Drejtësia ka kthyer në “skrap” Dosjen Nr. 131 “Kurum-HEC”, që provonte shitjen antiligjore të 4 HEC-ve

601
Në mbledhjen e datës 30. 04. 2013, Autoriteti i Konkurrencës ka diskutuar lidhur me miratimin përfundimtar si autoritet vendim-marrës përcaktues, për të dhënë miratimin për shitjen e 4 HEC-ve për llogari të shoqërisë turke “KURUM” e cila në 15 vitet e fundit, ka shtrirë “tentakulat në gjithë stektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke i “përlarë” ato me privatizime e koncesione të dhëna me procedura të paligjshme, me afera dhe me dosje të falsifikuara e të me mangësi. Një nga privatizimet strategjike që ka bërë “Kurum”, që ka krijuar një skandal të shoqëruar me “duel” mediatik, shtetëror e politike, janë edhe 4 HEC-e, ish-pronë shtetërore shqiptare, por të shitura për kompaninë “Kurum”… për “1 copë bukë”, siç kanë dhënë alarmin edhe ekspertët e ish-opozitës, sot titullarë të lartë deri me poste ministri e drejtues të sektorit të menaxhimit energjetik në qeverinë aktuale, duke denoncuar çmimin e ulët të shitjes dhe aferat e bëra më këtë privatizim. Këto ditë, gazeta “Telegraf” një skandal tjetër po shtetëror e drejtësie, që lidhet me privatizimin mafioz të 4 HEC-ve prej kompanisë “Kurum”, skandal i zhdukur dhe i zëvendësuar në dosjen e privatizimit, me akte vlerësimi në favor të “Kurum” Konkretisht, në datën 3. 04. 2013, Autoriteti i Konkurrencës duhej të jepte vlerësimin dhe vendimin përfundimtar për lejen e kalimit të këtyre HEC-ve në pronësi të kompanisë “Kurum”. Por çfarë ka ndodhur? I vetmi ekspert i ngarkuar nga Autoriteti i Konkurrencës për të hartuar vlerësimin e këtij privatizimi ishte eksperti/komisioneri Koço Broka. Raporti i tij, ishte kundër shitjes së HEC-ve për kompaninë “Kurum”, mbasi sipas dosjes së paraqitur në komisionin shtetëror të vlerësimit të ofertave, “Kurum” nuk plotësonte asnjë kriter tekniko-ekonomik-financiar për të administruar këto HEC-e, si dhe për faktin, se dosja ishte me pasaktësi dhe me mungesë dokumentacioni, madje edhe me akte dokumentare e akte ekspertimi fiktive në raport me realitetin e aktivitetit të firmës “Kurum”, deri me shifra të rreme investimesh e kapitalesh. Ky raport vlerësimi i saktë dhe i sinqertë i ekspertit/komisionerit Koço Broka, nuk u përfill nga Autoriteti i Konkurrencës anëtarët e të cilit, përveç komisionerit Koço Broka, votuan “PRO” shitjes së HEC-e për “Kurum” edhe pse përballë, kishin një dosje vlerësuese të detajuar, që nuk lejonte këtë shitje me argumentin profesional: “Ekziston pasaktësi dokumentare dhe të dhëna ekonomike-financiare jo garantuese, ka ofertë tepër të ulët shitjeje, ka akte vlerësimi bilancesh fiktive, nuk jep garanci menaxhimi transparent, nuk përcaktohen konkretisht burimet e tregut të energjisë që do prodhojë dhe krijon kufizim e shtrembërim të mundshëm të konkurrencës në këtë treg“. Sipas burimeve të “Telegraf”, ky skandal, shoqëruar me raportin e ekspertit Koço Broka është denoncuar në organet e drejtësisë nga 5 specialistë të sektorit energjetik në muajin qershor 2013 dhe është regjistruar më Dosjen Nr. 131, me termin “Kurum-HEC”. Por, që prej qershorit 2013, përveç disa pyetjeve formale “në kafene” të atyre që firmosën e vulosën shitjen e HEC-ve, nuk është bërë asnjë veprim tjetër prej drejtësisë, madje ka informacione që dosja është konservuar “Për mungesë provash e argumentesh”! ndërkohë që skandalin e ka vazhduar Autoriteti i Konkurrencës, duke zëvendësuar raportin “kundër” të ekspert/komisionerit Koço Broka, me një raport tjetër fiktiv me “vlerësim pozitiv”. Më poshtë, po publikojmë të plotë akt-vlerësimin e kundër shitjes së HEC-e për kompaninë “Kurum”, paraqitur në mbledhjen e datës 30. 04. 2013 të Autoritetit të Konkurrencës, prej komisionerit të këtij Autoriteti, ekspertit të ekonomisë, Koço Broka.
Ja akt-vlerësimi i plotë zyrtar i ekspertit Koço Broka, kundër shitjes së HEC-ve Bistrica-1-2” nw favor të “Kurum”
“Lidhur me Vendimin e Komisionit të Konkurrencës Nr.281, datë 30.04.2013 “Mbi Autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të vetëm të Hec Ulëz Shkopet nëpërmjet transferimit të 100% të aksioneve të kësaj të fundit nga shoqëria Kurum International Sh.a” dhe Vendimin e Komisionit të Konkurrencës Nr.282, datë 30.04.2013 “Mbi Autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të vetëm, të HEC-ve “Bistrica 1-2”, nëpërmjet transferimit të 100% të aksioneve të kësaj të fundit nga shoqëria Kurum International Sh.a”, kam mbajtur qëndrimin KUNDER me arsyetimin e mëposhtëm.
