Sot nis viti i ri akademik! Pedagogët do të bojkotojnë mësimin

127
Sigal

Nuk ka mësim normal në auditorë. Pas dy vitesh mësim në kushte jonormale për shkak të pandemisë, fakultetet nuk i kthehen as këtë vit rrjedhës së zakonshme.

Pedagogë e studentë do të mblidhen sot, ashtu si çdo ditë tjetër, por jo për të zhvilluar mësim.

Së paku në orët 10:00 me 12:00 të paradites. Nuk do të jetë një bojkot i zakonshëm i të gjithë mësimit, por në vetëm dy orë në çdo ditë të javës. Për t’i kujtuar qeverisë rezistencën për një të drejtë themelore si dhe sensibilizimin e të gjithë instancave që kanë lidhje me universitetet.

Kjo e ditës së sotme do të jetë protesta e katërt e pedagogëve për një trajtim dinjitoz. Ata nuk mjaftohen me rritjen e papërfillshme prej 7% nga buxheti i shtetit, teksa shtojnë se pjesën tjetër, 8% nga ana e universiteteve buxheti i të cilave varet në masë dërrmuese nga tarifat e studentëve, nuk e konsiderojnë.

Në krah të tyre kanë tanimë edhe studentët, të cilët janë shprehur hapur pro kauzës së tyre, në pritje të një përgjigjeje që nuk erdhi kurrë nga qeveria për një mbështetje prej 100 eurosh për çdo student.

Ndërsa dekanëve, përmes një kërkese të nisur pas protestës së të premtes së javës që shkoi (faksimile përbri shkrimit) iu është kërkuar të qëndrojnë në krahun e atyre që i kanë zgjedhur, pra, pedagogët.