Pas disa muajsh hetime, Prokuroria e Tiranës ka zbardhur të plotë dosjen e fondit “Besa” për zhvatjen e qytetarëve.
“Të gjitha viktimat e kësaj skeme që u nisën të merrnin 300-400 mijë lekë të vjetra për bamirësi përfunduan kreditorë tek Fondi Besa me të paktën 6 milionë lekë të vjetra secili”.
Një tjetër skemë mashtrimi me kreditë është zbuluar nga Krimi Ekonomik në Tiranë pas disa muajsh hetime, ndërsa kësaj radhe del në skenë Fondi Besa. Rreth 11 qytetarë kanë rënë pre e skemës së mashtrimit, nga një 34-vjeçar i identifikuar si Ledio Vrapi, i cili është shpallur në kërkim, ndërsa për 3 punonjëset e Fondit Besa, Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi është caktuar masa arrest shtëpie. E përfshirë është edhe noterja Majlinda Demollari, për të cilën Gjykata e Tiranës ka vendosur masën arrest shtëpie, si edhe i është vendosur masa e “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Si funksiononte skema e Mashtrimit?
34-vjeçari Ledio Vrapi u kërkonte personave që kanë rënë pre e mashtrimit që të hapnin llogari bankare në emër të tyre pranë Fondit Besa. Personat në fjalë të afërt dhe të njohur të 34-vjeçarit në mirëbesim kanë rënë dakord që të hapnin llogaritë bankare, për të cilat 34-vjeçari u kishte thënë se do të hidheshin shuma parash për llogari të tij, por nuk donte që këto para të kalonin të gjitha në emrin e tij pasi nuk donte që të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pasi kishte mashtruar qytetarët, në bashkëpunim me punonjëset e Fondit Besa, 34-vjeçari ka arritur të marrë kredi në vlerat 5 deri në 7 mln lekë të vjetra. Qytetarët i kanë tërhequr këto para dhe ia kanë dorëzuar 34-vjeçarit, pa e ditur ishin mashtruar dhe se këto shuma të mëdha parash ishin përftuar në ‘kurriz’ të tyre. Si shpërblim për favorin e bërë, 34-vjeçari u kanë dhënë vetëm nga 500 mijë lekë të vjetra secilit.
“34-vjeçari kishte përvetësuar fotot e kartave të identitetit të 11 personave dhe e gjithë procedura e aplikimit dhe marrjes së kredisë është bërë në shkelje të ligjit”.
Roli i punonjësve të Fondit Besa dhe noteres Majlinda Demollari
Ledio Vrapi duke gënjyer ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit të 11 personave dhe ka përgatitur dosjen për kreditë dhe kontratat e kredisë, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a. Më pas me ndihmën e dy oficerëve të kredisë, Lindita Peçi dhe Eros Aliu, si edhe përgjegjësen e zyrës Lindita Ndroqi është bërë e mundur marrja e kredive dhe transferimi i shumave monetare në llogaritë bankare të 11 personave të mashtruar. 34-vjeçari kishte përvetësuar fotot e kartave të identitetit të 11 personave dhe e gjithë procedura e aplikimit dhe marrjes së kredisë është bërë në shkelje të ligjit. Në skemë është e përfshirë edhe noterja Demollari, e cila ka kryer noterizimin e contractive totalisht në shkelje të ligjit, pasi 11 personat e mashtruar nuk janë paraqitur asnjëherë për nënshkrim. Po ashtu, Prokuroria thotë se 34-vjeçari në dokumentet për aplikimin e kredisë ka paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhëna të tjera për 11 personat, por pavarësisht kësaj Demollari ka kryer noterizimin e kontratave.
Historia e skemës mashtruese:
Mbi 800 qytetarë ranë pre e skemës mashtruese me kreditë, që u zbuluan nga Policia duke vënë në pranga 7 punonjës të fondacionit BESA në Tiranë, mes tyre dhe drejtoresha e Fondit BESA, Albana Imami që kanë marrë mbi 4 miliardë lekë. Të arrestuarit, vetëm me anë të kartës së identitetit bënin që qytetarë të ndryshëm të aplikonin për kredi për shuma të mëdha, ua aprovonin ato, por qytetarëve u jepnin vetëm shuma të vogla, nga 10 mijë deri në 40 mijë duke i justifikuar si fonde bamirësie apo në disa raste dhe si kredi të vogla për të cilat kishin aplikuar vetë qytetarët. Por, shifra për të cilën ishte aplikuar nuk ishte ajo që qytetarët merrnin në dorë. Qytetarët paraqiteshin në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe u dorëzohej vetëm një pjesë. Pjesa më e madhe e parave përfitohej nga Drejtoresha e Degës, Albana Imami dhe bashkëpunëtorët e saj.