Skandali i AMC rrezikon imazhin e pronarëve të rinj gjermanë

2555
Një padi e një nënkontraktori shqiptar kundër kompanisë AMC në Gjykatën e Rrethit Tiranë zbulon një zinxhir shkeljesh ligjore dhe një skandal të madh që vërteton keqpërdorimin e tregut dhe thyerjen e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale nga ana e gjigandit grek të telekomunikacionit në Shqipëri AMC.
Një prej tre distributorëve ekskluzivë të kompanisë AMC në Shqipëri që prej vitit 2000, që zotëronte mbi 100 dyqane dhe 60 pika shitjeje, ka hedhur në gjyq kompaninë greke në gjykatën e rrethit Tiranë duke pretenduar se AMC ka shfrytëzuar rrjetin dhe punën e distributorit të tyre lokal shqiptar duke thyer praktikat e biznesit dhe ligjin në kundërshtim me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe praktikat ndërkombëtare. Mobal SHPK posedon prova se AMC ushtroi presion të jashtëligjshëm ndaj 80-90 nën-agjentëve të kontraktuar (punonjësve) për të firmosur kontrata të ndryshimit të punëdhënësit nën presion. Gjithashtu Mobal SHPK akuzon AMC se ka patur shkelje të rëndë të Ligjit për Mbojtjen e të Dhënave Personale – një praktikë e jashtëligjshme e cila vërteton se serveri i të dhënave të klientëve shqiptarë të AMC ishte zhvendosur në territorin grek, jashtë juridiksionit të Shqipërisë. Për këto arsye, MOBAL SHPK e ka hedhur AMC në gjyq duke pretenduar se shkeljet flagrante të kompanisë greke ishin shkaku për ndalimin e aktivitetit të tyre komercial. Pas 13 vite operacionesh të suksesshme për AMC, kontratat e Mobal SHPK u ndërprenë në mënyrë të jashtëligjshme dhe përfaqësuesit e nën-kontraktorit shqiptar u vunë nën presion psikologjik prej drejtuesve të ekzekutivit të AMC për të ndryshuar kontratat e lidhura prej Mobal, të cilat spicifikonin se marrëdhënia kontraktuale e çdo agjenti ishte e lidhur me Mobal SHPK, jo me AMC. AMC akuzohet pnga ish distributori i saj për shkak se është përfshirë në praktika konkurrence të pandershme në thyerje të legjislacionit shqiptar duke ushtruar presion, duke kërcënuar, dhe në fund duke grabitur rrjetin e shpërndarjes së ngritur me shumë mund për vite me radhë nga punonjësit e Mobal, pavarësisht kontratës në fuqi mes dy kompanive.
Përfaqësuesit e Mobal SHPK Mirela Tesho & Elias Katsouris spjegojnë: 
“Në 2014, AMC kontaktoi me nën-agjentët tanë dhe u bëri presion se nëse nuk firmosnin brenda natës kontratat e reja të punëdhënësit, ata do të humbisnin aktivitetin e tyre komercial. Për këtë grabitje të paligjshme të rrjetit tonë kemi prova të mjaftueshme. Më shqetësues, është fakti se AMC mbylli rrjetin tonë elektronik brenda natës, me qëllim që Mobal të mos kishte më akses për të ofruar shërbimet e tyre ndaj klientelës. Shkelja më serioze u kuptua më vonë, kur eksperti i pavarur i IT që duhet të dëshmonte në gjykatë zbuloi se AMC kishte vjedhur gjithë rrjetin e klientelës sonë dhe kishte transferuar të dhënat e tyre jashtë juridiksionit të territorit shqiptar, në Greqi. Kjo përbën shkelje të rëndë të ligjit shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale – një praktikë e jashtëligjshme dhe e papranueshme biznesi që vë në rrezik dhe hap rrugën për keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë nga aktorë komercialë në një shtet tjetër. Ndjehemi të keqpërdorur dhe të dhunuar që AMC i keqtrajtoi nën-agjentët tanë përmes presionit psikologjik, dhe ndërpreu kontratën tonë në fuqi duke thyer ligjin dhe duke rezultuar në humbjen e biznesit tonë. Mobal SHPK kishte ekskuzivitet për shërbimet që ofroheshin. U detyruam t’a çonim çështjen në gjykatë sepse shkelja e termave të kontratës dhe vjedhja e serverit të klientëve tanë duke e transferuar atë në Greqi, na jep besim se kjo çështje tashmë është e fituar në favorin tonë”.

Argumentat kundër kompanisë

Të bindur se Gjykata e Rrethit Tiranë do të vendosë në favor të tyre, Mobal shprehet se shqetësimi i tyre që zbulon një praktikë të keqe biznesi nuk është kuptuar siç duhet prej ekzekutivit të pronarëve të rinj gjermanë të kompanisë Deutsche Telekom, të cilët e kanë ribranduar kompaninë nën siglën e re Telekom Albania. Përfaqësuesit e MOBAL thonë se Deutsche Telekom, e cila është një kompani e në etike të lartë profesionale që operon me standarte tepër të larta në shumë vende të botës, ndoshta janë të painformuar rreth këtij skandali që lidhet me të kaluarën e AMC. Në të kundërt, ata do të kishin marrë masa menjeherë për të mënjanuar prishjen e imazhit të kompanisë. Praktikat e këqija të biznesit janë kthyer në një shqetësim konstant në Shqipëri, duke u bërë shpesh objekt i shkrimeve dhe analizave të shumta mediatike dhe publike. Paçka se qeveria shqiptare është zotuar për të stimuluar biznesin në vend dhe të rrisë punësimin, ulja e fundit e eksporteve, performanca e dobët ekonomike në vend, niveli i lartë i korrupsionit dhe niveli i ulët i investimeve të huaja në Shqipëri, kanë tërhequr vëmendjen dhe angazhimin e aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë si BE, SHBA, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, etj. Nëse pretendimet e kompanisë Mobal konfirmohen nga Gjykata e Tiranës, atëhere kjo do të ishte një shkelje e rëndë e ligjit komercial të Shqipërisë dhe do të hidhte dritë mbi majën e ajsbergut të praktikave të këqija të disa kompanive të huaja në Shqipëri, të cilat shpeshherë e injorojnë dhe nuk e kanë problem t’a thyejnë legjislacionin shqiptar – gjë që nuk do u shkonte kurrë në mend në një vend anëtar të BE-së. Telekomunikacioni është një biznes qindra miliona eurosh në Shqipëri dhe shpeshherë objekt i ndjeshmërive publike e mediatike për shkak të çmimeve tejet të larta në krahasim me vendet e tjera evropiane. Pronarët e Mobal ShPK janë gjithashtu anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë e cila ka qenë tepër kritike kohët e fundit në publik, duke kërkuar një klimë më të mirë dhe më të favorshme biznesi dhe investimesh në Shqipëri.
AMC ishte një kompani telekomunikacioni që ka operuar në Shqipëri prej 19 vjetësh. AMC ishte pjesë e Cosmote Group që në vitin 2000 dhe në 2008 iu bashkangjit Grupit Deutsche Telekom. Që prej korrikut 2015, kompania operon nën siglën Telekom Albania 
Në 2005, të ardhurat e kompanisë ishin më shumë se €137 milion EURO. Në 2007 të ardhurat e AMC kapën shifrën 176.2 milion Euro, 16.7% rritje në vit. AMC zotëronte rreth 32.82% të këtij tregu lukrativ.
Sigal