Statistikat alarmante/ Investimet e huaja ‘arratisen’ jashtë. Bizneset lidhen me kompani të huaja. Eksperti: Në Shqipëri mungon barazia fiskale

199
Sigal

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2022, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 166 milionë euro. Sakaq Shqipëria është investitori i gjashtë më i madh në Kosovë. Për të gjithë vitin 2022 kishin vlerën e 79.7 milionë eurove.

 Në 2022, investimet shqiptare jashtë vendit shënuan vlerën më të lartë që prej vitit 2009. Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se jo vetëm Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri po shënojnë vlera rekord, por një tendencë të dukshme në rritje shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2022, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 166 milionë euro, pothuajse katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në pjesën dërrmuese, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit, qoftë nëpërmjet flukseve të reja të kapitalit apo fitimeve të riinvestuara. Një pjesë më e vogël e investimeve konsiston hua të dhëna për kompanitë bija jashtë vendit.

Investimet direkte dalëse sidoqoftë kanë ende një peshë të ulët në raport me investimet e huaja hyrëse në Shqipëri, me rreth 12% të tyre. Bilanci neto i investimeve të huaja direkte ishte negativ (investimet hyrëse tejkalojnë ndjeshëm ato dalëse), për një vlerë të përgjithshme prej 1.2 miliardë eurosh, në rritje me 21.8% krahasuar me vitin 2021.

Informacioni statistikor për investimet e sipërmarrjes tonë jashtë vendit kufizohen vetëm në të dhënat e Bilancit të Pagesave dhe nuk ekzistojnë të dhëna më të detajuara për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale. Mund të vlerësohet se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të lidhura me investimet në pasuri të paluajtshme.

Megjithatë, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një informacion për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet se është shteti me përqendrimin më të madh të investimeve shqiptare. Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të shtatorit 2022, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 309 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i gjashtë më i madh në Kosovë. Ndërkohë, flukset e reja të investimeve shqiptare në Kosovë për të gjithë vitin 2022 kishin vlerën e 79.7 milionë eurove, në rritje me 58% krahasuar me vitin 2021.

Prania e ndërmarrjeve shqiptare në Kosovë është e përqendruar kryesisht në sektorin tregtar dhe atë financiar. Në Kosovë veprojnë disa prej operatorëve më të mëdhenj shqiptarë të distribucionit të mallrave të konsumit, kompani të shitjes me pakicë, si edhe banka, kompani sigurimesh dhe operatorë të shërbimeve të pagesave. Disa prej kompanive kryesore shqiptare që kanë aktivitet në tregun Kosovar janë Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Eurosig, UFT, Tobacco Holding Group, Marketing& Distribution, Neptun, Kid Zone (Jumbo), etj.

Përveç Kosovës, të dhënat zyrtare për praninë e sipërmarrjes shqiptare jashtë vendit janë të pakta. Megjithatë, disa prej grupeve të mëdha të biznesit në vend, si Balfin apo Union Financiar Tiranë kanë prani të tyre edhe në Austri, Zvicër, Kroaci apo Maqedoninë e Veriut. Investimet e jashtme të grupit Balfin janë të përqendruara kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, ndërsa ato të Union Group në sektorin e shërbimeve financiare.

Eksperti i Ekonomisë,Muço: Shqiptarët investojnë në kompani jashtë vendit, në Shqipëri mungon barazia fiskale

Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço duke komentuar lidhur me investimet e huaja gjatë vitit 2022 deklaroi se shqiptarët investojnë në kompani jashtë vendit. Ai tha se sipas bankës botërore, qëllim është blerja e një investimi ekzistues, ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë është blerja apo ndryshimi i një kompanie.

Në fakt në vitet e fundit edhe pse kemi rritje të vazhdueshme të investimeve të huaja, ajo që bën përshtypje është fakti se investimet e huaja ka vite që nuk e evidenton dot një investitor të huaj serioz, sepse dominojnë investimet nga vendet që ruajnë konfidencialitetin dhe kjo të bën të mendosh se një investitor serioz nuk shkon tek vendi ku ka konfidencialitet. Pikëpyetjet janë se investimet e huaja në vitet e huaja janë shqiptarë, që marrin të drejta ekskluzive dhe hapin kompanitë e tyre në vendet ofshore.

Ndërsa pyetjes se cilët janë investitorët, që kanë të fshehur pjesën, pra nuk dihet kush është pronari i vërtetë. Sipas tij, po të shohësh ku po shkojnë këto investime janë ose koncesione, që nuk kanë vlerë të shtuar, por marrin thjeshtë një koncesion në Shqipëri, sepse vlera e shtuar është gati gati e papërfillshme. Të gjitha këto sjellin zhvillim për vendin tonë, sigurisht që mund të jetë një fluks parash.

Po të lexosh me vëmendje konceptin e investimit direkt të huaj sipas Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë e para është fluks parash, që shkon nga një vend a në një vend b, me qëllim riinvestimin. Ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë është blerja, ndryshimi i një kompanie apo janë të shumta investime të huaja si ato imobiliare, por kam përshtypjen se ky nuk është investim i huaj i mirëfilltë. Dhe po t’i klasifikojmë këto investime të huaja se ku shkojnë, ato shkojnë në një pjesë imobiliare. Dhe po të kalojmë te investitorët strategjikë në vetvete nuk janë ata që vijnë dhe hapin vende pune apo ndërtojnë një fabrikë të re, por në vetvete janë pronarë shqiptarë që marrin toka dhe ndërtojnë resorte, që janë të rëndësishme për vendin, por që nuk mund t’i konsiderojmë të rëndësishme për zhvillime ekonomike.

Kemi 10 vite me një qeveri dhe në këto vite ka ndryshuar 7 herë sistemi fiskal dhe kjo tregon se nuk kemi një ide të qartë. Vetë turizmi është sektor prioritar, dhe pesha direkte e tij është 20% e GDP, por ne akoma se kemi ndarë sa është potenciali turistik, sa është fluksi. Diskutohet se Shqipëria mund të përballojë deri në 10 mln turistë, por kush do jenë këta 10 mln turistë, se po të shohësh këto investimet nga zona e Durrësit janë turrur për komplekse vilash, por besoj se s’ka kaq shumë nevojë për komplekse vilash, sepse të huajt nuk duan komplekse vilash, por duhet t’i ofrojmë hotele. Vërtet kur vjen një investitor i huaj në Shqipëri nuk është se i intereson shumë se sa është barra fiskale. Shumica e biznese në Shqipëri prodhon, por rezidencën fiskale e ka diku tjetër, por ama do stabilitet fiskal. Në Shqipëri vetëm vitin e fundit kemi pasur një rritje të pagës deri në 30%. Për mua le të thotë çfarë të dojë kryeministri jonë që e bën për mirëqenien e qytetarëve, por asnjë ekonomist nuk e beson këtë, është thjeshtë një formë për të luftuar informalitetin në paga, për të formatizuar ekonominë. Ne kemi një pabarazi fiskale.