Skandalet me legalizimet e hipotekat, institucionet s’mbështesin Prokurorinë

589
Sigal

DURRËS/Vetëm në zonën e ish-Kënetës, janë ndërtuar 1500 ndërtime pa lejë në një sipërfaqe 35 ha tokë

Duket se skandalet me trojet nuk kanë të sosur. Në Durrës  sërish ALUIZNI ka zbuluar gjatë procesit të legalizimit se,  ZRPP e qarkut,  ka punuar me shkelje prej vitesh dhe me harta krejtësisht të gabuara. Harta dixhitale që disponon ALUIZNI, shpesh nuk ka asnjë përputhje me hartën e ZRPP, ndaj është kërkuar bashkëpunimi për njësimit të hartave, me qëllim realizimin e procesit. Sipas burimeve nga ZRPP dhe ALUIZNI (institucione këto të angazhuara në procesin e legalizimit) duket se me hartën e vjetër, gjatë 10 viteve të fundit janë kryer mjaft shkelje ligjore, duke krijuar me mijëra mbivendosje  pronash në Durrës dhe komuna.  Edhe pse ka kaluar më shumë se 5 vjet nga dita kur KRRTRSH vendosi të njohë 35 ha tokë në ish-Kënetë në të cilën janë ndërtuar mbi 1500 ndërtime pa leje, këto dy institucione mbeten sërish kaotike. Edhe pse  ka nisur regjistrimi i këtyre banesave në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në zyrën përkatëse në Durrës, duket se pengesa e vetme e zbuluar ka qenë harta me të cilën është punuar gjatë 10 viteve të shkuara. Ka kohë që procesi i legalizimit të një pjese të ndërtimeve pa leje në ish-Kënetën e Durrësit e cila e ka kaluar kuadrin ligjor ka mbetur i bllokuar pjesërisht pikërisht për shkak të mospërputhjes së hartave, mes dy institucioneve të shtetit ALUIZNI-t dhe ZRPP. Burimet nga ALUIZNI  thanë se, “ky proces është ngadalësuar prej 3 vitesh për arsye se Hipoteka disponon të tjera dokumente, dhe tjetër hartë për territoret për të cilat po flasim të cilat ndryshojnë nga matjet tona, pra  nëse ne për 100 ndërtime pa leje kemi dërguar harta sipas të cilave rezulton se këto ndërtime kanë zënë dy ha tokë sipas tyre kjo sipërfaqe është 2,5 ha tokë, në këto kushte ne po presim rezultatet e verifikimit të tyre”.  Në këtë përplasje  institucionesh ata që e pësojnë janë banorët. Veç ndërtimeve në ish-Kënetë, të cilat ende vazhdojnë të qëndrojnë të pa legalizuara janë edhe 180 shtesa pallatesh të viteve ’90 banorët e të cilëve kanë aplikuar për legalizim e që vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuar. Aplikim për të kaluar  këto shtesa  për legalizim ende nuk ka hyrë në axhendën e punës.

 PROKURORIA:HIPOTEKA NA KA PENGUAR NË HETIME

Organi i akuzës është një tjetër institucion që lëshon akuza ndaj ZRPP. Burimet nga Prokuroria e Durrësit u shprehën se “gjatë vitit 2013 me gjithë volumin e madh të dosjeve dhe hetimet e tjera lidhur me zbulimin e veprimtarisë korruptive dhe shumë veprave penale një pengesë serioze në bashkëpunim mbetet ajo e ZRPP, pasi në të gjitha rastet kur ne duam informacione lidhur me persona nën hetim, ka qenë ajo që ka vonuar  përgjigjet”.Sipas burimeve “sikur nga ana e Hipotekës së Durrësit të ishte gjetur gjuha e mirëkuptimit reciprok dhe institucional, puna do të kishte rezultate por që fatkeqësisht ka patur vonesa dhe zvarritje të pakuptimta”. Hetuesit kanë shprehur rezerva lidhur me punën e institucionit të ZRPP duke shprehur indinjatë lidhur me “mbajtjen pezull të hetimeve në mjaft raste dhe dosje problematike”. Nga ana tjetër hetuesit shprehen të kënaqur për bashkëpunimin me Drejtorinë e Policisë Qarkut, duke ndihmuar në hetimin e dosjeve për ti dërguar ato drejt Gjykatës”. Prej vitesh  në Prokurori janë depozituar  dhjetëra ankesa nga qytetarët , lidhur me vonesat dhe humbjet e dokumentacionit, zvarritjeve dhe mbivendosjeve. Burimet nga organi akuzës u shprehën se  “janë mbi 1500 çështje penale të regjistruara  dhe bashkë me ato të mbartura, por si pasojë e mungesës së autorit të shumë veprave penale ndër ato edhe mjaft të akuzuar për vjedhje pasurie dhe trojesh në zonat bregdetare, apo falsifikime të dokumentacionit në ZRPP, dhjetëra dosje mbeten akoma pa mbyllur”.