Sot Dritëro Agollit i jepet titulli i lartë “Mirënjohje e Labërisë”

672
Sigal

Korifeu i letrave shqipe: Nuk kam bërë ndonjë gjë, vetëm detyrën si qytetar

Një nga gëzimet më të mëdha në përvjetorin e 83-të të ditëlindjes së ikonës së letrave shqipe, Dritëro Agolli, është ai i sotmi, ku Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria e nderon me titullin më të lartë për figurat kombëtare “Mirënjohje e Labërisë”. Ky titull i lartë, sipas kryetarit të shoqatës Profesor Ago Nezha, u jepet atyre personaliteteve me përmasa kombëtare që nuk janë nga Labëria, por që me punën dhe aktivitetin, veprimtarinë dhe vlerësimin e tyre i kanë kontribuar Labërisë si një trevë me tradita të larta patriotike, historike dhe kulturore. I kontaktuar nga gazeta “Telegraf” për këtë eveniment në orët e vona të mbrëmjes së djeshëm, Dritëro Agolli shprehu mirënjohjen dhe respektin kulturore “Labëria” dhe gjithë banorët e kësaj treve. “Unë nuk kam bërë ndonjë gjë të veçantë, vetëm detyrën si qytetar…  Por jam shumë i lumtur për këtë vlerësim që më bën Labëria, dhe që përkon me ditëlindjen time të 83-të. Kam pasur shumë vizita dhe urime, por ky është një vlerësim i veçantë që më gëzon tej mase, pasi më kujton rininë time në Gjirokastër ku jam shkolluar, si dhe për burrat e gratë fisnike të kësaj treve që i kam pasur dhe i kam miq, kam punuar vite e dekada me ‘to. Ndërkohë, ky vlerësim dhe mirënjohje më bën që të ndjehem më shumë lab. Vlerat e Labërisë janë të jashtëzakonshme. Ajo ka nxjerrë shumë njerëz të shquar dhe I ka dhënë historisë personalitete në të gjitha kohët, që nga Ismail Qemali e deri tek heronjtë e luftës së Vlorës si dhe shumë shkrimtarë e poetë të shquar si Petro Marko, Shefqet Musarai, poeti lapidar Ali Asllani, Fatos Arabi, etj… Për Labërinë mund të flasësh pa mbarim për të gjitha fushat e jetës se ajo i ka dhënë dhe i jep kombit tonë një frymë patriotike, dashamirëse, atdhetare, bashkëvepruese, që përcjellin mesazhe paqe, dashurie e miqësie. Falënderoj njëkohësisht drejtuesit e shoqatës Labëria, mikun tim Ago Nezha, e nëpërmjet tyre, gjithë komunitetin lab”- pohoi për “Telegraf”, Dritëro Agolli.

Njëkohësisht, për këtë eveniment, u prononcua dhe Profesor Ago Nezha, kreu i shoqatës “Labëria”. “Nderimi që ne i bëjmë Dritëro Agollit, është një obligim patriotik dhe qytetar për një patriot të shquar të vendit tonë që ka dhënë e jep një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare, për historinë. Letërsinë dhe artin shqiptar dhe njëkohësisht, për emancipimin e politikës shqiptare. Jam i nderuar dhe i privilegjuar që në emër të shoqatës kulturore atdhetare Labëria t’i dorëzoj vlerësimin e lartë të kësaj shoqate korifeut të letrave shqipe, Nderit të Kombit, Dritëro Agolli”- poho prof. dr. Ago Nezha.