Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile në varësi të saj, vetëm sa dilnin në deklarata publike dhe bëni propagandë së po ndihmojnë qytetarët. Por, askush nuk foli për përgjegjësinë që duhet të mbajnë, dhe masat që duheshin marrë më herët.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe gjatë verës për shkak të flakëve që përfshinë vendin tonë dhe ministri priste me sytë nga qielli të vinte ndonjë avion grek.

Pothuajse i gjithë vendi kishte vatra zjarri që dëmtuan mijëra hektarë tokë dhe pyje. Por le të marrim vetëm dy raste kur duhej me patjetër edhe ndërhyrja e forcave ajrore ushtarake. Bëhet fjalë për zjarrin që përfshiu për më shumë se një javë ishullin e Sazanit në qershor dhe fill pak javë më pas u gjend nën pushtetin e flakëve edhe Kepi i Rodonit.

Të dy janë zona turistike dhe mjaft të populluara gjatë sezonit të verës. Por, për shkak të terrenit të vështirë, vetëm ndërhyrja e zjarrfikësve ishte e pamjaftueshme.

I kontaktuar nga mediat për këtë situatë, asaj kohe Peleshi tha se helikopterët, që shërbenin për të fikur zjarrin nga ajri janë dërguar jashtë shtetit për riparime. “Një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh. Për rrjedhojë, nuk janë të disponueshme”, njoftoi Peleshi me 6 qershor. Por gjatë gjithë sezonit të verës këto helikopterë nuk u vunë kurrë në punë.

Është e qartë se ministri, ashtu si zyrtarët e tjerë të kabinetit “Rama” është në nxitim të bëjë sa më shumë tenderë para zgjedhjeve, pavarësisht se për çfarë shërbejnë! Me sa duket helikopterët do të strehohen në këtë muze!