Skandali/ Shteti shpall investitor strategjik rrjetin e supermarketeve LiDL, i fal qindra mijëra m2 tokë

31
Cartagena Spain - May 17 2017: New Lidl supermarket building illuminated at dusk. Lidl is german discount supermarkets chain based in Neckarsulm Germany
Sigal

Me vendimin më të fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike, qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë statusin “Investim Strategjik me Procedurë të Veçantë” gjigandit gjerman të supermarketeve LiDL, duke i vënë në dispozicion 200 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Porto Romano, me qira afatgjatë, për ndërtimin e një qendre logjistike.

Në teori, vendimi duket si një lajm i mirë. Sepse bëhet fjalë për një investim prej 105 milionë euro, premtimi për 2,500 vende pune dhe futja në treg e një prej emrave më të fuqishëm të shitjes me pakicë në Europë. Por në praktikë, ky vendim ngre pyetje serioze për konkurrencën, trajtimin e barabartë dhe standardet e shtetit të së drejtës në raport me operatorët e tjerë të së njëjtës fushë.

Le t’i marrim me radhë e të shohim përse statusi i “Investitorit Strategjik” i jepet vetëm LiDL.

Shqipëria ka prej vitesh rrjete të mëdha supermarketesh të konsoliduara, si Conad, Spar, Coop, Big Market, apo Xhangolli, etj, që kanë krijuar dhjetëra dyqane në qytete të ndryshme, kanë punësuar mijëra njerëz, kanë investuar miliona euro në logjistikë, magazina, rrjete shpërndarjeje dhe janë përballur me të gjitha kostot e tregut shqiptar.

Kanë paguar taksa dhe kanë derdhur miliona për çdo centimetër tokë, magazinë e dyqan që shfrytëzojne.
Asnjëri prej tyre nuk ka përfituar ndonjëherë statusin e investitorit strategjik, apo më keq akoma, të ketë marrë tokë shtetërore me qira afatgjatë për të ndërtuar qendra logjistike për biznesin e vet privat.

Pra, në teori, shqiptarëve u shiten dokrra të tipit “ky rrjeti i supermarketeve do investojë para e do hapë vende të reja pune”. Në praktikë, ky rrjeti i supermaketeve, për cilësinë e ushqimeve të të cilit ka dhjetëra artikuj nëpër mediat europiane, po favorizohet në mënyrë të paprecedentë dhe me një kontratë që ngre shumë dyshime, të cilën Zoom.al ka nisur ta investigojë.

Me këtë vendim qeveria shqiptare jo vetëm po favorizon dukshëm një biznes privat, i cili nuk është as i ri e as unik në tregun shqiptar, por edhe po dëmton konkurrencën e ndershme dhe rrjetet ekzistuese të supermarketeve.

Në Shqipëri tregu është i lirë, por qeveria po ndërhyn në këtë rast duke i dhënë privilegje njëanshmërisht një biznesi, në dëm të të tjerëve.

Në thelb, logjika e një investimi strategjik parashikon mbështetjen e sektorëve prioritarë si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia apo inovacioni teknologjik, por jo shitja me pakicë e produkteve ushqimore, për të cilën ekzistojnë dhjetëra rrjete te konsoliduara supermarketesh e mijëra biznese të vogla anembanë Shqipërisë.

LiDL, përtej markës së njohur dhe çmimeve konkurruese, është një rrjet supermarketesh që do të konkurojë drejtpërdrejt me ata biznese që e kanë ndërtuar punën e tyr prej vitesh me mund dhe pa mbështetje shtetërore.

Pra, a është ndërtimi i një magazine për shitje produktesh, kryesisht të importuara, një akt “strategjik”? A përmbush ky investim kriteret e interesit publik në të njëjtën mënyrë si një port, një rrugë, apo një hidrocentral?

Qeveria shqiptare e ka marrë vendimin për faljen e 200 mijë metrave katrorë tokë publike pa transparencë.

Sipas vendimit, LiDL përfiton tokë shtetërore në një nga zonat më të lakmuara logjistike të vendit, si Porto Romano, zona që është në qendër të transformimit të Portit të Durrësit.

Ndërkohë, operatorët e tjerë kanë blerë tokë me çmime tregu ose kanë marrë me qira prona private për të ngritur logjistikën e tyre.

Qeveria duhet të tregojë se me çfarë baze ligjore një kompani e huaj përfiton tokë publike, ndërsa kompani të tjera shqiptare, që kanë me mijëra punonjës dhe janë tatimpagues të rregullt, nuk kanë pasur të njëjtin trajtim?

Me një qendër të madhe logjistike dhe ndihmën e shtetit, LiDL do të ketë një avantazh të jashtëzakonshëm kundrejt konkurrentëve. Do të ketë kosto më të ulëta logjistike, akses të drejtpërdrejtë në infrastrukturë publike dhe ndihmë institucionale.

Mbetet për t’u parë si do të reagojnë operatorët e tjerë ndaj këtij vendimi.

Prania e një marke të tillë sjell konkurrencë dhe për pasojë mund të ketë edhe përfitime për konsumatorët.

Por problemi është trajtimi i pabarabartë. Nëse Big Market apo Conad do të kërkonin sot 200 mijë metra katrorë tokë shtetërore në Porto Romano, a do ta merrnin? A do t’u jepej statusi i “investitorëve strategjikë? Secili prej tyre është i ftuar ta provojë që nesër, pavarësisht nëse mbajnë emra shqiptarë apo të huaj.

Sigurisht që LiDL nuk ka gjasë të jetë favorizuar nga emri apo prejardhja. Kontrata e shtetit me të bie erë. /Zoom.al