Skrapar/ Vrau me thikë 77-vjeçarin, në burg autori i masakrës

487
Sigal

Vrau dhe masakroi me thikë komshiun dhe të afërmin e tij 77-vjeç Ramadan Çela, autori Hamza Çela u përball sot me togat e zeza të Gjykatës së Beratit për tu njohur me masën e arrestit. Gjykata vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ pa afat.

Pas vrasjes makabre të komshiut dhe të afërmit të tij Ramadan Çela në fshatin Jaupas të rrethit të Skraparit mbrëmjen e së hënës, autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është përballur sot me ‘togat e zeza’ të Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për tu njohur me masën e sigurisë.

Vrasësi 37-vjeçar Hamza Çela është transportuar drejt Gjykatës së rrethit të Beratit nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që në seancë nuk është lejuar prania e medias, për shkak të situatës pandemike nga virusi Covid-19.

Gjatë seancës që zgjati rreth 1-orë mësohet se, prokurori i çështjes Tasim Puci ka kërkuar vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të tij dhe ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Gjyqtarja Adelajda Gjuzi pasi ka dëgjuar palën akuzuese dhe atë mbrojtëse që për shkak të problemeve mendore të 37-vjeçarit që nuk është i pajisur me raport mjekësor ka kërkuar shtrimin në Spitalin Psiqiatrik në Vlorë, e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë dhe ka vendosur për të masën e sigurisë ‘arrest me burg’ pa afat.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Jaupas të rrethit të Skraparit mbrëmjen e së Hënës. 77-vjeçari Ramadan Çela u masakrua me thikë nga i afërmi i tij Hamza Çela, që sipas dëshmive të nipërve të viktimës në vendngjarje, i kishte prerë atij kokën, damarët e duarve e të këmbëve dhe i kishte nxjerrë zemrën jashtë.

77-vjeçari Ramadan Çela, që prej vitesh jetonte në qytetin e Poliçanit, ishte kthyer në shtëpinë e vjetër që kishte në fshatin Jaupas për tu marrë me tokat bujqësore dhe pemtarinë, por duke vaditur tokat e mbjella me domate ai u qëllua nga prapa me thikë nga Hamzai dhe pasi ra në tokë u masakruar nga autori, derisa gjeti vdekjen nga gjakëderdhja.

Autori shëtiti me thikë në dorë dhe me bluzën e lyer me gjak nëpër fshat u kap nga policia gjysëm ore pas vrasjes, në përpjekje për tu larguar nga fshati.