I-. Tregu i gjenerimit dhe tregëtimit të energjise elektrike, ka qënë objekt i shqyrtimit dhe vendimarrjes së Komisionit të Konkurrencës, disa herë, duke mbajtur një qëndrim të qartë për promovimin dhe realizimin e konkurrencës në këtë treg. Qëndrimi i mbajtur mbi bazën e hetimit të përgjithshëm në sektorin e energjisë, pjesa e energjisë elektrike, nëpërmjet vendimit Nr. 90, Datë 07.10.2008 “Disa rekomandime për liberalizimin dhe rritjen e konkurrencës në sektorin e energjisë elektrike” ka konsistuar midis të tjerash”:
1) Respektimi i nenit Nr. 69 të Ligjit Nr. 9121 “Për mbrojtjen e Konkurrencës” për të marrë në kohë dhe para miratimit të akteve vlerësimin nga ana e Autoritetit të Konkurrencës.
2) Në treg duhet të Funksionojë Operatori i Furnizmit me Shumicë dhe të hapet dhe/ose të rritet konkurrenca si në tregun e prodhimit ashtu dhe në tregun e furnizmit me shumicë dhe pakicë me energji.
3) Përfshirjen e sa më shumë biznesve si klientë dhe konsumatorë jo tariforë dhe furnizues jo tariforë.
4) Miratimi i tarifave të tregtimit të energjisë elektrike duhet bërë në mënyrë të balancuar dhe pa diskriminime, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos mesatare të ponderuar të ofertës së energjisë, duke marrë në konsideratë si koston mesatare të importit ashtu dhe të prodhimit.
5) Furnizuesi me shumicë dhe operatori i sistemit të shpërndarjes duhet të marrin të gjitha masat për të përmbushur detyrimet e kontratës së shitblerjes së energjisë elektrike të lidhur me prodhuesit e vegjël. Të monitorojë furnizuesin me shumicë dhe operatorin e sistemit të shpërndarjes që të marrin masat për të përmbushur detyrimet e kontratës së shitblerjes së energjisë elektrike lidhur me prodhuesit e vegjël. etj
Ndërsa me Vendimin Nr. 159, datë 19.11. 2010 të Komisionit të Konkurrencës”, “Për disa rekomandime për rritjen e konkurrencës në tregun e energjisë elektrike.”, në funksion të rritjes së konkurrencës në tregun e prodhimit dhe furnizimit me shumicë dhe me pakicë me energji elektrike , fillimisht konstatohet se:
Në praktikë nuk është zbatuar kërkesa e modelit të tregut të energjisë elektrike të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 338, datë 19.03.2008, sipas të cilit, Furnizuesi publik me shumicë dhe “KESH-Gen” duhet të jenë të ndarë financiarisht dhe funksionalisht, por në fakt ato operojnë si njësi të vetme ekonomike. Ndarja funksionale dhe financiare e furnizuesit publik me shumicë nga “KESH-Gen”, do të krijojë kushtet për konkurrencë në këtë nivel tregu për të gjithë të interesuarit (PPE, PVE, Furnizuesit e Kualifikuar).
Ndërsa në pjesën e “Vendim-marrjes” të këtij Vendimi është Rekomanduar:
1. T’i rekomandojë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Entit Rregullator të Energjisë Elektrike:
1.1 Ndarjen funksionale dhe financiare reale të “Furnizuesit Publik me Shumicë” nga “KESH-Gen”, e cila do të krijojë kushtet për konkurrencë në këtë nivel tregu
për të gjithë të interesuarit (PPE, PVE, Furnizuesit e Kualifikuar) për të kryer transaksione konkurruese dhe është në zbatim të modelit të tregut.
1.2 Ndarjen financiare reale të “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” dhe “Furnizuesit Publik me Pakicë” në mënyrë që të operojnë si njësi të ndara financiarisht pasi këto segmente tregu janë të liberalizuara dhe është një instrument që ndikon në rritjen e konkurrencës në këtë segment të tregut.
Pra, Komisioni i Konkurrencës dhe Autoriteti i Konkurrencës në tërësi ka patur një vendim-marrje të qartë jo thjesht për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive por dhe për promovimin e saj, me një synim të qartë që kjo konkurrencë të kontribuojë dhe çojë në uljen e çmimit të energjisë elektrike duke marrë në konsideratë jo vetëm koston e importit por dhe koston reale të prodhimit të energjisë elektrike në vend tij, duke realizuar çmime sa më të ulëta konkurruese. Qëndrimi im në mbledhjen e sotme Date 30.04.2013 është konformë dhe në vijimësi të këtyre vendim-marrjeve të Komisionit të Konkurrencës për të cilat të gjithë kemi rënë dakort më parë.
II. Monitorimi i vendim-marrjeve të Komisionit të Konkurrencës.
Nga Monitorimi i Vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, lidhur rritjen e Konkurrencës në tregun e Sektorit të Energjisë Elektrike e sidomos atë të prodhimit dhe tregëtimit të energjisë elektrike, rekomandimet e sipër përmenduara në thelb nuk janë realizuar as nga METE dhe as nga ERE.
(Vijon )
Sigal