Spiro Mëhilli: Tërmetet dhe dështimi i shëndetësisë

891
Sigal

Tërmeti në Armeni në 7 dhjetor 1988, ku Erevani, solli një model ushtarak perfekt

SI  DUHET  TË  KRYHET SHËRBIMI SHËNDETËSOR NË RAST TËRMETESH

Detyra kryesore fillestare  ishte klasifikimi  i  dëmtimeve dhe në vazhdim mjekimi i të dëmtuarve

Prof. Ass. Dr Spiro  V. Mëhilli

 

Karakteri i papritur i   katastrofës  dhe shtrirja e tij  me shkatërrime ndërtesash dhe me  një numër të madh viktimash ose të dëmtuarish,   rëndohet më tepër kur midis  tyre  ka mjekë, personel mjekësor dhe të   afërm, dukuri që   çon në uljen e cilësisë  dhe ndihmës mjekësore. Në katastrofa të tilla si tërmete, zjarre masive apo përmbytje për shkak të forcave të natyrës asnjë drejtues shteti apo qeveri nuk mund ta parashikojë e për më tepër ta parandalojë një dukuri të tillë. Detyra e tyre është të ngrenë  në këmbë të gjithë strukturat shtetërore dhe të gjenden pranë njerëzve në nevojë. Pas marrjes së lajmit për katastrofë, në radhë të parë  duhet të shkundet Ministria e Mbrojtjes me personelin e saj mjekësor. Dikur në strukturën e shërbimit shëndetësor në Ministrinë e mbrojtjes ka ekzistuar dhe një regjiment special mjekësor. Mjekët kirurgë dhe  anesteziologë   që organikisht i përkisnin asaj strukture ishin të inkuadruar pranë Institutit të Kërkimeve Mjekësore Ushtarake dhe në rast nevoje shkonin në detyrë. Nuk e di nëse ekziston tani një regjiment i tillë.

Tjetër gjë është të flasësh për grupe avari-shpëtuese

 

Në katastrofën që ndodhi këto ditë tek ne personeli mjekësor i spitalit të traumës duhet të jetë gjendur përpara një situate tejet të vështirë. E them këtë nga numri i vogël i shtretërve, kur çdo ditë në vend ndodhin aksidente të shumta dhe të gjitha rastet e rënda përplasen në Tiranë. Për raste  katastrofash  duhet të ketë vende të veçanta me një numër shtretërish të caktuar për të përballuar situatën. Në vijim të këtij shkrimi do të jap një rast fatkeqësie që ndodhi në Armeni në 7 dhjetor 1988, ku Erevani, kryeqyteti i vendit u dëmtua shumë rëndë. Nuk dua të japë sesa shtëpi u shkatërruan apo u dëmtuan dhe sesa viktima pati, por sesi u organizua   një ekipi nga qendra për t’i shkuar në ndihme banorëve në nevojë. U dërguan dy ekipe mjekësore, ai kirurgjik  i kryesuar nga kryekirurgu  i Ministrisë së mbrojtjes së BRSS, profesor  gjeneralmajor i shërbimit mjekësor E. A. Neçajev dhe ai terapeutik i kryesuar nga krye/terapeuti i Ministrisë së Mbrojtjes së BRSS, profesor  gjeneralmajor i shërbimit mjekësor V.T. Iveshkin,. Sipas tyre në momentet e para organizimi i shërbimit shëndetësor  merr pamjen e rregullt me futjen e brigadave shëndetësore  ushtarake, sidomos atyre kirurgjikale dhe në rrjedhim  organizimi i  punës në vatrat e tërmetit. Në 8 dhjetor 1988 në  Erevan  shkoi një ekip prej  293 vetash. Në përbërje të tij   ishin profesorë dhe punonjës të Akademisë Mjekësore  me emrin e S. E. Kirovit dhe të Fakultetit të Mjekësisë Ushtarake. (Për kuriozitet, në Akademinë Mjekësore me emrin e Kirovit në Leningrad studiuan 18 veta për mjekë, në kursin e refeksionimit 11 veta dhe  në kursin e lartë  11 veta, gjithsej 40 veta)   dhe  përbëhej nga  128  kirurgë ushtarakë fushorë; 32 anestezistë dhe  transfuzionologë, specialistë të detoksifikimit ekstrakapilar; 18 terapeutë, psikiatër, neuropatologë; 8 laborantë, mikrobiologë, imunologë; 9 mjekë  në specialitete të ndryshme dhe 98 ndihmësmjekë. Brenda disa orëve u dërguan   450 shtretër. Detyra kryesore fillestare  ishte klasifikimi  i  dëmtimeve dhe në vazhdim mjekimi i të dëmtuarve. Është e qartë se në fillim, shumica e të dëmtuarve do të kenë trauma të vogla, sepse ata vijnë vetë në qendrat shëndetësore. Në  Leninakanie  fjala vjen  në 6 orët e para u paraqitën për ndihmë mjekësore  600 veta. Nga ata, vetëm ¼  ishin në gjendje të rëndë me trauma të mbyllura të barkut shoqëruar me dëmtime të organeve të brendshme ose me  fraktura të hapura të kockave të gjymtyrëve.

