Skandali, administrata e Zerqanit turne në Europë me paratë e komunës

552
Sigal

BULQIZË/Banorët pa bukë e pa asistencë, komunarët prishin 70 milionë lekë në Kroaci e Slloveni

Edhe pse arka e komunës është bosh e pagesa e papunësisë është përgjysmuar (pa bërë fjalë për vonesat në kohë) administrata e një komune në Bulqizë gjen para për të bërë një turne të gjatë ndërkombëtar. Burime për gazetën “Telegraf” konfirmojnë se, bëhet fjalë për administratën e Komunës së Zerqanit të nënprefekturës së Bulqizës. Burimet e mësipërme konfirmojnë se, turneu i administratës ka vazhduar mbi një javë në itinerarin Kroaci-Slloveni dhe kthim. Burime pranë administratës së komunës pohojnë se, “administrata ka bërë një udhëtim turistik me paratë e komunës, në përputhje me ligjet në fuqi”, por nuk saktësojnë se sa ka qenë shuma e harxhuar. Burime jo të konfirmuara plotësisht se shuma e shpenzuar për qejf nga administrata e komunës që drejton Dëfrim Fiku, mendohet të jetë rreth 7 milionë lekë të reja.

TURNEU

Burime për “Telegraf” nga Komuna e Zerqanit, 20 km larg nga Bulqiza japin dhe detaje rreth turneut të zhvilluar nëpër Europë nga administrata e komunës. “Turneu ka filluar para 10 ditësh. Administrata, e drejtuar nga kreu i komunës, gjithsej 12 vetë, ka udhëtuar në Mal Të Zi, nga aty në Kroaci edhe kthim. Flitet se në këtë udhëtim, kanë qenë dhe disa persona të tjerë, të afërm të administratës. Udhëtimi është kryer me autobus e shpenzimet janë llogaritur nga arka e komunës. Nga administrata e kësaj komune thonë se udhëtimi ka qenë i planëzuar më parë dhe është bërë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregullat në fuqi”, – shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”. Edhe pse ky udhëtim turistik i administratës së komunës ka lënë “shije të hidhur” tek banorët e më gjerë, paradoksi qëndron se ky luks vjen në një kohë që jemi në kohë krize dhe banorët e kësaj komune janë ndër më të varfrit në zonë…

BANORËT

Banorët e Komunës së Zerqanit shprehen me indinjatë për këtë udhëtim luksi në ditë krize me të ardhurat e tyre. Kjo jo vetëm për faktin se abuzimi bëhet në “ditë me diell”, por dhe se për shkak të fondit minimal, banorëve përfitues u është përgjysmuar dhe asistenca e papunësisë. Mësohet se nga 6 mijë lekë që jepeshin më parë, tarifa e pagesës së papunësisë është ulur në 30 lekë. Ndër të revoltuarit nga ky luks në kohë krize, janë dhe dy familjet Dama (kryefamiljarë Petrit e Haxhi Dama) në këtë komunë, të cilëve janë djegur banesat kohë më parë dhe tani janë pa strehë mbi kohë. “Mua dhe Petritit na janë djegur shtëpitë para 8 vitesh e nuk na ndihmon njeri. Banojmë në një grykë tuneli ushtrie si mos më keq. Ndërsa administrata e komunës shëtit nëpër botë kur ne na rrezikohet jeta seriozisht. Me gjysmat e parasë së turneut të tyre, ne mund të kishim një thati mbi kokë. Nuk di çfarë bëhet,- pohon 60-vjeçari Haxhi Dama.