Sot liri-dalje vetëm për pensionistët dhe prindërit me fëmijë deri në 14 vjeç, nesër hapen parukeritë, berberët dhe dentistët

508
Sigal

Edhe këtë të dielë pensionistët dhe prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç kanë mundësi të shijojnë lirinë. Për pensionistët liridalja është deri në orën 10:00, ndërsa për  prindërit dhe fëmijët nën 14 vjeç do të kenë mundësi të lëvizin nga ora 11:00 paradite deri në 17:30 të pasdites. Ndërkohë, sot në të gjithë vendin do të janë të mbyllura të gjitha aktivitetet.

Ndërsa, nga nesër hyjnë në fuqi disa masa të tjera lehtësuese, pasi do të rifillojnë aktivitetin e tyre parukeritë, berberët, klinikat dentare dhe dyqanet në qendrat tregtare, por duke ruajtur distancimin social dhe me vetëm 1 klient apo pacient në radhë.

Kryeministri Edi Rama njoftoi pak ditë më parë se pas 11 majit do të mbeten në zonën e kuqe bashkitë Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Kurbin, Krujë, dhe në këto zona do të jetë në fuqi i njëjti regjim oraresh. Ai theksoi se këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara. Sipas tij e gjitha pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe do të lejohet qarkullimi ndërqytetas me automjet privat deri në orën 21.00 të mbrëmjes.