SPAK-u kërkon ta arrestojë, avokati i njohur dyshohet se urdhëroi hedhjen në erë të makinës së ish-bashkëshortes

157
Sigal

Mes 32 urdhër arresteve që ka lëshuar SPAK mbrëmjen e djeshme është edhe emri i një avokati të njohur që dyshohet se ka bashkëpunuar me bandet kriminale.

SPAK ka lëshuar urdhër arresti për avokatin A.B, i cili dyshohet se ka kërkuar nga grupe kriminale që të hedhë në erë makinën e ish-bashkëshortes së tij. Operacioni është në vijim dhe nuk dihet ende nëse është arrestuar apo jo avokati në fjalë, i cili gjatë punës së tij ka bërë edhe mbrojtjen e anëtarëve të këtyre grupeve kriminale në gjyq.

Urdhër arrestet u firmosën nga gjyqtarja e gatshme e GJKKO-së Atalanta Zeqiraj pas kërkesës nga disa prokurorë të SPAK-ut.

Mësohet se deri më tani është arrestuar vetëm një person në Peqin, ndërsa operacioni vijon dhe pritet që prokurorët e SPAK të dalin në një konferencë për shtyp në orën 13:00.

Operacioni u zhvillua pas zbërthimit të Nuredin Dumanit para prokurorëve të SPAK, i cili ka zbardhur një mori ngjarjesh të bujshme kriminale që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në vend, kryesisht atentate të bujshme në Elbasan, Tiranë, Peqin dhe Shkodër.