Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore, nga distanca te masat e sigurisë. Ja si do të bëhet testimi

304
Sigal

Maturantët në gjithë vendin i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore.

Provimi nis orën 10:00 dhe rreth 31 mijë maturantë do të testohen për gjuhën e huaj.

Sipas procedurave të përcaktuara që më parë, provimi zgjat për dy orë, ndërkohë që maturantët do të ulen në distancë deri në dy metër nga njeri tjetri, në klasa jo të populluara e që sigurojnë largësinë e nevojshme, sipas protokollit për pandeminë e COVID-19.

Të gjithë personat që do të jenë të pranishëm gjatë zhvillimit të testit do të jenë të pajisur me maska dhe doreza.

Ndërkohë, për shkak të pandemisë në ambientet ku do të kryhet provimi do të bëhet dezinfektim dhe çdo klasë do të ketë maksimumi 15 nxënës që do të mbikëqyren nga një koordinator.

Më datë 11, maturantët do të japin provimin e Gjuhës Shqipe, ndërsa më datë 15 qershor provimin e Matematikës. Në fund të sezonit, më datë 18 maturantët japin provimin e lëndës me zgjedhje.