Skandali/ Pacientët infektohen në sallën e operacionit, mjekët u kthejnë lekët. Ja fotot tronditëse

674
Sigal

Skandali në Spitalin Rajonal të Lezhës, salla e kirurgjisë e infektuar me stafilokok

Pacientët infektohen në sallën e operacionit, mjekët kthejnë lekët

Një skandal i ndodhur në Spitalin Rajonal Lezhë është bërë publik, ku pacientët që u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë fundit të muajit të kaluar janë infektuar me stafilokok. Këta pacientë, pas komplikacioneve që kanë patur pas ndërhyrjes në spitalin e Lezhës, janë rioperuar përsëri ne këtë spital e më pas në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku janë paraqitur me infeksion të rëndë. Emisioni investigativ “Fiks Fare” solli ankesën e familjarëve të një 15-vjeçari, i cili ishte operuar nga apendesiti, në datën 24 prill në Spitalin Rajonal të Lezhës, dhe që pas 5 ditësh për shkak të shqetësimeve dhe temperaturës shumë të lartë e kanë sjellë në QSUT, ku i është nënshtruar një tjetër operacioni. Halla e 15-vjeçarit tregoi se mjeku kirurg që e operoi në Tiranë u ka treguar se kolegu i tij nga spitali Lezhë i kishte thënë, se kanë probleme me sallën e operacionit. Këtë gjë familjarët e 15-vjeçarit e konfirmojnë me takimin që zhvillojnë me mjekun e në QSUT-së, Kolan Henri, i cili u pohon se mjeku i Lezhës ka fajësuar kushtet në të cilat operojnë dhe sallën e operacionit.

Mjekët e spitalit ndërpresin operacionet për shkak të kushteve në sallën e operimit

Familjarët nuk e lanë me kaq, por takuan dhe dy mjekët kirurgë që operuan 15-vjeçarin në Lezhë, të cilët u treguan se kanë qenë tre raste që kanë patur të tilla komplikacione. Ata dëshmojnë se kanë ndërprerë edhe operacionet, për shkak të sallës së operimit. Ata për dy ditë nuk kanë kryer asnjë operacion, por shprehen se i kanë kërkuar drejtorisë së spitalit ekzaminimin e sallës së operacionit. Shefi i pavionit të Kirurgjisë pohoi, se para dy javësh nga ekzaminimi që i është bërë sallës ka rezultuar me bakterin stafilokok. Ky grup bakteresh mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh infektive në indet e ndryshme të trupit. Ndue Çupi u shpreh se u ndalën për të riparë sterilitetin e sallës së operimit pa e përmendur, se ajo ishte e kontaminuar me stafilokok. Kurse nëndrejtoresha e spitalit Lezhë, Valbona Prenga tha se menjëherë pas shqetësimit të ngritur nga mjekët janë bërë disa ekzaminime në sallë, ekzaminime të bëra nga mikrobiologia e spitalit ku kanë rezultuar sterile. Ajo u shpreh se janë në pritje të përgjigjeve edhe për dy a tre analiza të tjera, e më pas do u drejtohet inspektoratit dhe ministrisë që të bëhen edhe njëherë ekzaminimet e duhura. E pyetur për praninë e bakterit stafilokok në sallë të operacionit, ajo thotë se nuk ka dijeni për këtë ekzaminim dhe këtë rezultat. “Nuk kam dijeni, por, nëse është e vërtetë duhet të ndalemi dhe përgjegjësit të marrin ndëshkimin e merituar.” tha Valbona Prenga.

Mjekët tregojnë të vërtetën, pasi kthejnë lekët e marra për operacionin

Pasi 15-vjeçari u detyrua të operohej sërish në QSUT, mjekët që e operuan në spitalin e Lezhës treguan të vërtetën, edhe pse me dhimbje. Familjarët u kërkojnë llogari për gjendjen e adoleshentit dy mjekëve, të cilët për operacionin që kryen u paguan. Shefi pavionit Ndue Çupi dhe kirurgu Çesk Gjergji ishin paguar nga familjarët me 5000 lekë secili. Meqë operacioni shkoi keq të dy mjekët u detyruan t’u kthenin lekët familjarëve. Ndue Çupi gjatë takimit me familjarët kthen lekët në një zarf të bardhë dhe u thotë se nuk ishte faji i atyre por i sallës ku është bërë operacioni. “Këtë kafen që më keni dhënë t’ia çoni djalit” shprehet Çupi. Njëri prej familjarëve tenton të hapë zarfin, por shefi pavionit e ndalon duke i thënë sërish për t’ia çuar 15-vjeçarit. Ndërkohë kirurgu, Gjergji u thotë familjarëve se lekët jua ka kthyer një të afërmeje të tyre. “ Lekët t’i kam kthyer, ia kam dhënë Florës (infermiere e afërme e familjes), Erdha t’ia jap djalit por kishte njerëz dhe ngjante keq” shprehet kirurgu Gjergji.