SPAK dhe Konkurenca të nisin hetimet për shitjen e aeroportit të Rinasit

305
Sigal

Konfindustria, duke marrë shkak nga njoftimet mediatike për ndryshim të kompanisë menaxhuese të koncesionarit të aeroportit të Tiranës “Nënë Tereza”, kërkon shprehjen publike sa më të shpejtë të Autoritetit të Konkurrencës për vlefshmërinë ligjore të transaksionit në fjalë si dhe masat përkatëse për të shmangur vendosjen dhe zgjatjen e gjendjes monopol në tregun strategjik në fjalë.

Sipas njoftimeve zyrtare bëhet e ditur, se aksionet e kompanisë menaxhuese të aeroportit të Tiranës, kanë kaluar në zotërim të “Kastrati Group”. Ndërkohë, kompania në fjalë ka marrë në koncesion edhe aeroportin e Kukësit në ndërtim e sipër.  Zotërimi i menaxhimit të sistemit aeroporteve të vendit nga një kompani e vetme edhe teorikisht kthen në gjëndje monopol sektorin strategjik në fjalë edhe për dhjetra vite të tjera.

Pasojat negative të mundshme nga vazhdimi në monopol privat i sistemit aeroportual të vendit rrezikojnë të jenë barrë e rëndë e shtuar prej qindra milionë euro për biznesin, qytetarët shqiptarë dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë.

Menaxhimi i deritashëm në kushte monopoli të pastër i aeroportit të Tiranës pasqyrohet në tarifat më të shtrenjta në rajon dhe më gjerë, që kanë qenë të detyruar të paguajnë bizneset dhe qytetarët shqiptarë. Normat e fitimit pasojë e gjëndjes monopol për koncesionarin janë shumë të larta. Në mënyrë të drejëpërdrejtë janë prekur sektorët e industrisë së turizmit dhe sektorët e shumtë të ndërlidhur, bizneset në tërësi si dhe buxhetet familjare të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Agjencitë shtetërore kanë dështuar në vazhdimësi në marrjen e masave antimonopol në sektorin aeroportual. Qeveria shqiptare dhënien e të drejtës koncesionare të operimit të aeroportit të Kukësit e përligji edhe me rritjen e mirëpritur të konkurrencës në sektorin strategjik aerportual, që natyrshëm mund të sillte uljen e dëshiruar të kostove përkatëse për qytetarët, biznesin dhe ekonominë në tërësi. Zhvillimet e fundit e bëjnë edhe ligjërisht të pamundur hapjen e tregut, rritjen e konkurrencës së domosdoshme dhe uljen e kostove për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare edhe për shumë vite të tjera.

Gjergj Buxhuku

Administrator i Përgjithshëm