Tahiri: S’tërhiqemi për gjobat progresive ndaj mjeteve

509
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dalë para mediave për të bërë bilancin e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2015, të cilin e konsideroi si të suksesshëm dhe vitin në të cilin vrasjet janë ulur në shifra rekord. Ministri Tahiri është ka shprehur superlative për rritjen e sigurisë në vend, për rritjen e numrit të personave që janë kapur nga policia, ndërsa rritje kanë pësuar aksidentet me pasojë vdekjen. Ministri ishte kritik edhe për punën e Prokurorisë që siç tha ai ka pushuar disa hetime për ish-zyrtarë të Ministrisë perfshi dhe atë ndaj Lulzim Bashës për shpërdorim detyre. Teksa e ka cilësuar bilancin e një viti të suksesshëm, me shifra pozitive të luftës ndaj paligjshmërisë dhe kriminalitetit, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk u tregua aq optimist kur iu referua numrit të lartë të aksidenteve rrugore që vetëm përgjatë 2015 janë rritur me 4.5%.

Z. Tahiri ngriti shqetësimin se krimi brenda familjes mbetet sërish në nivele të larta.
Tahiri: Sa i takon aksidenteve dhe sigurisë rrugore ka rritje të numrit të aksidenteve me rreth 4.5% krahasuar me 2014, ka rritje të numrit të viktimave në aksidente në numër absolute, ndërkohë që 31% e vrasjeve gjatë 2015 janë vrasje brenda familjes.
Në lidhje me debatin e gjobave progresive për automjetet si dhe interesit të Ora News se në cilin model perëndimor bazohet kjo praktikë kur në vendet perëndimore taksohet në mënyrë progresive makina dhe jo kundravajtja, Ministri dha këtë përgjigje:
Tahiri: Jo nuk është plotësisht e vërtetë kjo që thoni, megjithatë unë mendoj që një mjet me cilindratë të vogël, pra me fuqi motorike të vogël që dëmin në rast se shkel rregullat e qarkullimit rrugor e bën të vogël, nuk mund të ketë të njëjtën masë gjobe me një mjet tjetër që ka cilindratë të madhe.
Sfida e policisë së shtetit për vitin 2016 do të jetë ajo e pajisjes me kamera në trup të të gjithë policëve në terren, ku media do të ketë aksesin për të parë çdo aksion të ndërmarrë.
Ministri i Brendshëm ka bërë edhe një përmbledhje për ish-zyrtarët e Ministrisë dhe policisë që ai ka paditur përgjatë një viti që nga padia e ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha e deri tek ish-specialistit i Qendrës së Drejtimit të Gardës së Republikës Zef Frrokut lidhur me ngjarjet e 21 Janarit, duke bërë përgjegjëse Prokurorinë që sipas tij ka mbyllur çështjen.
Në listën e gjatë të padive të ngritura, Ministri i Brendshëm përmendi gjithashtu padinë penale ndaj ish-komandantit Ndrea Prendi për ngjarjet e 21 Janarit, çështje e cila është ende në hetim.
Lidhur me deklaratat e Tahirit reagoi edhe Partia Demokratike.
Ina Zhupa: Ministri i krimit dhe korrupsionit, njolla e turpit e Shqipërisë duhet të largohet njëherë e mirë, një orë e më parë si parakusht për stabilizimin e rendit dhe sigurisë dhe duhet të vihet para drejtësisë.
Sigal