Ish-Ministri Beqiri, padit Manastirliun dhe rektorin e mjekësisë

594
Sigal

Paditet ministrja Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë nga Ish-ministri teknik

Ish-ministri teknik i Shëndetësisë, i propozuar nga demokratët në qeverinë tranzitore, profesor Arben Beqiri, një nga kirurgët më të mirë në vend për sëmundjet e brendshme ka hedhur në gjyq si ministrinë e Shëndetësisë dhe rektorin e Universitetit të Mjekësisë, profesor Arben Gjata edhe ky kirurg i njohur, por që prej vitesh ushtron me kohë të plotë punën e Rektorit.

Në akuzën e tij të depozituar në gjykatë, doktor Beqiri argumenton se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke i dhënë rektorit të Universitetit të Mjekësisë edhe një post të dytë, drejtimin e shërbimit të kirurgjisë në QSUT, një pozicion kyç që kërkon angazhim me kohë të plotë.

Në gjykatë është paraqitur vetëm doktor Arben Beqiri, ndërsa kundërshtari i tij, z. Gjata është përfaqësuar nga avokati i tij.

Dr Arben Beqiri thotë se do t’i shkojë çështjes deri në fund dhe se pret që gjykata të japë drejtësi.
“Jam këtu si qytetar dhe kërkoj mbrojtjen e ligjit, aspak për interesat e mia personale. Do t’i shkoj çështjes deri në fund, këtu ka një konflikt të pastër interesi. Kjo është vënë re nga i gjithë stafi akademik”,- tha Beqiri.

Nga 48 shërbime që numëron Spitali Universitar “Nënë Tereza” vetëm 32 prej tyre kanë të zyrtarizuar shefin e ri të shërbimit. Një pjesë e kandidatëve kanë hapur procese gjyqësore si ndaj ministres, spitalit dhe kandidatëve kundërshtarë me argumentin, se procesi zgjedhor ka qenë i parregullt dhe jo transparent. Ndërkohë që në disa shërbime kandidatët nuk plotësojnë kriteret ligjore për t’u zgjedhur shef shërbimi, çka vë në pikëpyetje vazhdimësinë e këtyre shërbimeve. Shembull, shërbimi i urologjisë, ku asnjëri prej kandidatëve që morën pjesë në garë nuk i ka titujt e duhur dhe eksperiencën në punë për të mbajtur postin e shefit të shërbimit.