Ish-këshilltari Berishës, biznes me mësuesit dhe librat e tij në Durrës

603
Sigal

Bardhyl  Musai, do të bëjë “reformat arsimore”

Taksa e habitshme, një ish-këshilltar  mjaft  i ethshëm  i  ish-Kryeministrit  Berisha, caktohet  nga MAS  si  njeriu  që do të “ndjekë nga  afër  dhe  do të realizojë reformën  arsimore” në  DAR  Durrës.  Bardhyl Musai, ish-këshilltari  i Sali Berishës do të kryesojë reformën  në shkollat e Qarkut të Durrësit dhe ky lajmi është bërë i ditur  nga burimet e DAR. Ditët e fundit një  e-maili  u është dërguar  të  gjitha shkollave, ku bëhet edhe njoftimi. Ish –këshilltari për arsimin (që vetëm për arsimin nuk ishte)  i Berishës, është  përzgjedhur  ndër  më të “besuarit”  e Ministrisë  së Arsimit dhe Sporteve,  për  të ndjekur  një  nga  prioritetet  kryesore të  arsimit  shqiptar.  Ai është emëruar  në krye të një ekipi  që do të “kualifikojë” të gjithë  mësuesit në shkallë vendi, gjë të cilën  e ka bërë edhe gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD. Në një e-mail  të dërguar  në  të gjitha shkollat  është  theksuar  se “në mesin e muajit  nëntor 2014 para Konferencës  Ndërkombëtare Arsimore të Shqipërisë  me temë “Dimensione europiane në kontekstin kombëtar”, do të zhvillohen edhe  katër  vvork-shop-e  nga ish-këshilltari Musai.  Ai sërish, si 8 vite më parë  ka shfrytëzuar  këtë  rast  për  të  “vjelë”  xhepat  e mësuesve, pasi çdo njëri  prej  tyre  për  të përfituar  “Certifikatën  Musai ” është i detyruar  të paguajë  1500 lekë, ose  12 euro.  Ish këshilltari  për arsimin në qeverinë e “Berishës”  ka bashkëpunuar  me  zyrtarët  e  Ministrisë  Arsimit dhe Sporteve për të arritur  dhe për t’u bërë  “referues  i  temave  metodike  për mësuesit” nga gjithë vendi.  Si  për  ironi  të fatit  personazhi, i cili është vënë në qendër  të kritikave  dhe akuzave  lidhur me një sere skandalesh  që kanë ndodhur  në arsimin shqiptar  në ish- qeverisjen  e  Berishës,  është  zgjedhur  të kualifikojë arsimtarët përmes  temës  “Formulimi  i  rezultateve  të  të nxënit  me synim kompetencat”. Këtë  herë  ky ish-këshilltar   që e katandisi   arsimin  shqiptar  në  falimentim dhe rrënimit  ka mundur  të  ngjitet  në majat e MAS. Ky dikaster  nuk dihet pse ka pranuar  ofertat  e ish-këshilltarit,  dhe ka miratuar  programin e kualifikimit  kundrejt  pagesës  12 euro  nga  mësuesit.  Për  t’i  shpëtuar  ndonjë  zhgënjimi, proteste  apo denoncimi nga mësuesit,   në  e-mail   dërguar shkollave  shkruhej se, “pjesëmarrja  në  këto  kualifikime  për  të përfituar  certifikatën  bëhet me dëshirë”.  Por  ky e-mail  bie ndesh  me  urdhrin e DAR në rrethe, sipas të cilit   “për vitin shkollor 2014-2015, duhet  të blejnë  detyrimisht  gjashtë  kredite”. Ky urdhër i MAS detyrimisht  hedh poshtë  e-mailin  se “vvorkshop  i  zotit Musai është me dëshirë”.  Ish -këshilltari  i  zotit Berisha,  vjen në këtë tryezë për të kualifikuar mësuesit  me  emblemën e UT, dhe Qendrës për Arsim Demokratik (CDE).  Mjafton të kujtojmë se 8 vitet e shkuara  ai ishte në piramidën e lartë të shtetit për arsimin, kur  lulëzuan  dhe u shumuan shkollat  fantazmë, shtëpitë botuese  antiligjore, tekste  jashtë  standardeve, universitete të sajuara etj. Ish-këshilltari  ishte  mbrojtësi  i tyre , i atyre institucioneve të shkollimit që prodhuan diploma  fiktive, shkatërruan të ardhmen e mijëra të rinjve. Pikërisht me firmën  dhe  veshin e shurdhër  të ish- këshilltarit  për arsimin, pronarë  të shkollave fantazmë dhe universiteteve pirate dhe shtëpive  botuese,  prodhuan tekste skandaloze dhe mbushën xhepat me lekë me shitjen e tyre. Dalja në skenë e ish-këshilltarit  si  i besuar i MAS  ka hedhur dyshime  dhe ka ngjallur reagime të shumta.  Ditët e fundit DAR  Durrës, ka urdhëruar  drejtorët e shkollave të ushtrojnë  presion  tek mësuesit për  të  marrë “Certifikatën Musai” kundrejt  12  euro  pagesë.  Deri  tani një kredit  ka qenë 1000 lekë, ndërsa  Musai  si një nga përgjegjësit  kryesorë  të kthimit  prapa të arsimit shqiptar, kërkon 1500 lekë apo 12 euro për  një kredit.  “Certifikata   Musai”  bie ndesh  vendimet e MAS, sipas të cilit  “do të ndalohen  procedurat  e deritanishme të kualifikimit me pagesë të mësuesve”.  MAS ka deklaruar se, “në vitin shkollor 2014-2015 të gjitha kualifikimet e mësuesve do të bëhen  falas  dhe  nuk do të ketë më kredite me lekë”.  Por  në realitet   ishte dhe është  ndryshe. Ka qenë ish- ministri Myqrem  Tafaj  që detyroi  mësuesit  të paguanin  për  të marrë pjesë në kualifikime. Për herë të parë kreditet me detyrim u vendosën në  vitin  shkollor 2012-2013 dhe çdo  kredit  paguhej  1000 lekë. Kualifikimi në këtë rast  zhvillohej në Durrës dhe mësuesit u dyndën me dhe pa dëshirë të paguanin  lekët  si mundësi e vetme për t’u mbrojtur . Disa mësues  që njiheshin  si  sekserë  të  DAR  dhe  shtëpive botuese  mbushnin  xhepat. Pazare të tilla  po  bëhen  të kushtueshme për mësuesit  të cilët  këtë herë do të duhet  të shkojnë në Tiranë për të marrë një “Certifikatën Musai”  nga  njeriu  që i solli arsimit  vetëm shkatërrime, kurse  për vete  vetëm  përfitime.

Tefik  OSMANI