Në përgjithësi nga ekipi  u trajtuan 4646 veta. Nga këta, 49,7% kishin fraktura të gjymtyrëve dhe të baçinit (legenit); 27,1% dëmtime të kokës dhe të kolonës vertebrore; 10,7%  dëmtime  të gjoksit dhe të barkut  dhe  12,5%  dëmtime të indeve të buta. Shifra 12,5%  është e  ulët  sepse  shumë veta u mjekuan ambulatorisht për dëmtime të lehta. Për 20 ditë punë ndihme  të specializuar  dhe të kualifikuar u  trajtuan 1250  të dëmtuar dhe u  kryen 1485 ndërhyrje kirurgjike: fasciotomi-nekrotomi në 524 veta, përpunim kirurgjik i plagëve  në 262 veta, ripozicionim dhe imobilizim  i copave kockore  në 164 veta, amputim dhe riamputim  në 155 veta, osteosintezë  në  95  veta, ndërhyrje kirurgjike  në traumat e kokës, qafës dhe kolonës në 58  veta, laparatomi në 15 veta  dhe hemodializë në 212 veta.

Rëndësi të veçantë mori Sindroma e Shtypjes së Vazhdueshme ose  Krash Sindroma.

Nga 3203 të observuar,  ajo u takua në 765 veta (23,8%). Si shifër ishte më e lartë se  në tërmetet e rënë në Ashkabad (3,8%), në Marok (7,6%), në  Jugosllavi (5,5%) dhe në Itali (21,8%). Shkalla e lehtë e  sindromës  u takua në 22% të të observuarve, ndërsa   shkalla e  mesme dhe e rëndë në 78%.  Pacientët  me sindromë të shkallës së lehtë  dhe të mesme për të marrë ndihmë mjekësore në përgjithësi  erdhën 12 orët e para. Ata me Krash Sindromë të rëndë  mbetën nën rrënoja  për 24 orë ose edhe më shumë. Midis të dëmtuarve pati dhe gra, ku 5% e tyre  ishin në faza të ndryshme të shtatzënisë. Nga 765 veta me këtë sindromë  u kryen 1015 ndërhyrje kirurgjike. Në mbi 50% u bë fasciotomi dhe nekrotomi. Përpara fasciotomisë u  bënë kërkime  duke përdorur  metodat  fizike dhe mbi të gjitha  ato kapilarofotometrike. Fasciotomia u bë pas fillimit të edemës progresive shoqëruar  me çrregullime limfatike dhe qarkullimit të gjakut në gjymtyrë,  shoqëruar me  nekrozë të muskujve edhe zhvillimin e infeksionit purulent anaerob.  Për amputimet dhe riamputimet  u vlerësuan dëmtimet e gjymtyrëve  me nekroiscemi totale dhe infeksion progresiv të plagëve. Ndërhyrjet në traumat e ndërlikuara  u bënë me narkozë  endotrakeale në 16,2% të rasteve dhe intravenoze në 27,3%. 212 ndërhyrje operative u bënë për hemodializë dhe  hemorezorbim. U panë ndërlikime në 50,8% të të dëmtuarve  të  mesëm që trajtoheshin me   mjekim konservativ. Në 49,2%  të rasteve ndërlikimet ishin të rënda, prandaj u kalua në detoksikimin ekstrakorporal me hemodializë  dhe me  hemoabsorbim.  Në të dëmtuarit rëndë në 289 raste  u morën    analiza  mikrobiologjike  nga plagët   dhe  përgjigjet treguan në 100%  prani të  florës multimikrobike  me proteus, escherichia coli, pseudomonas auruginosa dhe streptococcus fecalis. Në 20% të analizave u pa dhe prania e mykut. Praktika e ditëve të para tregoi pamjaftueshmërinë profesionale  në përgatitjen e specialistëve  të profilit terapeutik gjatë punës në kushtet  e tërmetit sidomos në trajtimin e Krash Sindromës.

Fatmirësisht në tërmetin që kaloi një pjesë e mirë e vendit tonë nuk pati dëmtime të kësaj shkalle, por strukturat shëndetësore duhet të jenë të përgatitura për fatkeqësi më të mëdha që do Zoti  të mos  ndodhin.

Pas marrjes së lajmit për katastrofë, në radhë të parë  duhet të shkundet Ministria e Mbrojtjes me personelin e saj mjekësor. Dikur në strukturën e shërbimit shëndetësor në Ministrinë e mbrojtjes ka ekzistuar dhe një regjiment special mjekësor.