Artan Fuga flet për pezullimin e rektorit Mynyr Koni: Ligji lë hapësirë për ndërhyrje politike

494
Sigal

Akademiku Artan Fuga duke folur për konfliktin e hapur mes Qeverisë dhe Rektorit të UT-së, Mynyr Koni, tha se është cënuar autonomia universitare. Siç dihet ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka pezulluar Konin dhe i ka kërkuar Presidentit Meta shkarkimin e tij. Kjo sipas Fugës është ndërhyrje në punën e universitetit dhe verteton edhe një herë se problemi mbetet tek Ligji i Arsimit të Lartë që lë hapësirë për ndërhyrje politike.

Duke folur për Mirela Milorin në Abc News, Fuga u shpreh se “në kulturën time universitare nisem nga dy parime të mëdha: Parimi i autonomisë dhe në parimin e autonomisë unë kërkoj dhe aspiroj që universitet shqiptare të kenë mekanizma të brendshëm. Kur flitet për Ligjin e Arsimit të Lartë, thuhet se ka autonomi. Në momentin kur unë jam brenda një agjencie autonome dhe nuk jam në dijeni, duket se ka një problem. Nga politika vjen një zgjidhje “ad-hoc” dhe unë kam tendencën të them që sistemi brenda nuk funksionon dhe unë jam i cenuar në autonominë time edhe nëse qëllimi i Ministres është i mirë. Unë jam i cenuar në autonominë time.
Parimi i dytë; Unë i përmbahem demokracisë universitare. Unë kam dhënë votën ose dhe mund të mos e kem dhënë e kanë dhënë kolegët e mi, dhe në një moment të caktuar thuhet se vota juaj do zerohet, do të bëhet “nul” sepse unë do të marr një vendim. Të dyja këto tregojnë se sistemi nuk funksionin. Unë i qëndroj vazhdimisht mendimin tim se ky kuadër ligjor do të prodhojë ndërhyrje politike”.

Kujtojmë se gjatë protestës së studentëve, të cilëve iu bashkangjiten edhe pedagogët, kërkesa kryesore ishte abrogimi (shfuqizimi) i Ligjit të Arsimit të Lartë. Kjo kërkesë nuk u pranua dhe nuk pranohet nga Qeveria.