Studentët, fushatë sensibilizimi qytetarëve, për pagesat elektronike

208
Sigal

 

Gazeta Telegraf

Grupimi studentor “ABC Tirana Club” në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, është përfshirë në një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi për rritjen e pagesave dhe transfertave elektronike nga ana e qytetarëve.

Ata e shikojnë ende të lartë nivelin e pagesave me para në dorë, si një nxitës për informalitetin dhe korrupsionin në vendin tonë. Studentët janë në edicionin e tretë të programit mbi edukimin ekonomik dhe financiar të qytetarëve që e kanë nisur në vitin 2019. Ata kanë zhvilluar një sondazh, gjetjet e të cilit i kanë prezantuar ditët e fundit, ku 350 qytetarë janë intervistuar në shtatë qendrat kryesore tregtare në kryeqytet.

 Niveli i qasjes në sportelet e bankave

“Cilin prej veprimeve kryeni më shpesh në bankën ku jeni klient?”, ishte një prej pyetjeve të sondazhit, ku përgjigjet ishin: 45% “tërheq pagën”; 24% “paguaj fatura të ndryshme nga aktiviteti i biznesit”; 15%  “depozitoj në llogarinë e kursimeve”; 11% “paguaj fatura për shpenzimet periodike (elektrik, ujësjellës, telefon, internet etj.)” dhe pjesa e mbetur prej rreth 5% zgjodhi alternativën “marr dërgesa parash nga të tjerët”.

Pyetjes se “A e përdorni aplikacionin virtual të bankës”, 35% ju përgjigjën “po”, kurse 65% deklaruan “jo”. Prej atyre që e përdorin aplikacionin e bankës, 42% pohuan se veprimin kryesor e bënin më shumë “për të kontrolluar në çdo kohë gjendjen e llogarisë”, kurse rreth 58% pranuan se e përdornin “për të kontrolluar në çdo kohë gjendjen e llogarisë dhe për të realizuar transferta”. Ata që nuk e përdorin aplikacionin virtual të bankës ishin të ndarë në: rreth 48% “nuk kam njohuri”; 21 % “nuk e vlerësoj të nevojshme”; 16% “nuk kam siguri nga sistemi”;  2% kishin si shkak “një eksperiencë negative” dhe pjesa tjetër nuk dha përgjigje.

Niveli i përdorimi të ATM-ve për tërheqje nga llogaria ishte pjesë e sondazhit të realizuar nga “ABC Tirana Club”. “Shumë shpesh” u përgjigjën 23%; “shpesh” u përgjigjën 13% dhe “mjaftueshëm”  17%. Ndërkohë rreth 25% e të pyeturve pranuan se “shumë rrallë” kishin përdorur ATM-të për tërheqje nga llogaria, kurse rreth 21% u përgjigjën se “asnjëherë” nuk kishin bërë këtë veprim.

Pyetjes “ A mendoni se përdorimi i kartave bankare cënon dhe privatësinë e klientit?” 70% ju përgjigj “jo”, kurse pjesa tjetër dyshuese, u nda në rreth 17%, që u përgjigj “po” dhe rreth 13% që refuzoi të përgjigjej.

 

Nxitje e fushatave të informimit

Pjesë e fushatës studentore ishte dhe realizimi së fundmi i Forumit të Diskutimit “Apliko pagesën elektronike!” në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Për dekanin e fakultetit, prof. dr Dhori Kule, iniciativa e studentëve është shumë pozitive. “Tani që janë ende në auditorë ata kanë nisur të kenë produkte konkrete. Po angazhohen të kontribuojnë në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.”

Aktivistët e “ABC Tirana Club” thonë se projekti i tyre synon nxitjen e publikut që të informohet dhe ndërgjegjësohet për nevojën e aplikimit të pagesave elektronike; për prezantimin e efekteve pozitive dhe ndikimin në jetën e tyre të përditshme, por dhe impaktin në zhvillimin ekonomik, financiar të vendit etj.

Johan Muka, drejtues i “ABC Tirana Club”, pohon se fokusi është dhe te “nxitja e institucioneve dhe agjencive publike e private, Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë, Bankës Qendrore, Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, bankave të nivelit të dytë, Shoqatës Shqiptare të Bankave, qarqeve universitare dhe akademike, shoqatave të konsumatorëve etj., që të intensifikojnë fushatat e informimit dhe edukimit në këto aspekte”.