Budapest, 25 Prill 2025 – Me nismën e Dr. Sándor Csányi, Bordi Drejtues i OTP Bank Plc. ka vendosur të ndajë funksionet e Kryetarit dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv (CEO) të bankës. Pas tridhjetë e tre vitesh në të dyja rolet, Dr. Sándor Csányi do të vazhdojë të shërbejë si Kryetar i Bordit Drejtues të OTP Bank, ndërsa Péter Csányi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Digjital të OTP Bank si dhe anëtar i Bordit Drejtues, do të marrë detyrën e CEO. Duke filluar prej muajit maj, András Sebők, ish-partner në McKinsey & Company, do të marrë rolin e Drejtuesit të ri të Divizionit Digjital të OTP Bank.
Në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të OTP Bank më 25 Prill 2025, Dr. Sándor Csányi njoftoi zyrtarisht aksionarët se, me iniciativën e tij, Bordi Drejtues ka vendosur të ndajë funksionet e Kryetarit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të OTP Bank Plc., që hyn në fuqi më 1 maj 2025. Si Kryetar i Bordit Drejtues, Dr. Csányi do të mbetet përgjegjës për drejtimin strategjik të Grupit OTP, duke përfshirë përcaktimin e strategjive të rritjes dhe zhvillimit, si dhe mbikëqyrjen e emërimeve dhe shkarkimeve të menaxhmentit dhe drejtuesve të filialeve të Grupit OTP.
Z.Péter Csányi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Divizionit Digjital të OTP Bank dhe anëtar i Bordit Drejtues, do të marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm duke filluar nga data 1 maj 2025, me miratimin e Bankës Kombëtare të Hungarisë.
Z.Péter Csányi iu bashkua OTP Bank në vitin 2016 si Drejtor i Drejtorisë së Shitjeve dhe Zhvillimit Digjital. Midis periudhës 2019 dhe 2021, ai menaxhoi zhvillimin dhe operacionet në këtë bankë. Që nga marsi i vitit 2021, ai ka shërbyer si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtues i Divizionit Digjital të OTP Bank, ndërsa që prej muajit prill 2021 është anëtar i Bordit Drejtues. Që nga viti 2020, ai është gjithashtu Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të OTP Banka d.o.o. në Kroaci, anëtar i Bordit Mbikëqyrës të OTP Mobil Plc., anëtar i Bordit Drejtues të kompanisë së kapitalit sipërmarrës PortfoLion, drejtues i Grupit të Punës për Digjitalizimin në Shoqatën e Bankave Hungareze, anëtar i Bordit Këshillues Evropian të Mastercard dhe Zëvendëspresident për Transformimin Digjital në Shoqatën e Sipërmarrjeve Digjitale.
Z.Péter Csányi ka përfunduar studimet për Ekonomi në City University of London në vitin 2006, më pas mori diplomën Master në Financë nga IE Business School në Madrid në vitin 2007 dhe MBA nga Kellogg School of Management në vitin 2015. Karrierën e tij profesionale e nisi në vitin 2006 në Merrill Lynch në Londër. Nga viti 2007 deri në 2011 ka punuar si analist dhe më pas si këshilltar financiar në sektorin e financave korporative pranë Deutsche Bank në Londër. Midis periudhës 2011 dhe 2016, ai ka qenë konsulent i lartë në McKinsey & Company, duke u fokusuar në projekte të sektorit bankar.
“Është një nder i madh të marr detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të OTP Bank. Kjo përfaqëson një ngritje institucionale të një modeli tashmë të provuar dhe të suksesshëm, pasi që nga viti 2023, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv Drejtues të OTP Bank, kam koordinuar një pjesë të madhe të vendimeve që ndikojnë në operacionet e përditshme. Në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm, pres të kontribuoj në marrjen më të shpejtë dhe cilësore të vendimeve për një funksionim më efikas, sepse ndarja e menaxhimit operacional dhe atij strategjik do të mundësojë një fokus më të mirë në këtë drejtim.” – u shpreh z. Péter Csányi në Mbledhjen e Përgjithshme të Bankës me rastin e emërimit të tij.
Dr. Sándor Csányi ka drejtuar OTP Bank si Drejtor i Përgjithshëm që prej vitit 1992. Nën drejtimin e tij, Grupi OTP ka arritur suksese të jashtëzakonshme në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Kapitalizimi i tregut të OTP është rritur më shumë se 200 herë, ndërsa kompania ka realizuar një zgjerim të pashembullt ndërkombëtar. Sot, Grupi OTP u shërben 17 milionë klientëve në 11 shtete me 40,000 punonjës. Asetet totale i tejkalojnë 100 miliardë euro, përfitueshmëria është e shkëlqyer, ndërsa qëndrueshmëria e Grupit renditet ndër më të mirat në Evropë. Arritjet e lidershipit të tij 33-vjeçare pasqyrohen në mënyrë domethënëse nga renditja e OTP Bank si banka e katërt më rezistente ndaj krizave në kontinent, sipas testit të fundit të stresit të Autoritetit Bankar Evropian, si dhe nga fakti që OTP Bank renditet e para në Evropë për efikasitet financiar në renditjen e S&P Global Market Intelligence 2024, bazuar në tregues objektivë.
“Do të vazhdoj të udhëheq strategjinë aktive të OTP-së në vitet që vijnë si Kryetar i Bordit Drejtues. Shoh potencial të madh për rritje të mëtejshme përmes blerjeve dhe përmirësimeve digjitale dhe teknologjike tradicionale për të rritur efikasitetin tonë, dhe drejtimi i tyre do të vazhdojë të vendoset nga Bordi Drejtues. Gjatë nëntë viteve të fundit, nën drejtimin e Péter Csányi-t, OTP Bank ka forcuar pozicionin e saj si lider në fushën digjitale dhe që prej një viti e gjysmë, si Kryetar i Komitetit të Menaxhimit Operacional të Bankës, ai ka treguar aftësinë për të drejtuar me sukses operacionet e Grupit OTP edhe në kushte të vështira.” – tha Dr. Sándor Csányi në njoftimin drejtuar aksionarëve të OTP Bank.
Z.András Sebők, i cili do të marrë detyrën e Drejtuesit të Divizionit Digjital në maj, vjen në OTP nga McKinsey me përvojë të rëndësishme menaxheriale dhe një eksperiencë të gjatë në IT, si dhe 14 vite përvojë në sektorin bankar dhe 8 vite në konsulencë.
Kryeministri Viktor Orbán mori pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme të OTP Bank Plc., ku vlerësoi arritjet e Dr. Sándor Csányi, i cili hoqi dorë nga roli i Drejtorit të Përgjithshëm, dhe ishte i pari që uroi z. Péter Csányi për emërimin e tij në këtë pozicion.
Rreth Grupit OTP
Grupi OTP është një nga grupet bankare më të mëdha dhe me rritjen më të shpejtë në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, me përfitueshmëri të lartë dhe pozicion të qëndrueshëm në kapital dhe likuiditet. Me gati 40,000 punonjës në 11 vende të rajonit të Evropës Qendrore, Lindore dhe Azisë Qendrore, Grupi ofron shërbime financiare universale për 17 milionë klientë. Si konsoliduesi më aktiv në sektorin bankar të rajonit, Grupi ka përvetësuar dhe integruar me sukses 25 banka që nga fillimi i viteve 2000. Grupi OTP ka selinë në Hungari dhe një strukturë pronësie të diversifikuar dhe transparente. Grupi Bankar është i listuar në Bursën e Budapestit që nga viti 1995.