Skandal në Spitalin e Beratit, s’ka antibiotikë, shiringa e deri te serumi

734
Sigal

 MUNGOJNË ILAÇET/ Flet për “Telegraf” shefi i Repartit të Pediatrisë, Vladimir Kumbaraku: Ja repartet më problematike

Në këto ditë të nxehta vere, të sëmurët e shumtë që kërkojnë ndihmë në Spitalin e Beratit po përballen edhe me mungesën e ilaçeve. Ilaçet e kushtueshme nuk janë venë ndonjëherë në shërbim të qytetarëve, por tanimë mungojnë edhe ato më elementaret. Në repartet të ndryshme ka mungesa të antibiotikëve, shiringave, fashove e deri tek serumi, që është mëse i domosdoshëm. Për të plotësuar mungesat pacientët detyrohen që t’i blejnë ato në farmaci. Ditët e fundit numri i pacientëve që ka shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë i lartë për shkak të temperaturave të larta. Më problematike është mosha e tretë dhe fëmijët. Të pyetur për mënyrën sesi po e përballojnë këtë situatë, pacientët e shtuar shprehen se, këto kushtet që ofron spitali i kanë edhe në shtëpi. Madje, disa nga pacientët kanë preferuar që serumin dhe gjilpërat që blejnë në farmaci, t’i bëjnë në banesat e tyre, duke pagur ndonjë infermiere, sesa të rrinë në spital dhe mbi të gjitha të durojnë edhe vapën e tmerrshme që shton sëmundjet.

Gjendja

Në Spitalin Rajonal të Beratit mungojnë të gjitha medikamentet. Lajmin e bën të ditur për gazetën “Telegraf”, shefi i Repartit të Pediatrisë në këtë spital, mjeku Vladimir Kumaraku, i cili konfirmon se, në të gjitha repartet e këtij spitali, duke filluar që nga Urgjenca, Kirurgjia e deri tek Pediatria mungojnë antibiotikët e nevojshëm, shiringat e deri tek aparatet e serumit. Kjo situatë e rënduar-ka thënë Kumaraku-na detyron të përballemi çdo ditë me opinionin e prindërve e qytetarëve, të cilët detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet e shiringat në farmaci të ndryshme afër spitalit. Në të gjithë spitalin-shprehet mjeku Vladimir Kumaraku- qarkullon në doza shumë të vogla vetëm një antibiotik, disa shiringa dhe aparate serumi që mjekët i mbajnë si rezerva për emergjencat e natës, kur farmacitë janë të mbyllura.

Shkaku

Kjo situatë problematike ka ardhur për shkak të ndryshimit të mënyrës së menaxhimit të barnave në spitale, e cila ka kaluar në ngarkim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kjo e fundit ka vonuar tenderat duke sjellë një furnizim defiçitar me barna.